Formimi i qeverisë së re dhe raportet Rama-Meta

Nga Avokat Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Analizë për Konica.al

Sipas Kushtetutës së RSH, Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Aktualisht, sipas Dekretit të datës 29.08.2017 të Presidentit të Republikës së legjislaturës së re ose Legjislatura e IX e Kuvendit të Shqipërisë, do të thirret dhe fillon punën më 9 shtator 2017, ora 10:00.

Kjo do të thotë që Partia Socialiste e Shqipërisë, si fituese e zgjedhjeve dhe që ka shumicën e vendeve në Kuvend, duhet t’i propozojë Presidentit të Republikës Kryeministrin ose z. Rama si Kryeministri i propozuar i kësaj force politike, për të udhëhequr qeverinë e dalë nga zgjedhjet e fundit.

Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat se kur paraqitet propozimi, por vetë shprehja që përdor Kushtetuta ‘në fillim të legjislaturës’, nënkupton që ajo duhet të bëhet menjëherë në fillim të legjislaturës, sapo deputetët të bëjnë betimin dhe Kuvendi të zgjedhë organet drejtuese të tij.

Pas marrjes së propozimit, Presidenti i Republikës pritet të dekretojë z. Rama si Kryeministrin e ri. Ky i fundit brenda 10 ditëve nga emërimi, i paraqet për miratim Kuvendit programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Nga ana tjetër, Ministri emërohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve; dhe dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes të Këshillit të Ministrave caktohet nga Kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin e emëruar. Pas miratimit të programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga Kuvendi, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat para fillimit të detyrës betohen para Presidentit të Republikës.

A mundet Presidenti i Republikës që nëpërmjet dekretit të tij të vlerësojë jo vetëm formalisht emërimin e zëvendëskryeministrit e ministrave, por edhe të vlerësojë meritat e këtyre emërimeve apo e thënë ndryshe, të bëjë një vlerësim thelbësor të kritereve sipas legjislacionit në fuqi në RSH?

Lidhur me këtë çështje, ka dy qëndrime të ndryshme: 1. Presidenti nuk mund të refuzojë, por bën vetëm një kontroll formal që nuk prek meritat e emërimit; dhe 2. Presidenti mund të refuzojë, duke ushtruar një kontroll thelbësor mbi meritat e emërimit.

Nga praktika e deritanishme, në dijeninë time nuk kemi pasur ndonjë rast të refuzimit të ndonjë ministri nga Presidenti dhe kjo ka bërë që të “forcohet” ideja e parë.

Në fakt, në lidhje më ketë çështje jemi para një rasti kur pushteti i emërimit ndahet midis Presidentit dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Kushtetuta i ka njohur Presidentit pushtetin e emërimit fillestar, pa të cilin nuk mund të vihet në lëvizje Kuvendi. Vetë Kuvendi, në kuadër të kontrollit të ndërsjellët dhe ekuilibrave midis organeve Kushtetuese, nuk do të mund të vihet vetë në lëvizje për të bërë një gjë të tillë.

Ndërkohë që për këtë çështje nuk ka ndonjë praktikë të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit ka praktikë të konsoliduar në lidhje me ndarjen e kompetencave emëruese të Presidentit me Kuvendin përsa i përket emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë, para ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2016.

Sipas kësaj praktike, pushteti i Kuvendit ishte i një karakteri thelbësor, çfarë i jepte të drejtë Kuvendit të vlerësonte edhe meritat e emërimit të bërë nga Presidenti i Republikës.

Gjithashtu, në tërësi Kushtetuta e RSH i njeh Presidentit të Republikës, pozitën e Kryetarit të Shtetit, ose organit më të lartë përfaqësues, i cili është edhe përfaqësues i unitetit të popullit, si dhe njëkohësisht edhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Në thelb, Presidenti është konceptuar të jetë si “një arbitër dhe si një balancues ndaj ushtrimit të pushteteve të tjerë, si atij legjislativ dhe atij ekzekutiv”. (shiko Debati Kushtetues Vll. 2, faqe 97).

Presidenti është organ i emërtesës edhe për një seri institucionesh dhe funksionarësh të lartë të shtetit dhe në këto raste Presidenti ushtron pushtet diskrecionar, çfarë nënkupton edhe të drejtën e vlerësimit tërësor të meritave të emërimit.

Kjo do të thotë që kuadri i përgjithshëm kushtetues i njeh Presidentit të Republikës një pushtet kontrollues thelbësor mbi gjithë emërtesat që ai bën me dekret, duke përfshirë edhe emërtimin e ministrave. Propozimi që i bën Kryeministri nuk mundet në asnjë rast të ketë natyrë detyruese për Presidentin, përsa kohë vetëm aktin Kushtetuta e ka quajtur propozim.

Pra akt që nuk sjell asnjë pasojë nëse nuk miratohet nga organi i emërtesës. Nga ana tjetër, jo me kot Presidentit, neni 98 i Kushtetutës, i lë në dispozicion 7 ditë. Normalisht, kjo kohë është menduar t’i shërbejë Presidentit për të analizuar dhe vlerësuar gjithë kriteret ligjore formale dhe meritat e emërimit.

Nëse do ishte vetëm një kontroll formal ose një lloj noteri, atëherë nuk do të kishte nevojë për një afat kaq të gjatë. Njëkohësisht, Kushtetuta nuk parashikon, por as nuk imagjinohet të parashikojë organe Kushtetuese të cilat shërbejnë si “noterë” për organet e tjera Kushtetuese. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend dhe nuk do të kishte kuptim që Presidenti të cilësohej si një arbitër dhe organ balancues ndaj ekzekutivit nëse ai nuk do të ushtronte kompetencën e vlerësimit të meritave të emërimit të një ministri, etj.

Në mbrojtje të kësaj ideje mund të supozojmë një situatë për të parë nëse Presidenti është një noter apo një kontrollues efektiv i meritave të emërtesës së tij me dekret.

Konkretisht, supozojmë që një kryeministër i propozon Presidentit emërimin e një personi si ministër, i cili p.sh nuk është shtetas shqiptar apo në një rast më të keq është i dënuar penalisht, ose ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, apo sipas informacioneve që i vihen në dispozicion nga Shërbimi Informativ Shtetëror Presidentit, personi i propozuar është agjent i një shtetit të huaj, shtet armiqësor ndaj RSH. Në fakt, këta persona, sipas kuadrit ligjor aktual, nuk mund të ushtrojnë funksione publike duke përfshirë edhe pozicionin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Nga ana tjetër, sipas qëndrimit të parë, i bie që Presidenti do të jetë i detyruar të emërojë këtë person edhe pse ai ka gjithë informacionin e nevojshëm që personi në fjalë është ish-bashkëpunëtor, i dënuar, apo në shërbim të një shteti armiqësor ndaj RSH. Sigurisht, një gjë e tillë nuk do të kishte asnjë kuptim dhe as logjikë.

Rrjedhimisht, jam i mendimit që Presidenti ka të drejtën e kontrollit të meritave të emërimit të një anëtari të Këshillit të Ministrave.

Por a ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhë me Presidentin Meta? Së pari që një gjë e tillë të ndodhë, duhet që Kryeministri i ardhshëm, z. Rama, të bëjë së pari një zgjedhje që lë vend për një interpretim të tillë, gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë.

Së dyti, që një gjë e tillë të ndodhë, duhet që Presidenti i Republikës të përfaqësojë një lider të vendosur, të qartë të prerë dhe me autoritet, veti të cilat Presidenti Meta i ka, madje mund të themi i ka me bollëk. Nisur nga këto premisa, mendoj që marrëdhëniet Rama – Meta do të jenë ngushtësisht institucionale dhe ku Rama duhet të mësohet që Presidenti i Republikës tani është Meta dhe kjo nënkupton ndryshim të plotë loje…

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj