Terrori komunist në Veri. Betejat e lavdishme të mirditorëve

Përplasja e parë e organizuar e partizanëve me forcat kundërshtare ndodhi që në fillim të dhjetorit të vitit 1944 me forcat antikomuniste të drejtuara nga Mark Gjomarku e Halil Alia. Që në përplasjen e parë në qytetin e Shkodrës, në nëntor 1944 forcat antikomuniste u detyruan të dilnin nga qyteti dhe të tërhiqeshin për t’u mbrojtur dhe për t’u organizuar në thellësi të malësive dhe për të kundërsulmuar në mënyrë të organizuar Shkodrën. Në përbërje të njësive luftarake të Mark Gjomarkut ishin mbi 2000 forca.

“Dr. Mark Gjomarkaj e dinte fort mirë se fitorja e nacionalistëve ishte 99% e bjerrme, por kishte vendos me i ndenj besnik popullit të vet shqiptar dhe me vdekë bashkë me të në malet e Mirditës. Këtë rrugë ndoqi dhe i vëllai i tij Lleshi dhe u betuen në Shkodër, nën prezencën e 2000 burrave o vdekje o liri bashkë me popullin shqiptar. Mark Gjomarku me forcat, tue qenë se ishin të bllokuem në Shkodër, nga të katër anët prej komunistave dhe nga ana e Drinit kishin pengesa të pakalueshme për të shkue në Mirditë, ku shpresonte të organizohej dhe të fillonte një kundërsulm mbi forcat komuniste, iu desh me marrë një tjetër rrugë të gjatë e të damshme për me mbërrit në vend.

Më dt 26 nëntor 1944 u nis me dalë prej qytetit të Shkodrës dhe u prit si burrat e motit 1500 burrave vullnetarë prej të gjitha krahinave të Shqipërisë që kishin hy nën komandën e tij për të përshku rrugën tue ça gjithkund me luftë prej:Koplik, Bogë, Theth, Shalë, Dukagjin, Nikaj, Mërtur, Geg-Hysen, Has i thatë, Kukës e për të arrijtë ma vonë në Mirditë.

Gjatë tërheqjes u ndalën disa ditë në Rajë të Lekbibajt dhe në disa fshatra të Drinit të Pukës, deri në Has e Krumë. Gjatë rrugës kërkohej mobilizimi i djemve e burrave për të penguar me armë vendosjen e pushtetit komunist në vend. Betejat në dy anët e Drinit sollën shumë të vrarë e të plëgosur nga të dyja palët. Në një nga këto beteja vritet dhe Halil Alia vetë i pestë.

Po cilat ishin betejat e përgjskshme që hynë në histori:

-Më 7 dhjetor forcat e Mark Gjomarkut bien në luftë me brigadën VII në Gegësysen e Rajë, ku pozicioni luftarak favorizonte komunistët.

-Më 15 dhjetor 1944, Forcat e Mark Gjomarkut u ndeshën në luftë me komunistët e brigadave të tjera të ardhura nga Gjakova, Prizreni dhe Kukësi. Lufta u bë në Has të Thatë. Ushtria e Gjon Markut ndër ato luftra pati shumë humbje….komunistët patën humbje të dyfishta, por i zëvëndësonin të vramit me partizanët vendas.

Më 25 dhjetor 1944, komunistët sulmojnë ushtrinë e Mark Gjomarkut në katundet e Lumes. Aty vriten Halil Alia, Sefedin Biçaku e disa të tjerë.

-Më 28 dhjetor 1944 Mark Gjomarku tue pa se lufta nuk mund të vazhdonte më si luftë frontale me komunistët që kishin një mobilizim disa herë më të madh, tue pa se ushtria e vet ishte në shkatërrim, e lodhun nga lufta, e mbetur pa ushqime e municione, stina e dimrit kishte fillue e ftohtë, e lumi I Drinit të Zi ishte bërë I pakalueshëm, atëherë mblodhi ushtrinë e mbetur dhe u kallëzon se luftën nuk mund ta vazhdonte kështu siç ishin të grumbulluem, por do përpiqemi që këtë luftë ta organizojmë në luftë çetash…ku secili prej nesh mund të japë kontributin në vendin e tij ku njihet personalisht…ata që e ndiejnë veten të pafajshëm të shkojnë të dorëzohen në Kukës.

Kolones Osman Gazepi, si burrë guximtar por me moshë të vjetër dhe i lodhur tepër, u prini shumicës dhe u dorëzua në Kukës. Mark Gjomarku ra dakord me ata që nuk dorëzohen që deri në qershor të formojnë çeta.

Më pas Alush Leshanaku u prini disa elbasanasve e jugorëve për tu vendosur në Dibër, Martanesh, Elbasan.

Mark Gjomarku, mbasi u shpërndanë forcat e tij nëpër vendet e tyne, me vëllain e vet dhe me disa mirditas kaloi Drinin e Zi dhe me kallnduer 1945 mbërriti në Mirditë.

Këtu menjëherë u vu në kontakt me burra të tjerë të armatosur në malet e Mirditës e të Kthjellës për liri kundër komunizmit. Kështu u formuan shumë çeta në Orosh me komandant Bardhok Marka Gjoka, në Kuzhnen me Ndue Bajraktarin, në Fanë me në krye Gjon Gjetë Vokrri, në Spaç me në krye Marka Jak Bajraktarin e në disa fshatra të tjerë.

U përgatit kështu terreni për qëndresë në gjithë Mirditën:në Kthjellë por dhe në Lurë, Rec, Grykë-Nokë, Selitë, Mat, Kurbin e Lezhë etj.

Kjo situatë luftarake zhvillohej vetëm disa ditë pas përleshjeve të nacionalistëve të Lumës me forcat partizane të Divizionit V, për shkak të provokimeve të qëllimshme dhe të pabesisë së këtyre të fundit, kur luftonin së bashku kundër nazistëve gjermanë. Në krye të këtyre forcave qe nacionalisti me famë i asaj kohe Muharrem Bajraktari. Nga të dyja palët mbetën dhjetëra të vrarë e të plagosur. Ndërkohë Jup Kazazi, Hasan Isufi e Dedë Shabani drejtonin rezistencën nga Shëngjini, mali Kolaj, Postribë e deri në Reç.

Qëndresa më luftarake në fund të dhjetorit 1944-janar 1945 kundër operacioneve pushtuese dhe vendosjes së pushtetit komunist, bëhej në territoret e Malësisë së Madhe të udhëhequra nga Llesh Marashi e Prek Cali.

Beteja të ashpra u zhvilluan në luginën e Cemit, pranë Tamarës ku forcat partizane pësuan shumë humbje. Ndërsa më 22 janar 1945 kur Dedë Shabani e Hasan Isufi u goditën e pësuan disfatë gjatë lëvizjes nga Lezha për të sulmuar Shkodrën, njësitë luftarake të komanduara prej Llesh Marashit në Bajzë të Kastratit përplasen furishëm me njësitë partizane. Këtu u vra dhe komandanti partizan ndërsa njësitë partizane të sulmuara nga të gjitha anët prej popullit u tërhoqën shpejt. Forcat partizane të brigadës XXIV-S, të ndodhura në panik lëshuan edhe Koplikun.

Megjithatë rigrupimi i forcave partizane i bëri ballë inkursionit të forcave antikomuniste drejt Shkodrës. Më 23 janar disa kompani partizane u ndeshën tek ura e Rrjollit duke u shkaktuar humbje këtyre forcave dhe duke i zmbrapsur ato. Kështu Llesh Marashi, përballë forcave të shumta partizane u detyrua të linte Koplikun dhe të tërhiqej në thellësi të maleve në Kelmend për t’u organizuar dhe për të rivepruar sërish. Në krye të rezistencës kaloi bajraktari Prenk Cali, i cili kishte dhënë një kontribut të pazëvëndësueshëm në mbrojtjen e kufijve në veri të Shqipërisë.

Në një situatë të tillë të vendit, kur forcat antikomuniste, megjithëse jo të kordinuara mirë, po i rezistonin me sukses njësive luftarake partizane, më 21 janar 1945 doli urdhri nga komanda e Korporatës së III që kishte 6 brigada dhe që luftonin kundër nazi-fashizmit dhe që çlironin viset e ish Jugosllavisë të luftonin dhe të nënshtronin shqiptarët, trevat e të cilës nuk pranonin vendosjen e pushtetit komunist.