Timotei Korel – amerikani që punon vullnetarisht në Këlcyrë

Prej gati një viti ai është është bërë pjesë e procesit të mësimdhënies apo veprimtarive të ndryshme komunitare në qytetin e Këlcyrës. I riu amerikan Timotei Korel po punon si vullnetar duke dhënë kontributin e tij për komunitetin e këtushëm. Në këto ditë vere, nën kujdesin e tij, porsa është mbyllur organizimi i kampit veror për fëmijë. “Kam gati një vit që qëndroj në Këlcyrë dhe e ndiej veten gjithmonë e më shumë të lidhur me këtë qytet”, shprehet i riu amerikan, ndërsa shton se tashmë banorët e thërrasin me një emër të shqiptarizuar, thjesht Timo. Ai ka përfunduar studimet për mësuesi në universitetin e Ohajos dhe ka punuar në këtë profesion në Kinë. Në qytetin e Këlcyrës, Timotei punon vullnetarisht si mësues i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Kamber Bënja” dhe në gjimnazin “Sejfulla Malëshova”. “Për mua është diçka e veçantë t’iu mësoj gjuhën angleze fëmijëve dhe të rinjve. Me pëlqen kur ata pasi mësojnë fjalët e para në anglisht fillojnë të formojnë fjali dhe më pas të komunikojnë lirshëm”, pohon emocionet e punës si mësues i riu nga SHBA-ja. Me shkumësin e mësuesit në duar ai iu ka shpjeguar nxënësve gjuhën angleze, duke patur mirënjohjen dhe respektin e tyre. “Ka patur raste kur mësimi me nxënësit e klasave të ulta me ka lodhur disi, por pas disa minutash çlodhjeje kam rinisur të shkruaj në dërrasën e zezë mësimin e radhës. Ndihem i kënaqur nga puna si mësues kur në përfundim të orës së mësimit nxënësit shqiptojnë fjalët e mësuara në anglisht”, shprehet Timotei.  Shpjegimi i veçantë i mësimit prej tij ka bërë që mësuesi vullnetar nga SHBA-ja të fitojë edhe respektin e mësuesve të tjerë të këtyre shkollave. “Timoja është i palodhur gjatë shpjegimit të mësimit. Është me të vërtetë e veçantë që ky i ri amerikan punon me pasion si vullnetar në shkollat e qytetit tonë”, shprehen kolegët e tij mësues në Këlcyrë. Por puna si vullnetar e Timoteit nuk përfundon vetëm në klasën e mësimit. Ai është i angazhuar edhe në aktivitete komunitare të të rinjve në Këlcyrë. Me ndihmën e tij, një grup të rinjsh janë përfshirë në disa konkurse kombëtare në kuadër të projekteve të Bashkimit Evropian. “Në këto ditë vere, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, po punoj edhe për zbatimin e një projekti për rehabilitimin e një pjese të mjediseve të brendshme të shkollës së mesme të Këlcyrës. Shpresoj që me nisjen e vitit të ri mësimor gjithçka të jetë gati për nxënësit”, thotë vullnetari nga SHBA-ja.

 

 

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj