Evropa ‘çmendet’ pas gështenjave të veriut shqiptar! Ja pse!

Po afrojnë ditët e vjeljes së gështenjave. Gështenjat e Tropojës por edhe të të gjithë Kurorës Veriore të vendit janë të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin plotësisht cilësinë natyrale të kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Studime të shumta kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera vendase. Dhe po t’u shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin natyralisht organik dhe freskinë e Alpeve ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije.

Kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje maksimale që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore.

Gati e gjithë sasia e mbledhur nga Masivi i Pyjeve të Gështenjave të Veriut të Shqipërisë shkon për eksport, ku kryeson Italia. Në tregun e huaj gështenjat shqiptare shiten disa fish më shtrenjtë se në vend duke sjellë një tkurrje të plotë të pranisë së këtyre gështenjave në tregun shqiptar.

Në Shqipëri prej disa vitesh funksionojnë disa kompani që mbledhin gështenjat nga mbledhësit vendas dhe që më pas drejtohen për eksport. Kërkesa e tregut vendas mbetet e lartë dhe kjo tregon mundësi për zhvillim të gështenjave shqiptare për eksport, por sidomos për të përmbushur nevojat e tregut të brendshëm.

Gështenjat shqiptare në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, Malësitë e Pukës, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë.

Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha.

Brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë të madhe numrin ekzistues, duke përmbushur në këtë mënyrë urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre. /AgroWeb.org