Sistemi TIMS/ Policia, gati investimin 41. 6 milionë lekë

Përmirësimi i sistemimit TIMS është investimi i radhës nga Policia e Shtetit.  Fondi i vënë në dispozicion për të zgjeruar dhe përmirësuar kapacitetet e sistemit të manaxhimit ndërkombëtar të hyrje-daljeve të shtetasve, TIMS është 41,6 milionë lekë. Procedurat e tenderit janë hapur dhe afati për aplikime është deri në  4 shtator 2017. Pas mbyllës së tenderit nga kompanitë e kualifikuara, do të përzgjidhet fituese ajo e cila do të ketë bërë ofertën më të ulët dhe do të ketë 12 javë kohë për të ekzekutuar projektin, pra për të bërë instalimin dhe vënien në funksion të serverëve që do të vendosen në mjediset e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kontrata

Kontrata që do të nënshkruhet me Policisë së Shtetit dhe kompanisë fituese do të ketë një afat 1-vjeçar, ndërsa financimi do të jetë dy-vjeçar, ku për vitin 2017 do të jetë në dispozicion një fond maksimal prej 12.5 milionë lekësh, ndërsa pjesa tjetër prej 29.16 milionë lekësh do të jepen në vitin 2018.

Policia e konsideron gjendjen aktuale të infrastrukturës së serverëve si kritike për arsyet e mëposhtme:

Pajisje në prag amortizimi për përballimin e ngarkesës gjithnjë e në rritje

Numër i lartë transaksionesh për t’u procesuar në njësinë e kohës

Numër i lartë përdoruesish që shfrytezojnë këto aplikacione

Trafik i lartë veprimesh në periudha sezoni të cilat shkaktojnë ngarkesë në të gjitha pikat e kalimit kufitar (ajror, tokësor, detar)

Në të shkuarën, ngarkesat prej fluksit të madh të qytetarëve që kalojnë kufirin kanë shkaktuar bllokime të sistemit, duke krijuar radhë dhe pakënaqësi.