Çfarë i bëri komunizmi klerit mysliman?

Pas mbylljes në vitin 1945 të revistës së vetme të Komunitetit Mysliman, “Kultura Islame” (1939-1945), u ndaluan të gjitha librat fetarë dhe filloi arrestimi i shumë klerikëve myslimanë e të krishterë.

Shumë prej tyre ndërruan jetë nëpër burgje, siç ishte edhe myftiu i Durrësit H. Mustafa Varoshi. Nuk duhet harruar se te gjithë këto ishin të shkolluar në universitetet më të mira të botës islame dhe një pjesë e tyre ishin edhe firmëtarë të pavarësisë dhe personalitete të shquara kombëtare, siç ishte edhe mësuesi i Ferit Vokopola. Krahas tij, ndër figurat më të shquara mund të përmendim:

Hafiz Ali Korça (Drejtor Arsimi, Kryemyfti, publicist, shkrimtar e poet, burgosur në vitin 1945),

Hafiz Ibrahim Dalliu (themelues i shkollave shqip në Tiranë, burgosur në vitin 1946),

Hafiz Ismet Dibra, (drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë, burgosur në vitin 1946),

Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966, bëri 20 vjet e 4 muaj burg, kryetar i parë i KMSH-së pas komunizmit, 1990-2003),

Haki Sharofi, kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” (burgosur në vitin 1946),

Ismail Muçej (poliglot gjuhësh, burgosur në 1952-1963),

Haxhi Faik Hoxha (burgosur në 1966, dënuar me 25 vite burg),

Hasan Tahsini (drejtues në medrese, burgosur në vitin 1947),

Hafiz Mustafa Varoshi (myfti i Durrësit, burgosur në vitin 1945, vdekur në burg),

Hafiz Sherif Langu (kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, burgosur në vitin 1945),

Hafiz Esat Myftia, (kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, burgosur në vitin 1946),

Hafiz Musa Dërguti (burgosur në vitin 1946),

Hafiz Ali Kraja (burgosur në vitin 1945),

Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947),

Sheh Ibrahim Karabunara (vrarë në burg më 1947 bashkë me të birin),

Sheh Myslim Luma (vdekur në burg më 1953),

Imam Ahmet Hyseni (vdekur në burg më 1945),

Hafiz Xhemal Naipi (Kadi, kryetar komisioni i arsimit, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, senator, deputet, kryetari i parë i parlamentit pluralist më 1921, i dënuar më 1947 nga Gjykata Ushtarake me privim lirie për jetë, me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike-vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij),

Jonuz Bulej, drejtor i konviktit të medresesë së Tiranës.

Ndërsa Hafiz Sheuqet Boriçi, Hafiz Sabri Bushati, Molla Alush Zaganjori, etj., u vetëizoluan në shtëpi deri në vdekje, për të mos u zhveshur nga uniforma fetare.

Hafiz Musa Dërguti, thoshte: “Më kërkojnë me folë për priftin, dojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftënt me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të doni, se atë punë s’e baj kurr.”

Klerikët myslimanë e të krishterë, u bënë fli të besimit të tyre, besnikë deri në fund ndaj Zotit dhe besimtarëve. Ata ishin gjithashtu të brumosur me dashurinë ndaj besimit e atdheut dhe nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, duke i qëndruar besnikë fesë dhe kombit, për të cilët shpirti i tyre mbeti gjitmonë i lirë.

Sot, pas gjenocidit gjysmëshekullor mbi fenë, në kushtet e sotme të lirisë së besimit, ata dëshmorë të besimit dëshmuan të vetmin dinjitet njerëzor e kombëtar përpara Zotit dhe popullit të tyre.

Por megjithëse në gati tre dekada demokraci, prej fundvitit të 1990 e këtej është folur shumë në lidhje me krimet dhe dëmet e komunizmit, mund të themi se pak është bërë në fushën e studimeve me fakte nga dokumentet e shumta, që rrinë akoma të fshehura në arkivat shtetërore, përveç disa studimeve dhe botimeve të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit.

E në fakt, shoqëria jonë nuk ka mundur t’u shlyejë borxhin e dinjitetit dhe mirënjohjes baballarëve shpirtërorë të kombit, që u persekutuan, vranë dhe burgosën gjatë regjimit komunist, e më pas u bënë prijësit e lirisë së besimit. Por një borxh dhe detyrë më të madhe i ka edhe shteti këtyre figurave kombëtare e fetare, sepse klerikët nuk janë monopol i komuniteteve fetare, por i përkasin të gjithë shqiptarëve, brezat e rinj të të cilëve duhet të njihen nëpërmjet librave të historisë dhe letërsisë në shkollat e vendit.

Ata duhen vlerësuar jo vetëm me çmime e dekorata, apo aktivitete, por edhe emra shkollash e rrugësh, e sidomos botime e ribotime të librave të tyre, studime rreth jetës dhe veprës që ata lanë në të gjitha format e mundshme