11 shtator 2001; 16 vite më pas (Foto/Video)

Më shumë se 3000 njerëz gjetën vdekjen në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork më 11 shtator të vitit 2001, në sulmin më të rëndë terrorist në historinë botërore. Në orën 08:46 të mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar një zjarr të fuqishëm.

Pothuajse 17 minuta më vonë, në orën 09:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset në katet e fundme të kullës jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.

Veçse pak kilometra jashtë Uashingtonit, në orën 09.37 minuta, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten apo plagosen.

Në orën lokale 10:05 të mëngjesit, kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e Nju Jorkut.

Një tjetër aeroplan i rrëmbyer i “United Airlines” me numër 93, – pa ditur drejtimin e saktë, – rrëzohet në shtetin e Pensilvanisë në orën 10.10, ndërsa pak minuta më vonë në orën 10.28, rrëzohet edhe kulla e dytë; kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë.

Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut nuk janë më! Sipas të dhënave të para, në sulmin e 11 shtatorit 2001, humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Viktimat në kullat binjake ishin 2.752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë.

Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë, të 70 kombësive të ndryshme.

Tre shqiptarët heronj

Ndërmjet tyre ishin edhe tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Në një speciale të realizuar ditën e djeshme nga “Bota sot”, përmenden historitë e tre shqiptarëtve Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia, 60-vjeçar, i cili punonte në njërën prej kullave binjake, ku pastronte xhamat nga jashtë. Simon Dedvukaj, një shqiptar nga Malësia, 26-vjeçar, që punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si dhe Mon Gjonbalaj, një shqiptar nga Vuthaj, 65-vjeç, që punonte prej 30 vitesh si portier, në njërën prej kullave

binjake.

Simon Dedvukaj, ishte më i riu nga të tre shqiptarët që humbën jetën në Manhatan. 26-vjeçari ishte përgjegjës i punonjësve së mirëmbajtjes së Kullave Binjake, i porsamartuar me Elizabetën nga Shqipëria, me shpresa të mëdha për jetën e familjen…

Marashi, i ati i Simonit, shpjegon se “për prindërit dhimbja e humbjes së fëmijës është shumë e rëndë dhe nuk shërohet kurrë”. Marashi thotë se “të tria familjet shqiptare që kanë humbur pjesëtarë të tyre do të shkojnë në vendin e Kullave Binjake në këtë përvjetor për t’i përkujtuar ata”. Por zëri i Marashit merr tjetër ton, kur ai flet për fondacionin e ngritur për nder të të birit.

“Fondacioni Simon M. Dedvukaj”, me qendër në Nju Jork synon të ndihmojë të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Amerikë të ruajnë kulturën, historinë dhe besimet e ndryshme fetare shqiptare. Fondacioni jep bursa për nxënësit e gjashtë shkollave të mesme në Nju Jork përmes fondeve të mbledhura nga individë të ndryshëm që kontribuojnë në këtë fondacion. Familja e Simonit synon që fondacioni të kontribuojë në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri për të bërë zgjedhjen e duhur në jetë, për t’i shërbyer jo vetëm vetes, por edhe familjeve dhe komunitetit ku ata jetojnë.

Rrok Camaj ishte në katin e 105-të kur i telefonoi të birit, Vincent, për t’i dhënë lamtumirën dhe për t’i thënë se tani ai do të ishte në duart e zotit. Kujtimi i Rrokut është mbajtur gjallë edhe përmes shumë mesazheve të vendosura në një faqe të posaçme interneti.

Të tria familjet shqiptare shkëmbejnë mesazhe, jo vetëm në çdo 11 shtator, por edhe për festa e gëzime, duke vështruar përpara, me shpresë e jo vetëm dhimbje.

Një mesazh kujton ditën kur në gusht 2001, Rroku së bashku me katër vëllezërit e tij ishin takuar pas shumë vitesh. Ndarja për t’u kthyer në Nju Jork ishte e vështirë dhe do të kthehej në dhimbje pas sulmit të 11 shtatorit.

Për hartuesin e mesazhit vdekja e Rrokut u kthye në një mësim të dashurisë për njerëzit, për familjen dhe shokët. “Përqafoji të afërmit e tu, njësoj sikur nuk do t’i takosh përsëri më vonë, se nuk i dihet nëse do t’i shohësh më të nesërmen”, thuhet në mesazh.

Mon Gjonbalaj, e donte shumë punën dhe refuzonte të dilte në pension, megjithëse e kishte mbushur moshën. Në telefonatën e fundit nga kati i 86-të i kullës binjake, do të i bënte thirrje familjes “të qëndrojnë bashkë, se ai po “shkonte” për në amshim”.

Amaneti i tij ishte që fëmijët e tij të bëheshin të fortë dhe ta mbanin familjen të lidhur ngushtë. Familja për të ishte gjëja më e çmuar. Salë Gjonbalaj, i biri, na thotë se “edhe pse kanë kaluar kaq vjet, babai i tij është i gjallë në kujtesën e tij dhe të familjes”.

Më të dhimbshme bëhen këto kujtime kur ai shikon në televizion lajmet që lidhen me terrorizmin. Por Sala shton se, “familja e ka përballuar dhimbjen dhe ka mbetur e fortë, siç e dëshironte Mon Gjonbalaj”. “Madje, në këtë përvjetor, motra e tij, Shkurta, pas shumë vitesh martese u shtua me një djalë, duke plotësuar një nga dëshirat e të atit”, thotë Sala. “Kujtimi i gjyshit Gjonbalaj do të jetë një frymëzim për nipin e lindur në njërin prej përvjetorëve të 11 Shtatorit”.

Pas sulmeve

Disa ekspertë thonë se vitet pas 11 shtatorit kanë parë rënie të ndikimit global të Shteteve të Bashkuara, e të tjerë vënë në dukje se SHBA-të “mburren” se është ekonomia më e madhe në botë, edhe pas krizës financiare të 2008-ës.

Ndërsa epërsia e saj ushtarake mbetet pa sfida. Kjo e fundit, sigurisht nuk është e çuditshme, duke marrë parasysh zgjerimin masiv të mekanizmit të sigurisë kombëtare që nga viti 2001.

Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë dekadës së fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar rreth 7 trilionë dollarë për mbrojtjen kombëtare, sigurinë e vendit dhe shërbimet e inteligjencës.

Krijimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare pas sulmeve të 11 shtatorit dëshmuan për riorganizimin më të madh të burokracisë federale që nga Lufta e Dytë Botërore. Sot, Shtetet e Bashkuara përbëjnë rreth 46 për qind të shpenzimeve ushtarake të të gjithë botës, ndërsa buxheti i inteligjencës është dyfishuar gjatë 10 viteve të fundit.

Presidenti Obama intensifikoi përdorimin e operacioneve të fshehta antiterroriste nga ana e CIA-s dhe njësiteve elite të Pentagonit kundër terrorizmit. Ai zgjeroi fushatën e sulmeve me telekomandë të CIA-s, që kanë në shënjestër grupet xhihadiste.

Kritikët thonë se sulmet e tilla kanë vrarë terroristë, por edhe kanë destabilizuar Pakistanin dhe fuqizuar ekstremistët islamikë. Shifrat e zyrtarëve lokalë flasin për mbi 33 mijë pakistanezë të vrarë në luftën kundër terrorizmit, që nga 11 shtatori 2001.

Ndërsa mbi 6 mijë pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur në Irak dhe Afganistan.