Superkupa e Italisë: Strakosha titullar, Juventus favorit

Edhe pse ndeshja do të luhet në “Olimpico” të Romës, stadium ku luan ndeshjet Lazio, Juventus është favorit për të fituar takimin e sotëm të Superkupës, për trë ngritur lart një tjetër trofe. Ndeshja do të startojë në orën 20:45, të paktën pjesa e parë nuk do të jetë e sfumuar, sepse më pas luhet “El Clasico”.

Faza përgatitore e Lazio-s ka shkuar shumë mirë. Bardhekaltrit kanë fituar katër ndeshje, duke mundur Triestinën dhe Spal në fillim, por edhe Bayer Leverkusen dhe Malaga. Në këtë sezon, Lazio do të luftojë për një pozicionim në vendet që sigurojnë kualifikimin në Europë League. Portieri Strakosha do ta nisë titullar këtë ndeshje.

Në krahun tjetër, Juventus humbi miqësoren me Tottenham dhe Giorgio Chiellini ka thënë  se humbja e pësuar në Londër ishte goditja që i duhej ekipit për t’u zgjuar. Fitorja e trofeut do të ishte një konfirmim i dominimit bardhezi në Itali dhe do t’i ndihmonte torinezët të harronin shijen e hidhur të lënë nga humbja në finalen e Champions League.

Juventus ka fituar shtatë ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Lazio-s. Hera e fundit që Lazio ka fituar kundër bardhezinjve ka qenë në 2013-ën, kur Floccari ka realizuar në minutën e 93-të të ndeshjes, duke i siguruar ekipit të tij një vend në finalen e Kupës së Italisë.

Formacionet e mundshme

Juventus (4-2-3-1): Buffon, Lichtsteiner, Barzagli, Chiellini, A.Sandro, Pjaniç, Khedira, Douglas Costa, Dybala, Mandzukiç, Higuain.

Lazio (3-5-2): Strakosha, Wallace, De Vrji, Radu, Basta, Parolo, L. Leiva, M. Saviç, Luliç, Keita, Immobile.