Greqi/ Nuk pranon lidhjen e vajzës me shqiptarin, i ati e vret me thikë

Babai i ka marrë jetën vajzës së tij, vetëm sepse i dashuri i saj ishte shqiptar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Greqi, e ndërsa familja greke tashmë është në zi për ndarjen nga jeta të 18-vjeçares.

I ati i së ndjerës nuk e kishte pritur aspak mirë lidhjen e saj me një djalë shqiptar, e pas debateve, e ka goditur me thikë. Krimi makabër ka ndodhur në fund të muajit gusht, në lagjen “Petroupoli” në Athinë, ndërsa 18-vjeçarja ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra në fillim të këtij muaji.

E ëma e adoleshentes greke të quajtur Irini, ka folur dy ditë më parë për ngjarjen e rëndë në një televizion grek. Ajo thotë se në kohën kur ndodhi ngjarja kishte shkuar në Korfuz me djalin 13-vjeçar, ndërsa në Athinë kishte lënë vajzën dhe burrin.

“Gjithçka ndryshoi kur bashkëshorti mësoi se i dashuri i vajzës sonë ishte shqiptar”, thotë mamaja e 18-vjeçares.

Ajo u shpreh ndër të tjera se pasi ka debatuar me vajzën, bashkëshorti i saj 55-vjeçar ka marrë thikën dhe e ka qëlluar, ndërsa më pas i ka vendosur zjarrin shtëpisë.

Adoleshentja u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por ka ndërruar jetë 5 ditë më vonë.

Ajo thotë gjithashtu se për ngjarjen është njoftuar nga i dashuri i vajzës. Ky i fundit ka lënë një mesazh prekës në rrjetet sociale.

“Rrugë të mbarë engjëlli im, ike dhe le pas burrin që të do shumë….dhe do të të pres. Gruaja ime e bukur, shpirti im. Princesha ime që më ndriçon jetën. Vdiqe ti, vdiqa dhe unë, gjysma jote.

Të dua dhe do të dua gjithmonë, rrugë të mbarë engjëlli im. Zoti të mori aty lart, për t’u kujdesur”, shkruan ai në Facebook.

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj