Historia e rrallë e mikeshës së Nexhmije Hoxhës, bijë e ministrit të Zogut…

Shoqja e ngushtë e Nexhmije Hoxhës, e bija e ish-ministrit të Brendshëm në kohën e Mbretërisë, aktivistja e cila e çoi çështjen e Kosovës deri në Shtëpinë e Bardhë…

A e dini se kush ka qenë Safete Juka?

Safete (Sofia) Juka (1921 – 2005) ishte studiuese, mësuese e pedagoge shqiptare nga Shkodra.

Ajo lindi në qytetin e Shkodrës, në familjen e njohur Juka. Mbaroi në Tiranë Institutin Femëror “Nana Mbretneshë” dhe me rënien e mbretërisë, së bashku me familjen emigroi në Turqi, Egjipt e më në fund në SHBA. Ishte e bija e Musa Jukës, ish-ministri i Brendshëm i Mbretnisë Shqiptare.

Kreu studimet e larta dhe dha mësim edhe në disa universitete amerikane. Ishte një studiuese e analiste e mirë e problemeve kosovare, ku dha një kontribut të çmuar në këtë fushë. Ajo bashkëpunoi shumë me gazetën “Shkodra”. Gjithë jetën e saj ia kushtoi letrave dhe Kadareja e ka cilësuar si intelektualen më të madhe shqiptare. Dr. Juka ka dhënë mësim në Universitetin Georgetown/Washington. Është intervistuar nga departamenti amerikan i shtetit, gazeta me zë, dhe kanale televizive të SHBA gjatë luftës në Kosovë për mendim shkencor mbi origjinën e shqiptarëve. Përgatitja dhe baza faktuale e S. Jukes kanë qenë mbresëlënëse për dëgjuesin e panjohur amerikan. Ka shkruar libra dhe botuar studime vetëm ose bashkë me F. Freundlich, bashkëshortin. “Albanian Golgotha” është në listën e Librarisë së Kongreseve.

Ky ishte amaneti i saj i fundit.

Një ndihmë për Bibliotekën Kombëtare. Jo pak, por 40000 dollarë është shifra e depozituar në një bankë të Nju Jorkut dhe tanimë e kaluar në një bankë shqiptare, në emër të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Është një dhuratë e Prof. Dr. Safete (Sofia) Jukës. Katër vjet pas vdekjes plotësohet amaneti i studiueses, e cila mbetet e njohur në kulturën shqiptare për punimet e saj historike, ndër të cilat dallon monografia “Kosova: The Albanians in Yugoslavia in light of historical documents”, Nju Jork 1984, (Kosova:Shqiptarët në Jugosllavi në dritën e dokumenteve historike). Mësohet se ka qenë e motra e studiueses, Lume Juka, e cila i ka komunikuar këtë dëshirë drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, “Prof. Dr. Safete Sofia Juka – motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë -ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40000 (dyzet mijë dollarë) që t’i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Nuk ka kenë e pasun. Ia ka hjekë vetes me ia dhurue bibliotekës. Ka çue nji jetë fare të thjeshtë. Ka banue me qerá në nji apartament të vogël, pa lukse, por të mbushun me piktura të sajat dhe me libra në gjuhë të ndryshme. Ka pasë nji kulturë të gjanë, por gjithashtu nji modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Lexonte pa u ndalë, qysh se ka kenë fmí dhe i thojshim: “TI KÉ LÉ ME LIBËR NË DORË”. Nuk ka mendue kurrë me u ba “e njoftun”.

Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t’i shprehi ato në mënyrë të përsosun”, i shkruan Lume Juka, drejtorit të BK-së, i cili na ofroi letërkëmbimin e tij me të.

“Kët dhuratë, motra e ka ba me gjith zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e bibliotekës. Nuk ka vue asnji kusht apo konditë… Vetëm nëse, ju dhe komisioni, do ta shifni të arsyeshme me nderue nji gjest të tillë tue mendue se mund të frymëzojë edhe njerëz të tjerë me ba të njajtën gjâ, e kështu do t’u ndihmonte biblioteka”, vazhdon Juka, duke cituar më poshtë një shkrim të gazetës “Illyria”, 18-24 mars 2006, ku Ismail Kadare tërhoqi vëmendjen e qeverisë shqiptare për moskujdesin e duhur ndaj bibliotekave shqiptare. “Lexuesit nuk kanë aq para sa të blejnë të gjith librat, ndaj duhen biblioteka të mira, të kompletuara, dhe me gjitha kushtet, në mënyrë që të tërhiqet sa më shumë lexuesi drejt librit.

Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare që të ua bëjnë të lehtë leximin e librit lexuesve”, citon ajo. Nga ana e vet, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, i ka premtuar znj. Juka, se shuma e lënë prej së ndjerës do të miradministrohet në respekt të legjislacionit shqiptar në fuqi. Simbas vendimit të njëzëshëm të Këshillit Shkencor të Institucionit do të përdoret vetëm-e-vetëm për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë. Sipas tij i gjithë koleksioni në fjalë do mbajë shënimin e dallueshëm: “Nga dhurimi i Znj. Safete Juka”.

Apartamenti i saj i vogël, që ka pasur për “pasuri” vetëm libra dhe piktura, sikurse Ju tregoni, më kujton apartamentin tim, gjithashtu krejt modest, që për pasuri ka jo më shumë se “libra” dhe “piktura”. Ndaj dhe ndihem dyfish i emocionuar për aktin bamirës të motrës Suaj dhe për modelin e jetës së Saj gjithnjë më të rrallë në ditët tona”.

Emblema kombëtare e Kosovës

Në vitin 1982, organizohet në Amerikë një konferencë shkencore për Kosovën. Safete Juka qe një ideatore e kësaj konference, sepse çështja e Kosovës qe një çështje thelbësore për të. Në vitin 1984, ajo botoi në anglisht librin për Kosovën i cili bëri një përshtypje të madhe në qarqet ndërkombëtare të diplomacisë. Në të vërtetë ky libër për Kosovën në anglisht ishte përkthimi i një libri të intelektualit hebre nga Vjena, të quajtur Leo Frojdndlih, botuar në vitin 1913, një libër që mund të quhet një klithmë prej orakulli. Leo Frojdndlih e shkroi librin e tij për shqiptarët në 1913, duke i paraprirë kështu Holokaustit që gjermanët bënë mbi hebrenjtë 20 e ca vjet më vonë, duke treguar se parathënia e kësaj katrahure qe Holokausti i shqiptarëve nga serbët, pikërisht në vitin 1913. Mund të thuhet se shovinizmi serb i parapriu dhe u bë model i programeve të shfarosjes së nazistëve. Leo Frojdndlih ka qenë shkrimtar dhe gazetar si edhe botues.

Dimë se ai ka patur marrëdhënie me shqiptarët. Në kujtimet e tij, Skënder Luarasi flet për takimet e tij me të. Safete Sofia Juka më ka treguar në bisedë se e kishte njohur dhe takuar shumë herë Leo Frojdndlih kur ajo banonte dhe studionte në Vjenë. Libri i këtij intelektuali të guximshëm kishte një titull të tmerrshëm “Golgota shqiptare”. Për shumë vite, nuk u fol për këtë libër. Më në fund, duke kërkuar në arkivin e Universitetit të Harvardit Juka e gjeti të vetmen kopje të fundit që kishte mbetur nga libri i Leo Frojdndlih dhe e përktheu në anglisht. Në 1992, Juka dorëshkrimin e saj në anglisht ia dërgoi një shtëpie të vogël botuese në Hamburg të Gjermanisë të drejtuar nga intelektuali gjerman Han Peter Rrullman.

Ajo që është e çuditshme është se Rrullman vendosi ta botonte librin në tri gjuhë, ta riprodhonte tekstin origjinal në gjermanisht, ta botonte në gjuhën kroate (përkthimi i dijetarit kroat dr. Steve Tomkin, që jetonte dhe s’ka ca kohë që vdiq në Kanada, së bashku me dr. S.Leban, mjek kroat nga Bosnja) si dhe në anglisht (përkthimi i Jukës). Në 1995, shtëpia botuese Lilo në Tiranë e përktheu librin “Golgota Shqiptare” dhe e botoi në shqip. Ky libër është një parandjenjë dhe një argument për fatin e kombit shqiptar, është përmendur nga shumë dijetarë dhe politikanë të Evropës dhe të Amerikës duke mos harruar këtu edhe nobelistin, intelektualin e madh hebre, Elie Vizel.

Ky libër, për të cilin u kujdes Safete Juka, u botua 15 vjet më parë sesa të mbahej konferenca ndërkombëtare e Rambujesë, që qe në të vërtetë kalimi drejt lirisë substanciale të Kosovës. Një nga profesorët e dëgjuar të universitetit Xhorxhtaun, në Uashington D.C., z.Peter Titonski, njëkohësisht edhe zv/presidenti i revistës “Defence Diplomacy” (ka shkruar për këtë libër: “Libër i mrekullueshëm për shqiptarët në Jugosllavi me titull “Kosova më ka bërë një impresion të thellë. Ky libër më ka lënë të mahnitur si nga hapësira e gjerë e njohurive historike, ashtu edhe nga materiali burimore aq të shumta në gjithfarë gjuhësh që ka përdorur autorja e këtij libri. Unë e konsideroj këtë libër si një kontribut kryesor të politikës dhe historisë në Ballkan. Asnjë studiues nuk mundet dot të shkruajë për Kosovën, pa iu referuar kësaj vepre të shkëlqyer”. Një kopje të këtij libri, Safete Juka ia dërgoi presidentit të SHBA-ve Bill Klinton, i cili në 1998 do ta falënderonte me një letër personale të tij. Po kështu, ky libër i dërgohet senatorit amerikan Bob Doll, si edhe shumë personaliteteve të ndryshme botërore si edhe organizatave të ndryshme humanitare dhe shkencore në Amerikë dhe në Evropë.

“Kosova” e Dr. Safete Juka, libri që erdhi në kohën e duhur. (Moikom Zeqo)

Safete Juka nuk u mor me politikë, por u mor me Kombin. Kosovën e kishte në zemër gjatë të gjithë jetës. Pengu mbetet libri tjetër që kishte në duar po për Kosovën, të cilin nuk arriti që ta përfundonte. Ishte shumë aktive për fatet e Kosovës dhe intelekti i saj u vu në shërbim të mjekimit të plagëve të Kosovës. Studionte vazhdimisht dhe shkruante për të, gërmonte nëpër arkiva dhe evidentonte gjithçka të mirë që qe shkruar për gjysmën e martirizuar të Kombit. Në vitin 1982 ajo është ideatorja e një Konference për Kosovën, një konferencë shkencore që do të nxirrte në shesh shumë nga të”palarat” e serbëve, të cilët kishin shtrembëruar historinë duke fabrikuar mitet e rreme, të veshura me aureolë sllave. Edhe pse mitet shqiptare e ndienin veten keq nën kostumet sllave, akademikët e Serbisë prodhuan në seri shumë e shumë nga këto lloj mitesh.

Kumtesa e Dr. Safete Jukës në Konferencën e Nju Jork-ut vlerësohet për kthjellësinë e mendimeve, forcën e argumenteve dhe përfundimet logjike. Më pas kumtesa e pasuruar do të botohej si libër më vete me titullin “Kosova” dhe me nëntitull “Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumenteve historike”, për të cilin shtypi është shprehur si ky libër përbënte në kohën që u botua një kamxhik për perëndimin e qytetëruar, që kishte bërë sehir dhe ishte engledisur me mitet serbe, të fabrikuara nga pseudo studiues mitomanë, që kërkuan të ndërtonin Serbinë e Madhe duke shfarosur racën shqiptare, e cila ishte autoktone në trojet e veta ilire. Libri i shkruar në gjuhën angleze, i ndërtuar vetëm mbi fakte historike, erdhi në kohën e duhur dhe shpërndau një pjesë të reve dhe mjegullnajës me të cilin kishin veshur librat serbë bibilotekat e Amerikës dhe të Europës. (nga DALIP GRECA, Nju Jork)