Gjon Kamsi, studiuesi shqiptar që ktheu pas dekretin e mëkëmësit të Musolinit

Gjon Kamsi u lind në Shkodër më 30 prill të vitit 1905. Pasi kreu në vitin 1905 shkollën fillore në Shkodër, në 1913 shkollën tregtare italiane dhe në vitin 1922 Institutin e Lartë për Ekonomi e Tregti në Bari të Italisë, mori pjesë në mënyrë aktive në ngjarjet politike e atdhetare të Shqipërisë.

Ishte bashkëpunëtor i shtypit kombëtar brenda dhe jashtë Shqipërsië si dhe anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Huaj në Itali. Njëherazi ishte i akredituar edhe pranë Fiera del Levante (Panairi i Lindjes) në Bari të Italisë që nga themelimi i saj në vitin 1930.

Artikullin e parë e ka botuar në gazetën e Shkodrës “Posta e Shqypnis” në vitin 1917 dhe ka vijuar bashkëpunimin me gazeta të qytetit deri në vitin 1944 kur botoi në “Bashkimi i Kombit”.

Kontributi i tij ka qenë i orientuar kryesisht drejt trajtimit të disa problemeve me karakter të ndryshëm. Kështu, artikujt e tij i përkisnin fushës së studimit të ekonomisë, si dhe proklamimit të vlerave shoqërore. Gjithashtu shkroi edhe për kulturën e letërsinë shqipe.

Ndër punët e tij më të vlerësuara janë disa artikuj me përmbajtje ekonomike, të botuara në vitet ‘30 në “Vullneti i Popullit” dhe “Hylli i Dritës” ose në ndonjë organ tjetër të shtypit, jo shumë të njohur.

Në gazetën “Shqipëria e Re” me qendër në Konstancë botoi të parën biografi të plotë të mikut, atdhetarit dhe firmëtarit të Pavarësisë, Luigj Gurakuqit. Gurakuqi ishte edhe kumbar në dasmën e Gjonit.

Luigj Gurakuqi, miku i Gjon Kamsit

Pas vrasjes së tij nga Zogu, Angjelin Suma i dha Gjonit rrobat e përgjakura të Gurakuqit, të cilat ai do t’i dhuronte thuajse 40 vjet më vonë në muzeun që do të hapej pranë shtëpisë së Gruqakuqit, në Shkodër. Muzeu nuk do të kishte jetëgjatësi, pasi me ardhjen e demokracisë, godina do të privatizohej e muzeu do të mbyllej.

Shtëpia e Luigj Gurakuqit

Bashkëpunoi edhe me revista e gazeta të tjera ku shkroi pikat kyçe të historisë së Shqipërisë. Këto gazeta ishin:

Mbrotja Komëtare

Melesini me qendër në SHBA

Telegraf

Ora

Leka

Bota e re

Bashkimi i Kombit

Duke qenë se veprimtaria e tij botuese ishte shumë e gjallë, mund të ketë bashkëpunuar edhe me revista e gazeta ku mund të ketë shkruar artikuj që nuk janë bërë të njohur akoma.

Ka përdorur disa pseudonime si Dr. Veritas dhe Scodrensi, por më i njohur ishte pseudonimi që vinte nga bashkimi i gërmave të emrit të tij me një I në mes “GJIKAM”.

Ishte autor i një libri të vogël me titull “Albania” që u botua në italisht dhe ndihmoi në njohjen e Shqipërisë nga ndërkombëtarët. Më 1934 libri u ribotua nga Shoqata Adriatike e Lundrimit dhe iu bashkangjit edhe një hartë. Për fare pak kohë, as në Shqipëri, as në Itali nuk gjendej asnjë kopje e tij.

Në 1940 u kthye në Shqipëri duke u caktuar nga pushtimi italian si anëtar i Këshillit Kontrollues, falë njohurive të tij në fushën e ekonomisë. Ishte besnik i idealeve dhe i ligjit, aq sa një herë arriti të kthente prapa një dekret të Mëkëmbësit të Mbretit të Italisë në Shqipëri, Jacamoni, sepse, sipas Kamsit, binte ndesh me ligjin.

Kur u vendos komunizmi në vittin 1944, ai gjendej në Tiranë, nga ku u dëbua dhe u kthye në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Falë këmbënguljes së tij, arriti të shpëtonte Varrezat Katolike të Rrmajit që sot janë “Monument Kulture”. Gjatë kësaj periudhe punoi shumë dhe la shkrime që akoma edhe sot presin dritën e botimit.

Ai diti të ruante me dinjitet karakterin e tij të fortë e të papërkulur duke i bërë një rezistencë të vazhdueshme e këmbëngulëse rregjimit komunist.

Ndërroi jetë në Shkodër me 7 mars të vitit 1992 në moshën 97 vjeçare, një muaj para ditëlindes së tij të 98, dhe la pas pinjollin e denjë për të vazhduar punën e tij në lëmet e kulturës, artit e historisë, të birin Willi Kamsi.