SHBA/ Shteti i Virxhinias në gjendje të jashtëzakonshme

Në shtetin amerikan të Virxhinias, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në prag të një marshimi masiv të nacionalistëve të bardhë.

Ndërkohë presidenti Trump e dënoi dhunën në protesta me një koment në Twitter. “Nuk ka vend për këtë lloj dhune”

Disa mijëra persona pritet t’i bashkohen këtij manifestimi “Bashkimi për të Drejtën”, që kundërshton planet për heqjen nga vendi të statujës së një gjenerali të Luftës Civile amerikane që ishte pro skllavërisë.

Protestat filluan mbrëmë në Universitetin e Virxhinias. Ato u bënë të dhunshme dhe e detyruan guvernatorin e shtetit t’i paralajmëronte njerëzit të largohen nga kampusi i Universitetit. Protestuesit mbanin në duar pishtarë dhe thërrisnin “jeta e të bardhëve është e rëndësishme’, një shprehje që të kujton thirrjet në protestat kundër racizimit dhe diskriminimit të afrikano-amerikanëve.

Sipas policisë, të paktën 2 persona janë plagosur.

Forcat e rendit kanë qëlluar gaz lotësjellës ndaj demonstruesve dhe kanë deklaruar se janë kryer disa arrestime pas një njoftimi për mbajtjen e një mitingu të paligjshëm.

Gjendja e jashtëzakonshme po u lejon autoriteteve lokale që të kërkojnë ndihma shtesë në rast nevoje. Kjo, pasi protestuesit e ekstremit të djathtë janë të armatosur dhe të veshur me uniforma milicie dhe mbajnë flamuj të Konfederatës.

Ata janë acaruar nga planet e autoriteteve për lëvizjen e statujës së gjeneralit Robert E Lee, i cili udhëhoqi forcat e Konfederatës në luftën civile amerikane të viteve 1861-65.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj