Protestat në Virxhinia/ 1 i vdekur dhe 19 të plagosur

Në protestën që po zhvillojnë supremacistët e bardhë, në Virxhinia SHBA,  të cilët shkaktuan kaos në qytetin Charlottesville, një grua ndërroi jetë dhe 19 të tjerë u plagosën, pasi një automjet përplasi turmën e njerëzve.

Menjëherë pas këtij incidenti FBI-ja ka hapur zyrtarisht një hetim mbi të drejtat e njeriut.

Pak përpara incidentit me automjetin, pati sherre dhe shkëmbime grushtash mes nacionalistëve të bardhë dhe kundërshtarëve të protestës që zhvillohej.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions tha se “dhuna dhe viktimat në Charlottesville goditën zemrën e ligjit dhe drejtësisë amerikane”.

“Kur ndodhin të tilla veprime nga fanatizmi dhe urrejtja racore, ata kanë tradhtuar vlerat tona kryesore dhe nuk mund të tolerohen”, tha kryeprokurori.

James Fields, 20-vjeçar nga Ohio, është i dyshuari që drejtoi automjetin e tij drejt turmës, e tashmë ndodhet në paraburgim me akuzën për vrasje të shkallës së dytë.

Veç atyre që u plagosën nga incidenti me makinë, Departamenti i Policisë në Charlottesville njoftoi se 15 të tjerë u plagosën gjatë dhunës që shpërtheu në lidhje me marshimin e ekstremistëve të djathtë.

“Kam një mesazh për të gjithë supremacistët e bardhë, madje edhe për nazistët që erdhën në Charlottesville sot. Mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: shkoni në shtëpi! Ju nuk jeni të dëshiruar në këtë bashkësi. Turpi bie mbi ju. Ju pretendoni se jeni patriotë, por jeni gjithçka tjetër veçse patriotë jo. Erdhët këtu sot për të dëmtuar njerëzit dhe ia dolët të plagosnit disa. Por kam edhe një mesazh tjetër: ne jemi më të fortë sesa ju”, tha McAuliffe, guvernator i Virxhinias.

Marshimi i mbiquajtur “Bashkoni të djathtën” ishte thirrur për të protestuar kundër planeve për të hequr statujën e gjeneralit Robert E. Lee, i cili kishte luftuar për konfederatën pro-skllavërisë gjatë luftës civile në SHBA.