Rama-Basha, bashkëfajtorë në “krim”! Ç’po ndodh me kanabisin e votimin elektronik?

Ngritja e çadrës nga ana e PD-së dhe përshkallëzimi i krizës politike, solli edhe një armëpushim taktik mes palëve. Natyra e brendshme “revolucionare” e PD-së, mori rezultatet që kërkonte, e për më tepër ajo rikonfirmoi Bashën si kryetar të partisë pas zgjedhjeve.

Në thelb, marrëveshja garantoi regjistrimin e partive politike të opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit. Votimi elektronik dhe lufta kundër kanabisit ishin 2 ndër 20 pikat e kësaj marrëveshje.

Teksa bëjnë një kthim të retrospektivë, para zgjedhjeve, Basha trumbetonte se krimi ka zaptuar shtetin dhe ekonominë, ndërsa kanabisi ka mbuluar Shqipërinë. Po tashmë çfarë po ndodh?  Çfarë ka ndryshuar gjatë rrugës?

Prej ditësh është servirur ideja se Dritan Demiraj, ministri i Brendshëm teknik i propozuar nga PD-ja, do të jetë pjesë e qeverisë “Rama 2”, duke hedhur kështu idenë e një bashkëqeverisje mes PS-së dhe PD-së.

Brenda së djathtës çdo ditë e më shumë vlojnë zërat se ministri Demiraj mund të mbetet ministër në qeverinë “Rama 2”. Këto aktualisht mbeten në kuadrin e hamendësimeve, por gjithsesi, deputetët dhe jo vetëm, nuk kanë kursyer qëndrimet e tyre, duke u bërë një zë kumbues në vend të Bashës.

Vetë kreu i PD-së ka zgjedhur rrugën e heshtjes, e ndërsa Tritan Shehu e shumë personazhe të tjerë, kanë zgjedhur të buçasin fort, madje edhe ta cilësojë si mjegullnajën e radhës. Me shumë gjasë, këto zëra duket se po testojnë opinionin publik, për lëvizjet që do të ndodhin në shtator.

Një tjetër pikë me rëndësi mbetet votimi dhe numërimi elektronik, i cili ka mbetur pa u realizuar. Para zgjedhjeve, kreu i PD-së u shpreh se votimi elektronik është çështje vullneti. Përplasja e palëve për votimin elektronik, duket si një rrugë pa krye, ku shumëçka flitet, por asgjë nuk bëhet në këtë drejtim.