1947/ Guximtari që u zhvesh gjatë gjyqit për të treguar plagët e hetuesisë

Grupi i Deputetëve

Në një shkrim të Agustin Mirakës tregohet një ngjarje shumë interesante:

Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës; Shefqet Beja, deputet i Durrësit; Enver Sazani, deputet i Durrësit; Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës; Irfan Majuni, deputet i Dibrës; Faik Shehu, deputet i Dibrës; Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së dytë Botërore.

Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”.

Shefqet Beja, pati guximin të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë. Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një rregjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.

Sheh Karbunara dhe Shefqet Beja

Fundi i procesit gjyqësor

Pas dëshmive të 24 të pandehurve në gjyqin e Grupit të Deputetëve, ai proces gjyqësor i cili ishte i montuar fund e krye nga Sigurimi i Shtetit, u mbyll në datën 27 shtator 1947, kur dhe u lexua pretenca e vendimi i Gjykatës Ushtarake. Pothuaj të gjitha dëshmitë që u lexuan nga të pandehurit gjatë procesit gjyqësor, ose ishin marrë me anë të dhunës fizike dhe psiqike gjatë hetuesisë, ose ishin shkruar vetë nga Sigurimi dhe hetuesit, e të pandehurit u detyruan që t’i lexonin ato në gjyq.

Por, gjithashtu duhet thënë se të pandehurit e atij procesi dhe ata që u akuzuan për lidhje me ta, pjesa më e madhe ishin intelektualë të diplomuar në Perëndim dhe me prirje social-demokrate që aspironin për ideale të vërteta demokratike dhe nuk ngurronin t’i shprehnin hapur ato ide që binin ndesh me rregjimin komunist të dhunës që po vendoste asokohe Enver Hoxha.

Në këtë prizëm, ai grup i madh intelektualësh ishte dhe shpresa e të arratisurve politikë që ndodheshin nëpër malet e Shqipërisë, të cilët emrat e tyre ia paraqisnin anglo-amerikanëve, për t’ju treguar se kishin mbështetje të madhe në vend dhe prisnin zbarkimin e tyre për të rrëzuar qeverinë komuniste të Tiranës.

Me anë të atij procesi të montuar, Enver Hoxha, së pari synonte që të nënshtronte dhe eleminonte opozitën e vërtetë demokratike dhe së dyti që t’i paraqiste ata para popullit, si armiq që ishin lidhur me kriminelët dhe agjentuarat e huaja. Për të arritur këto synime, Enveri i shkoi deri në fund qëllimit të tij dhe urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët u akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me Grupin e Deputetëve.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj