Champions / Ronaldo si Messi në start, shpërthen City (Video)

Pas dy barazimeve në kampionat, Real Madrid është rikthyer te fitorja në Champions League, duke e nisur mbrojtjen e titullit të Europës në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse përballë ishte një rival modest, pikërisht APOEL Nicosia. Duket se rikthimi i Cristiano Ronaldos është i domosdoshëm për madrilenët.

Ishte pikërisht sulmuesi portugez ai që shënoi golin e parë në 12’, pasi u shërbye vetëm për vetëm me portierin. Me fillimin e pjesës së dytë një qipriot prek topin me dorë në zonë dhe penallti, të cilën e kthen në gol Ronaldo. Në 61’, Ramos shënon një gol me roveshiatë shumë pranë portës. Tre gola për tri pikët e para në Grupin H.

Po në Grupin H, edhe Tottenham ka shënuar 3 gola në shtëpi, me ndryshimin se Dortmund ka shënuar një dhe ka pasur mundësi të tjera. Koreani Son shënon shpejt, që në 4’, por ukrainasi Yarmolenko barazon në 11’. Pas katër minutash Kane rikthen avantazhin. Në pjesën e dytë, në 61’, sërish shënon dhe vulos fitoren 3-1.

Fitore bindëse ka arritur edhe Manchester City, madje të thellë, edhe pse luante në transfertë kundër Feyenoord. Formacioni i Guardiola-s ka fituar 0-4, ku spikat dygolëshi i Stone. Po në këtë grup (F), Shakhtar Donetsk ka mposhtur në shtëpi 2-1 Napolin. Ukrainasit shënuan nga një gol për çdo pjesë. Milik ngushtoi me penallti për italianët, por pa mundur dot të barazojnë. Hysaj luajti për 90 minuta.

Situatë interesante në Grupin E. Sevilla shokoi fillimisht Liverpool në “Anfield Road”, por Firmino barazoi dhe më pas Salah kaloi në avantazh anglezët. Firmino i pati mundësinë ta mbyllte ndeshjen në 42’, por humbi penallti. Sevilla barazoi në 72’ me Correa. Mbyllet 2-2. Në barazim (1-1) mbyllet edhe ndeshja tjetër e këtij grupi, Maribor-Spartak Moskë. Valon Ahmedi u aktivizua për 69 minuta me kampionët sllovenë.

Surpriza më e madhe e natës së dytë ishte në Grupin G, ku Besiktas fitoi 1-3 në fushën e Portos. Turqit shënuan të parët, më pas portugezët barazuan, por Besiktas shënoi edhe dy gola, duke marrë kreun e grupit. Ndeshja tjetër, Leipzig-Monaco përfundoi 1-1. Debutuesit gjermanë shënuan në 33’, por pas 1 minute Monaco barazoi shifrat.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj