Shalqi i verdhë? Po, është lloji më i ri në Shqipëri

Tradicionalisht tulin e frutit të shalqinit e kemi ndeshur të kuq, por tashmë duhet të mësohemi edhe me surprizën e re. Hap një shalqi njëlloj të gjelbër nga jashtë dhe brenda të del i verdhë. Deri tani jemi mjaftuar me tulin e flaktë që na ka ngacmuar qiellzën, por kemi harruar një detaj: shalqini i kuq ka një vëlla… atë të verdhin.

Shalqini i verdhë dhe ai i kuq janë të dy prodhime shumë të shijshme. Shalqini tul verdhë i njohur si Krimson i Verdhë është pothuaj binjaku i shalqinit të varietetit Krimson të Ëmbël. Në shije ama, shalqini i verdhë është më i ëmbël dhe ka një shije pakashumë si mjalti.

Dëshira për t’iu përshtatur kërkesave dhe trendeve globale të eksportit u transformua në shtysë e fortë për disa fermerë vendas, të cilët investuan në mbjelljen e disa kulturave eksperimentale për Shqipërinë siç është shalqini i varitetetit Krimson të Verdhë. Ky produkt është shumë i kërkuar në tregjet globale dhe mjaft i suksesshëm. Një sasi e vogël shalqini të verdhë gjen ndonjëherë rrugën për në tregun shqiptar duke shkaktuar pak zhurmë.

Kur presin shalqinin, shqiptarët presin që ai të jetë i kuq. Mund ta quajmë kryeneçësi por nuk ne nuk pranojmë ngjyrë tjetër veç të kuqes. E megjithatë duke qenë se të dy varietetet janë shumë të ngjashme së jashtmi, konsumatorët u kapën në befasi duke qenë se askush nuk i kishte njoftuar për blerjen e tyre të pazakontë.

Fotografi të shalqinit të verdhë shpërndahen si rrufe nëpër rrjetet sociale, duke shkaktuar stuhi të mirëfilltë. Të shumtë janë ata që ngrenë zërin dhe paragjykojnë duke e përshkruar këtë frut të pafaj si subjekt të një modifikimi gjenetik ose edhe mashtrim të lig nga ana e fermerëve.

E vërteta e pamohueshme është që nuk bëhet fjalë as për produkte të modifikuara gjenetikisht as për mashtrime. Bëhet fjalë për një hyrje të re në treg.

Një frut i ri për ne por jo për botën, vlerat e të cilit AgroWeb i ka zbërthyer në materialin e mëposhtëm.

Shalqini i verdhë është një produkt i shëndetshëm por ju duhet të jeni në gjëndje të dalloni ndryshimet në vlera ushqimore mes shalqinit të kuq dhe atij të verdhë. Ky i fundit është një burim i pasur i beta karotenit. Shalqini i kuq është burim i pasur i likopenit.

Të dy këto elementë janë karotenoidë të vitaminës A që gjenden tek bimët. Trupi është në gjendje të transformojë beta karotenin në vitaminë A, por e ka të pamundur me likopenin. Beta karoteni dhe likopeni janë antioksidantë dhe si të tillë, ofrojnë mbrojtje kundër qelizave të dëmshme dhe sëmundjeve të syve.

Shalqini i verdhë është një burim fantastik i vitaminës A dhe asaj C. Me ngrënien e tij, ju do të plotësoni 21 përqind të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C dhe 5 përqind të dozës ditore të kaliumit. Vitamina C që tretet në ujë është e domosdoshme për riparimin e lëkurës dhe enëve të gjakut por edhe të plagëve dhe lëndimeve.

Vitamina A është një vitaminë që ndihmon në tretjen e yndyrnave që ndihmon sistemin imunitar dhe shëndetin e syve. Kaliumi nga ana tjetër është një mineral që ndihmon në akumulimin e proteinave dhe ruajtjes së një ekuilibri acidik në trup.

Shumica e kalorive që gjenden tek shalqini i verdhë vijnë nga karbohidratet që përmban ai. Një filxhan me copëza shalqini të verdhë përmban 12 gramë karbohidrate dhe një gram proteinë. Karbohidratet janë burimi kryesor dhe më i preferuar i organizmit për energji.

Nga 12 gramët e karbohidrateve të mësipërme, 10 gramë vijnë nga sheqernat dhe 1 gram vjen nga fibra. Shumica e karbohidrateve vijnë në formën e sheqerit, por shalqini i vedhë konsiderohet një burim i shëndetshëm karbohidratesh për shkak të fibrave, vitaminave dhe mineraleve që ai përmban.

Nëse jeni në kërkim të mënyrave të reja për të përditësuar sallatën tuaj të preferuar të frutave, atëherë shtoni shalqinin e verdhë. Është shumë më i ëmbël se kundërshtari i tij i kuq, por njësoj lëngplotë dhe i aftë të shuajë etjen më të flaktë.

Shalqinin e verdhë e gjeni me dhe pa fara. Kubikët e verdhë jo vetëm që i japin dritë sallatave të ëmbla, por ushqyesit që gjenden tek ai mbrojnë organizmin tuaj nga sëmundjet.

Diçka tjetër interesante që ia vlen të përmendet është se, nga jashtë shalqini i verdhë duket njësoj si ai i kuqi. Nëse ju pëlqejnë rrengjet blini një të tillë dhe jepjani nënës që ta bëjë gati dhe shijoni habinë e tyre kur presin lëvoren dhe përballen me një frut ngjyrë verdhë aspak tradicional. Ndoshta nuk është për të qeshur, por shalqini i verdhë është padyshim për t’u ngrënë. /AgroWeb.org

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj