Willi Kamsi, njeriu që dymbëdhjetëfishoi numrin e librave në Bibliotekën e Shkodrës

Willi Kamsi

Në dhjetorin e vitit 1926, në Bari të Italisë do të lindte një ndër pasardhësit më të denjë të familjes së Engjëllorëve të Drishtit, familje nga ku lindi edhe autori i të parit dokument në gjuhën shqipe, Pal Engjëlli. Ky djalë i porsalindur, pagëzohet nga i ati, studiuesi i njohur Gjon Kamsi me emrin Willi, emër që do të ishte problem për të në vitet e komunizmit, kur detyrohet ta ndërrojë në Vili, për t’i rikthyer origjinalitetin vetëm me rrëzimin e rregjimit.

Pasi përfundoi arsimin fillor dhe të mesëm në qytetin e lindjes pranë “Institutit Di cagno Abbrescia”, bashkë me familjen u kthye në Shqipëri në vitin 1943.

Ishte akoma student, kur në vitin 1944, nën drejtimin e profesorit të tij Filip Fishta, filloi një punë të përkohshme në Bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë.

Me kërkesë të familjes që të arsimohej edhe në gjuhën shqipe, në vitin 1948 përfundoi për herë të dytë në jetën e tij, por për herë të parë në gjuhën shqipe, gjimnazin.

Me konsolidimin e pushtetit komunist, në vitin 1953 edhe familja Kamsi u dëbua nga Tirana dhe u vendos në Shkodër, njëlloj si pjesa më e madhe e familjeve shkodrane me banim në kryeqytet.

Kur erdhi në Shkdodër, Willi Kamsi shfaqi një pasion të madh për punën në bibliotekë. Duke mos gjetur një vend vakant për të, fillimisht punoi si vullnetar pranë bibliotekës së qytetit. Por rregjimi kishte vendosur të vinte në provë durimin dhe pasionin e tij për bibliotekat, kështu nuk e lejoi të vazhdonte punën vullnetare, por e caktoi si punonjës në Zyrën Teknike të Bashkisë së Shkodrës, punë të cilën e bëri deri në vitin 1963.

Në vitin 1963, kur pasioni i tij për bibliotekat nuk ishte shuar, por ishte rritur ndjeshëm, Willi Kamsi emërohet si përgjegjës i Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Këtë detyrë e mbajti për plot 27 vite, duke bërë një punë të palodhshme dhe të paharrueshme në atë institucion.

Kur u emërua përgjegjës, fondi i bibliotekës kishte vetëm 10000 libra, ndërsa kur Willi u largua nga ai post, la pas 120000 libra dhe bashkë me to, edhe fondin albano-ballkanologjik, i cili sot është më i pasuri në Shqipëri pas atij të Bibliotekës Kombëtare.

Dymbëdhjetëfishimi i librave u arrit nga fondet që Ministria e Kulturës i caktonte, të ciat ai i përdori në mënyrën më të mirë të mundshme duke blerë libra nga familjet e mëdha katolike të qytetit, të cilat ishin gjithnjë të rrezikuara nga komunizmi.

Pasi rregjimi ra, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dr. Sali Berisha lëshoi një dekret me anë të të cilit Willi Kamsi emërohet “Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Vatikan” duke u bërë i pari ambasador i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, e cila deri para atij momenti nuk kishte pasur asnjëherë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.

Willi Kamsi duke i dorëzuar letrat kredenciale Papa Gjon Palit II

Tri ditë para vizitës historike që Papa Gjon Pali II bëri në Shqipëri, me datë 22 prill të vitit 1993, Willi i paraqet Atit të Shenjtë letrat kredenciale. Detyrën e ambasadorit e mbajti deri në dhjetorin e vitit 1996.

Willi u martua asnjëherë, por jetoi me të motrën, Mila Kamsi e cila dha për Konica.al të gjithë dokumentet që tregojnë jetën e Willit e na bëjnë të kuptojmë rëndësinë e dinastisë Kamsi. As ajo nuk u martua asnjëherë, por bashkë me të vëllain ia kushtuan jetën studimeve në fushën e albanologjisë dhe në atë të historisë.

Që në moshë të re, Willi u mor me studime të karakterit albanologjik. Në vitet 1960-1961 ishte drejtues i grupit të restaurimit të Kalasë Mesjetare të Shkodrës. Ka marrë pjesë aktive në kërkimet arkeologjike dhe në studimet e monumenteve dhe ka përpiluar studime të hollësishme, të cilat, pasi janë paraqitur në simpoziume e konferenca, janë botuar edhe në revista e gazeta të ndryshme të Shkodrës e të Tiranës.

Ishte përkthyes i zoti nga italishtja, frëngjishtja dhe anglishtja. Këtë aftësi e vuri në dispozicion të njohjes së shqiptarëve me albanologjinë, së cilës i dha në shqip “Gjurmime mbi tesktet e vjetra shqipe” të M. Roques dhe “Fjalori i Frang Bardhit”. Nga Ernesto Cozzi përktheu tre studime në lidhje me fiset shqiptare, gjakmarrjen dhe gruan shqiptare, ndërsa prej Gorrit T. A. Goslinga, “Holandezët në Shqipëri”.

Kontributi që ai dha pranë Selisë së Shenjtë dhe imazhi që krijoi gjatë shërbimit pesëvjeçar aty, e ktheu atë në një figurë të rëndësishme në simpoziumet e Vatikanit. Mori pjesë në Simpoziumin e dytë parasinodial të vitit 1999 dhe, pas fjalës së mbajtur aty, u ftua në Universitetin e Napolit, ku paraqiti kumtesën me titull “Thirrja e krishtenë dhe europjane e Gjergj Kastriot Skanderbegut”.

Para se të ndërronte jetë, ngriti pranë Institutit Teologjik dhe Filozofik bibliotekën “Atë Zef Valentini” si pasardhëse të denjë të Bibliotekës së Jezuitëve që shkëlqente në kurorën e kulturës shkodrane para se të grabitej e dhunohej nga komunistët.

Ndërroi jetë, mëngjesin e datës 24 janar të këtij viti, në moshën 91 vjeçare duke lënë pas jo vetëm një pasuri në fushën e studimit të albanologjisë, por edhe një sërë dorëshkrimesh me studime të jashtëzakonshme që presin të botohen.

Para vdekjes ka marrë tri dekorata:

  1. “Naim Frashëri” me motivacionin “Për merita në punë në fushën bibliotekare”, dhënë në vitin 1987.
  2. “Kalorës i Kryqit të Madh të Urdhnit të Shën Gregorit të Madh” e cila i është dhënë nga Papa Gjon Pali II pasi kishte kaluar dy vite në shërbimin e tij diplomatik.
  3. “Kalorës i Urdhnit të Hyllit të Solidaritetit Italian” e cila i është dhënë nga Presidenti i Republikës së Italisë Carlo Azeglia Ciampi në vitin 2005.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj