Haradinaj hiperaktiv, prej takimeve me ambasadorë deri te vizita në fshatra

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka nisur në një mënyrë disi të pazakontë detyrën e tij në krye të qeverisë.

Në ditën e dytë të punës, ai ka pasur një agjendë goxha të ngjeshur.

Vetëm në ditën e sotme, Haradinaj ka zhvilluar katër takime pritëse me ambasadorë të ndryshëm, si dhe një vizitë në komunën e Kastriotit për t’u njohur me problemin e shpronësimit të banorëve të fshatrave Hade dhe Shipitullë.

Kryeministri i ri i Kosovës ka pritur në takim ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi, atë të Francës Didier Chabert, e më më pas edhe ambasadoren turke Kivilxhim Kiliç.

Përveç kësaj, Haradinaj ka zhvilluar takim me përfaqësuesin e përhershëm të Fondit Monetar në Kosovë, Ruud Vermeulen si dhe me drejtuesen e EULEX-it, Alexandra Papadopulos.

Ky ‘hiperaktivitet’ i kryeministrit të ri vjen në një kohë kur kanë shpërthyer kritika të rrepta mbi faktin që kabineti qeveritar është në varësinë e plotë të Listës Serbe, e rrjedhimisht edhe Beogradit. konica.al/