Urrejtja mes shqiptarëve dhe osmanëve, rrëfimi i një gjenerali

Si e shihnin shqiptarët dhe turqit njëri-tjetrin në kohën e Perandorisë Osmane? Një palë përgjigjet se historia e marrëdhënieve mes dy popujve ishte një paqe e pamundur; një pakicë thotë që gjithçka ecte vaj mes mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.

Por, një perspektivë e re mësohet prej atyre që depërtuan në rangje më të larta të administratës dhe ushtrisë osmane, shkruan Konica.al.

Përvoja e tyre në një mjedis osman kishte krijuar sakaq një antipati jo lehtë të tejkalueshme.

Personazhi i këtij shkrimi është Vehib Pasha, një janiniot i lindur në vitin 1877.

Me prejardhje nga një prej familjeve më të shquara shqiptare të Janines, Vehibi bashkë me vëllain e tij më të madh Mehmet Esatin bënë emër gjatë udhëheqjes së korpusit ushtarak të Janinës në luftë kundër ushtrisë greke që mësyu në fund të vitit 1912.

Njësoj si vëllai i tij më i madh që bëri emër në luftën e Galipolit, edhe Vehibi shkëlqeu me aftësitë e tij komanduese në ushtrinë etiopiane në luftën italo-abisiane.

I njohur për përçmimin e tij të hapur ndaj Mustafa Qemalit (Ataturkut të ardhshëm), Vehibi pjesën më të madhe të jetës do ta shkonte në Evropë dhe Egjipt.

Një ilustrim i luftës për Janinën ka skalitur momentin kur Vehibi në emër të korpusit ushtarak osman e dorëzon qytetin në dorën e grekëve.

Madje, me vëllain e tij Mehmet Esat Pashën nuk kishin mirëpritur aspak urdhrin e Ismail Qemalit që të valëvitej flamuri kuqezi në kështjellën e Janinës.

Sidoqoftë, Vehibi gjatë tërë jetës së tij ruante një sëmbim të fortë ndaj turqve.

Në memoaret e tij ndeshim edhe këtë dromcë:

«Isha komandant në frontin e Kaukazit për një vit e gjysmë. Kam hetuar dhe mësuar për kaukazianët. Ju kaukazianët e doni pastërtinë si ne shqiptarët. Nuk do t’i lë këtë turq të ndyrë të hyjnë në Kaukaz, sidomos jo me këto guna».

«Ben bir buçuk yıldır Kafkas cephesi kumandanıyım. Kafkasyalıları tetkik ettim öğrendim. Siz Kafkasyalılar da, biz Arnavutlar gibi temizliği seviyorsunuz. Bu pis Türk neferlerini, hem de bu kılıkta Kafkasya’ya sokamam».

Burimi: Naki Keykurun, Azerbaycan istiklâl mücadelesinin hatıraları, Azerbaycan Gençlik Derneği, 1964, f.64

©Salih Mehmeti/Konica.al 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj