ALUZINI publikon 600 fatura, paguani tokën ose “sekuestrohet”

ALUIZNI publikon listën me 600 persona që kanë ndërtuar pa leje dhe kanë gati faturën për parcelën ndërtimore. Personat që kanë emrin në listë duhet të paguajnë faturën brenda 60 ditëve për të përfituar 30 % zbritje nga fatura e truallit. Në rast të kundër toka nuk do të hipotekohet në emër të personit që ka ndërtuar, por do të jetë si barrë hipotekore deri në momentin e shlyerjes së detyrimit. Përfituesit janë në qarkun e Durrësit.

LISTA 

“Qytetarët kanë detyrimin për të kryer pagesën e parcelës ndërtimore të miratuar me VKM, me qëllim fitimin e të drejtës së pronësisë edhe mbi truallin. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana e qytetarëve të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t për të tërhequr faturat e parcelës ndërtimore. Është në interesin e tyre të përmbyllin procesin e likujdimit të faturave brenda  afateve ligjore, 60 ditë nga dalja e faturës, pasi në këtë mënyrë ata kanë mundësi të përfitojnë edhe zbritjen 30% për pagesë të menjëhershme, mundësi të cilën nuk do ta kenë më me përfundimin e këtij afati dhe pagesa për truallin do të jetë në një vlerë tjetër relativisht më të lartë”-thuhet në njoftimin e ALUZINI-t.

Menjëherë me depozitimin e mandat pagesave, ALUIZNI garanton dërgimin në Hipotekë të njoftimit përkatës për likujdimin e parcelës ndërtimore, duke finalizuar procesin e legalizimit dhe regjistrimit edhe për truallin. Në të kundërt, në rast se qytetarët nuk paraqiten për të tërhequr faturat apo nuk likujdojnë detyrimin e pagesës së parcelës ndërtimore (truallit), trualli i ndërtimit të legalizuar do të qëndrojë në ZVRPP (hipotekë) me shënimin hipotekë ligjore (barrë hipotekore).