Fitorja e paralajmëruar e Mark Gjonajt

Nga Dalip GRECA

Ndodhi ajo që pritej dhe ajo që dëshironin shqiptarët: Mark Gjonaj fitoi dhe u shpall kandidati demokrat fitues për Partinë Demokratike për Këshillin Bashkiak në Distriktin 13 të Nju Jork-ut. Të gjithë ndihen të gëzuar, por veçanërisht skuadra që udhëhoqi këtë fushatë, natyrisht edhe ne votuesit e këtij distrikti, që u organizuam familjarisht për t’ia lehtësuar barrën bashkatdhetarit tonë.

Edhe media shqiptare dha kontributin e saj, ku Gazeta më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës ”DIELLI” kishte pjesën e vet. Për më shumë se një muaj në ballinën e saj të publikimit online Dielli, por edhe në print, bëri thirrje të vazhdueshme për bashkatdhetarët që të votonin për kandidatin shqiptar.

Mark Gjonaj, konsiderohej si kandidati më potencial ndër pesë konkurruesit, ndaj edhe u sulmua në vazhdimësi nga kundërshtarët. Gjonajt iu desh të përballej edhe me akuza fallso dhe shpifje për përfitime në fushatë nga paratë e drogës e trafikut të armëve, e sajesa të tjera, madje kundërshtarët e tij arritën që të mobilizonin dhe gazetën konservatore ”The New York Post”, që njihet për mbështetje të republikanëve- gazetë që në konkurrimin e  parë si ansambëlmen e kishte mbështet Gjonajn, duke akuzuar konkursen potenciale, që vinte nga komuniteti spanjoll dhe nga një familje e fuqishme në kampin demokrat.

Mark Gjonaj arriti që t’ia dilte mbanë në këtë superbetejë, dhe e la ndjekësen më të afërt, e cila në sondazhet e fundit i qe afruar së tepërmi, Marjorie Velazquez, e cila arriti që të merrte  2958 vota, nga 3326 vota që siguroi Mark Gjonaj. Në përqindje rezultati i Gjonajt shkoi 38.7 për qind nga 34.4 përqind që siguroi Velazquez.

I treti në garën e demokratëve për vendin në Këshillin Bashkiak të Distriktit 13, u rendit John Doyle, i cili siguroi 1644 vota, dhe në përqindje  19.1%, ndërsa dy të tjerët arritën rezultate të papërfillshme.

Mark Gjonaj shënoi sërish një rekord për shqiptarët në shtetin e Nju Jork-ut, ashtu siç ishte i pari shqiptar në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut, po ashtu është i pari shqiptar në Këshillin Bashkiak të Nju Jork-ut.