Pushteti i naftës dhe diplomacia ndërkombëtare/ Kur sfida e Ramës kthehet në prioritet

Me bindje të plotë mund të themi se nafta po shndërrohet në armën e re strategjike të Shqipërisë. Industria e naftës mund të përkthehet ndryshe edhe si një e ardhme e shkëlqyer. Kjo çështje tashmë po merr përmasa edhe më të gjerë, duke e kthyer në të njëjtën kohë në promotorin e zhvillimit ekonomik.

Brenda pak javësh, kryeministri Rama ka folur me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Duke u kthyer në retrospektivë, dy ditë më parë, kryeministri Rama zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të  shtetit, Rex Tillerson. Zyrtari më i lartë i politikës së jashtme amerikane i ka dhënë “detyrat e shtëpisë” kreut të qeverisë shqiptare, e nga ana tjetër, Rama ka përfituar për të kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-në në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit, ç’ka është pritur me shumë interes nga kryediplomati amerikan. Ndonëse Tillerson ka shkëputur marrëdhëniet me industrinë e naftës, ai ka mirëpritur idenë e kryeministrit.

Pjesë e axhendës së Ramës ishte edhe Kongresi Botëror i Naftës në Stamboll, ku ai ka qenë i pranishëm. Ai foli qartazi për rezerva të pashfrytëzuara nafte në Shqipëri, projektin e TAP, ndërsa ftoi investitorët që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Kreu i qeverisë tha se me potencialet e pashfrytëzuara, Shqipëria mund të shndërrohet në front i ri të naftës në botë.

“Kemi një rritje të prodhimit të naftës, të blloqeve, gjithashtu të kapacitetit të rafinimit, duke qenë pse pjesa më e madhe e naftës bruto është ajo që kemi dhe çon drejt përmirësimit të sektorit të energjisë. Aktualisht ka shumë për të folur për Shqipërinë dhe për të ardhmen e shkëlqyer, ku ne do të jemi. Pas përfundimit të TAP, shpresojmë se do të jemi një mbështetje për BE-në dhe do ta zgjasim nëpërmjet degës adriatiko-joniane dhe një dege të dytë, Shqipëri-Kosovë-Serbi.

A mund të bëhet Shqipëria një front i ri i naftës? Kemi çdo mundësi, kemi rezerva nafte dhe gazi të pashfrytëzuara. Falenderoj presidentin Erdogan për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë që kemi”, u shpreh Rama.

Sipas tij, industria e naftës, si pjesë kryesore e sektorit energjitik në Shqipëri është shumë e rëndësishme për shkak të një sërë faktorësh, mes të cilëve vendndodhja e Shqipërisë në udhëkryqin mes Lindjes dhe Perëndimit, si një urë e vërtetë lidhëse.

“Strategjia jonë e sektorit të naftës përqendrohet në:

Diversifikimin e burimeve të energjisë së prodhuar nga nafta;

Rritjen e prodhimit të naftës bruto;

Nxjerrjen në ankand të blloqeve të lira të naftës dhe gazit, duke u bazuar në procedura konkurruese;

Rritjen e kapaciteteve rafinuese, pasi shumica e naftës aktualisht eksportohet bruto;

Rritjen e kapaciteteve të magazinimit dhe në ristrukturimin e stacioneve të naftës;

Në harmonizimin dhe integrimin e legjislacionit shqiptar, me legjislacionin europian.

Ne jemi duke studiuar gjithashtu skenarin e privatizimit, apo ristrukturimit të kompanisë shtetërore “Albpetrol”.

Në ditët e sotme ka shumë për të folur për Shqipërinë dhe një të ardhme të mundshme të ndritur, nëse do të mundim të tërheqim partnerë të rëndësishëm, por ndërkohë jemi shumë të inkurajuar nga prezenca e SHELL dhe nga lajmi i fundit se janë gjetur resurse të reja, të pashfrytëzuara, nafte në Shqipëri”.

Pas dyerve të mbyllura, në Stamboll pati dhe takime të “përzemërta”, përveç fjalimeve zyrtare të hapura për mediat. Fotoja ku Erdogan i jep mbështetje Ramës është publikuar nga vetë presidenti turk dhe më pas Rama ia ka “rrëmbyer” për ta publikuar në rrjetin social Facebook. Nën përfundim, presidenti turk Erdogan ka ofruar mbështetjen e pakursyer për kryeministrin Rama dhe qeverinë shqiptare, në projektet ambicioze në sektorin e hidrokarbureve.

Harta me 386 milionë ton naftë rezervë

Nëntoka shqiptare mban 386 milionë ton naftë rezervë. Deri tani është shfrytëzuar 22.3 % ose 50 milionë tonë e pasurisë nëntokësore është shfrytëzuar që nga nisja e industrisë së naftës në Shqipëri.

Pjesa tjetër, rreth 77.7 % mbetet për tu shfrytëzuar. Të dhënat janë bërë publike në një raport të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

“Rezervat gjeologjike të vendburimeve të vendit tonë, vlerësohen rreth 437 milionë ton naftë. Në varësi të natyrës së rezervuarit natyror të vendburimeve të naftës rezulton se në vendburimet ranore janë depozituar 77,7% të rezervave totale gjeologjike.

Deri tani janë nxjerrë rreth 50 milionë ton dhe ndodhen ende në nëntokë edhe rreth 386 milion ton naftë (rezerva gjeologjike). Rezervat e gazit në vendburimet e njohura të gazit natyror e të naftës të vendit tonë llogariten të jenë 3 miliardë e 630 milion m3N.

Ato i përkasin vendburimeve të gazit natyror dhe vendburimeve të naftës e gazokondensatit në trajtën e gazit të tretur në naftë apo të kondensuar dhe të gazit të lirë në kapelet gazore të disa vendburimeve”, thuhet në raport.