Ja si dyert e hapura për mua do hapen për Kosovën

Nga Behgjet Pacolli

Sot unë pranova detyrën e ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës. Ndonëse me një eksperiencë të suksesshme ndërkombëtare, kjo detyrë është një nderim i madh për mua, nderim që do mundohem ta justifikoj me veprën time.

Unë vij në këtë detyrë zyrtare pasi prej afro 40 vjetësh, kam zhvilluar kontakte të shumta të nivelit më të lartë në mbi 100 shtete të botës, qoftë në ndërmarrësi, qoftë si President e ish President i Kosovës, qoftë si njeri i thjeshtë.

E nis detyrën e re me një bilanc të suksesshëm në fushën e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës në të gjithë kontinentet, në lobimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare politike, sportive, etj.

Njohjet ndërkombëtare të Kosovës kanë qenë beteja diplomatike të vendit tonë në gjithë globin, përkundrejt fqinjit tonë verior, beteja të cilat ne i kemi fituar dhe unë jam krenar për këtë. Këto njohje të shtetësisë së Kosovës janë shembull unik për t ‘u studiuar në manualet e së drejtës ndërkombëtare, ku gërshetimi i reputacionit ndërkombëtar, ekspertiza në biznesin global, miqësitë e nivelit të lartë në të gjithë shtetet e botës, kanë përcaktuar suksesin.

Unë do të sjell në këtë detyrë të re, bagazhin e miqësive të mia, të përvojës jetësore në të gjithë anët e globit, ku kam lënë veç emër të mirë, emër që më hap dyert kudo. Tash e tutje këto dyer do të jenë të hapura për Kosovën, shtetin e saj, drejtuesit e saj dhe qytetarët e saj. Miqtë e mi të shumtë, mbretër, kryeministra, presidentë, ministra, ndërmarrës të nivelit më të lartë do të jenë miq të Kosovës.

Kosova nuk mund të bëjë diplomaci globale, por nëpërmjet diplomacisë ekonomike mund të bëjë shumëçka.

Unë jam ministër i jashtëm i Kosovës dhe jo i ndonjë partie politike. Unë do të jem ministër i jashtëm i të gjithë kosovarëve.

Këshilltarët e mi, partnerët e mi do të vijnë nga të gjithë ndjeshmëritë politike të Kosovës, nga shoqëria civile, majtas apo djathtas.

Në jetën time politike e kam treguar se i kam kontribuar bashkimit dhe jo ndarjes, pajtimit dhe jo konfliktit, urtësisë dhe jo gjaknxehtësisë.

Do e tregoj me veprën time në diplomaci se do vijoj në të njëjtën rrugë. Do të shfrytëzoj çfarë është bërë mirë deri më tani në fushën e diplomacisë, por do të bëj shumë më mirë se më parë.

Unë mendoj se ka ardhur koha për një reformim rrënjësor në punën e personelit tonë diplomatik për të ndryshuar imazhin e shtetit tonë të ri, për të rritur cilësinë e këtij personeli, për të përshpejtuar integrimin tonë ndërkombëtar.

Unë jam i vetëdijshëm për mungesat në burime njerëzore, ndaj i bëj thirrje të rinjve dhe të rejave tona që kanë studiuar dhe punojnë jashtë vendit që të kthehen dhe t’i shërbejnë Kosovës. O sot, o kurrë. Koha nuk pret dhe ajo është akoma më e shtrenjtë për një shtet të ri sikur yni.

Shqipëria është aleati ynë kryesor në rajon dhe si ideator i platformës për një Hapësirë ekonomike të përbashkët, shpallur në Parlamentin e Shqipërisë si President, do punoj në kuadër të qeverisë së Kosovës, për heqjen e barrierave të çdo lloji mes vendeve tona. Kosova do të ruajë me fanatizëm marrëdhëniet prioritare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Europian, me vendet mike tradicionale të popullit të saj në rajon dhe më gjerë si Zvicrën, Malin e Zi,Turqinë, etj.

Prioriteti numër një për të cilin do punojë dikasteri ynë është integrimi ndërkombëtar i Kosovës, nëpërmjet njohjeve cilësore të shtetësisë së saj, normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët, zhvillimit intensiv të marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimeve të ndryshme të mallrave,kapitalit, njerëzve, etj.

Ne do punojmë hap pas hapi, për anëtarësimin e Kosovës në organizmat e ndryshme ndërkombëtare, në kuadër të OKB-së. Liberalizimi i vizave është objektiv absolut i kësaj ministrie, së bashku me institucionet e tjera, Presidencën, Qeverinë, agjencitë ligjzbatuese, etj.

Unë do punoj 24 orë në ditë që t’i bëj qytetarët e Kosovës, krenarë për vendin e tyre, që ta bëj Kosovën madhështore, që ta bëj atë një vend kontributor të paqes, të begatisë në rajon dhe më gjerë.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj