Shqipëria e 85-ës: lidhje vetëm me Greqinë, Turqinë dhe Vietnamin

Prishja e marrëdhënieve me Kinën do ta bënte thuajse të pashpresë lidhjen e Shqipërisë me vende të tjera.

Një kronikë e botuar një ditë pas vdekjes së Enver Hoxhës në faqet e New York Times sillte agoninë e shtetit shqiptar në izolimin e krijuar nga regjimi komunist, shkruan Konica.al.

Zbutja e marrëdhënieve kinezo-amerikane shkërmoqi miqësinë e Shqipërisë me Kinën, dhe përzemërsia e tyre u kthye në përplasje më 1982”, shkruan artikulli i gazetarit Wolfgang Saxon.

Më pas Shqipëria, vijon shkrimi, ishte përpjekur të vinte kontakte me Greqinë dhe Turqinë, edhe pse trajtimi i qeverisë së Hoxhës ndaj pakicave etnike, veçmas ndaj grekëve, pamundësoi përpjekje të tilla.

“Në të vërtetë, Vietnami mbeti i vetmi shtet me të cilin Shqipëria kishte një lidhje të afërt, ndonëse zor fitimprurëse”.

Saxon shkruan se megjithë synimin e Hoxhës për të modernizuar dhe industrializuar atë që njihej si vendi më i prapambetur në Evropë, udhëtarët nga vendet më të zhvilluara pikasnin se Tirana me rrugët e kalldrëmta dhe qarkullimin e rrallë të automjeteve, kishte një frymë thuajse të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Gazetari i New York Times po ashtu vëren se pakicat etnike, veçanarisht grekët, ishin shtrënguar të ndryshonin emrat që tingëllonin si grekë.

“Vetëm tash së voni, sipas disa vizitorëve, mësimi në greqisht ishte lejuar në disa shkolla sapo Shqipëria nisi të ecte drejt një politike më të hapur kundrejt Greqisë”.