Hakmarrja e Madhe e Hajvalisë

“HAJT SE KA ME më ardhë dita kur krejt këta kanë me më ra në dy gjunjë!”, iu betua në heshtje vetvetes. I ulur mbi kolltukun prej lëkure të avionit privat po e shikonte relievin e fushave të Kosovës. Po kthehej drejt Zvicrës.

I mundur e i thyer keq nga të gjithë. Vetëm shtatë vjet më parë ishte ulur në aeroportin e vogël të Sllatinës me betimin se do të bëhej president i vendit. Njësoj, nga avioni privat – simboli më i fuqishëm i njeriut që ia kishte dalë në jetë – po kujtonte ditën kur e kishte braktisur Marecin e Kosovën, duke mos mundur më t’i duronte përbuzjet e shokëve “qytetarë e të pasur”.

“Çka ndodhi!”, kishte qenë refreni i vetëm që i kumbonte në vesh, prejse KQZ-ja kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Vetëm 34.170 vota, vetëm 4.67 për qind. Herën e parë lehtësisht, 13 deputetë, herën e dytë bashkë me shtatë parti – 8 deputetë. Tash, jashtë Parlamentit. I kishin thënë rus.

I kishin thënë tyxhar. Muxhahedin. I shitur. Përfundimisht, e kishin mundur. “TAKE IT OR leave it, është”, më tha të martën në “Rubikon”. Miliarderi politikan një ditë më herët kishte nënshkruar “bussiness deal”-in më të mirë në jetë.

Me vetëm 4 deputetë, aq sa nuk do të mjaftonin as për t’u përfaqësuar në Kuvend, ai po rrumbullakonte ciklin e Hakmarrjes së Madhe. Si me skenar të Stephen Kingut, ai po vinte “tick”-un e fundit në listën e hakmarrjes.

Po, i kishin rënë në gjunjë të gjithë. Po, të gjithë i kishin shkuar në shtëpinë e madhe në Hajvali, të menduar si rezidencë presidenciale. Teksa, asnjëri nuk kishte dashur ta pranonte si president dhe përfundimisht e kishin rrëzuar, tash po i shkonin për ta lutur në “rezidencën presidenciale”. Në Hajvali.

Take it or leave it!

I’m taking it, i ishte përgjigjur Albin Kurti. Lëvizja Vetëvendosje! kishte krijuar grupet punuese për të harmonizuar programet qeverisëse me AKR-në. Për më tepër, lëvizja që dikur thoshte se nuk do të merrte pjesë as në zgjedhje “për të mos u zbutur” kishte vendosur të regjistrohej si parti, vetëm për të ngopur kushtet ligjore për të bërë koalicion parazgjedhor. Me AKR-në.

I’m taking it, i ishte përgjigjur edhe Isa Mustafa. Një ditë para se të mbyllej afati ligjor për regjistrim koalicionesh parazgjedhore, LDK-ja ishte hapur pa kushte për AKR-në. S’ka dert se vetëm pak vite më parë e kishin denoncuar si president, s’e kishin dashur për zv.kryeministër.

We’re taking it, i kishin bërë be pas Bajramit në “rezidencën presidenciale” në Hajvali bashkë e duke i ngrënë thonjtë me dhëmbë, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.

ISHTE KURBAN BAJRAMI dhe ai po i shkonte edhe një herë ngadalë listës. “Po, tash bon. Krejt janë bërë kurban për mu”.

Nën 1. Hashim Thaçi. Shkon n’shpi. Më rrëzoi, po e rrëzoj. Nuk do të mundë të kandidohet më për president, se edhe ish-partia e tij, por edhe AAK-ja, NISMA e AKR-ja do të më kenë vetëm mua kandidat për president.

Nën 2. Enver Hoxhaj. Shkon n’shpi. Më pengoi si zv.kryeministër i Jashtëm, tash unë do të jem edhe zv.kryeministër edhe ministër i Jashtëm.

Nën 3. Kadri Veseli. S’la gjë pa thënë kundër meje gjatë fushatës e para fushatës. Tash unë marr më shumë në Qeveri se ai vetë.

Nën 4. Ramush Haradinaj. Një kohë s’donte as dorën me ma shtri. Tash po ia marr gjysmën e Qeverisë, plus nuk do të ketë të drejtë t’i prekë ministrat e mi.

Nën 5. Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Këta që ma luajtën lojën në Kuvend kur u votova për president. Tash vetë do të më kandidojnë për president.

Nën 6. Albin Kurti e Isa Mustafa. Aq i kam bërë për vete, saqë tash kur i kam prishur koalicionet me partitë e të dyve, ata s’do të guxojnë të më shajnë mu’, por do ta shajnë njëri-tjetrin.

Nën 7. Mimoza Kusari – Lila. S’pat çare pa u kthy’. Hala s’e kam kry’ me të.

Nën 8. Votuesit e Kosovës. Kujtuan se po më lënë prapë jashtë Kuvendit, unë po ua marr gjysmën e Qeverisë edhe të parin e vendit.

“Nesër dita e parë pas Kurban Bajramit. Po ia fus gjumë. Përhajr na qoftë!”

MORALI I RRËFIMIT:

Atë që nuk e bëri populli me votë, e bënë politikanët me pazare.

Por këta politikanë harruan se pazar për pazar – ka dikush që është master i fushës. Miliarderi.

E fatura, fatura i mbetet popullit!

 

[email protected]

Twitter: @adriatikk

SHPËRNDAJE
Artikulli pararendësBeogradi u jep leje serbëve: Votojeni qeverinë Haradinaj
Artikulli pasuesManchester City turpëron Liverpool (Video)

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj