Zhak Shirak, presidenti francez që përkrahu ndërhyrjen kundër Serbisë

Ish-presidenti francez Zhak Shirak kishte qenë njëri nga zërat më përkrahës të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Derisa në skenën politike në Francë kishte simpati të konsiderueshme ndaj Serbisë dhe Millosheviçit, Shirak konsideronte se shteti francez duhet të luante një rol proaktiv brenda Aleancës Veriatlantike, shkruan Konica.al.

Disa kritikë të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë mendojnë se presidenti francez ngulmonte për një rol më të madh të shtetit të tij si kundërpeshë ndaj ‘hegjemonisë amerikane’ në Aleancë.

Sidoqoftë, ai nuk mëdyshej se ndërhyrja në Kosovë ishte gjëja e duhur.

Gjendja humanitare përfaqëson një terren që mund të përligj një përjashtim nga rregulli…Franca nuk do të ngurrojë t’u bashkohet atyre që duan të ndërhyjnë me qëllim të dhënies së ndihmës për ata që janë në rrezik”, kishte thënë Shirak.

Se presidenti francez kishte një interesim të vazhdueshëm për gjithçka ndodhte në Kosovë dëshmohet edhe nga takimi i tij me homologun e tij shqiptar, Rexhep Mejdani në Paris.

Portali Konica.al ka siguruar transkriptën e plotë të një adresimi të ish-kryeministrit francez Lionel Jospin në Asamblenë Kombëtare të Francës më 23 mars 1999.

Nga ky fjalim mësojmë se Parisi zyrtar kishte ofruar ndihma ekonomike jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e prekura nga konflikti si Shqipëria dhe Maqedonia.

Përveç kësaj, mbi 10 mijë familje në Francë ishin paraqitur vullnetare për të pranuar refugjatë nga Kosova.

Burimi: Heike Krieger, The Kosovo Conflict and International Law: An Analytical Documentation 1974-1999, ff.392-98;

Michael F, Harsch, The Power of Dependence: NATO-UN Cooperation in Crisis Management, 2015, f.67.