Katalonja-prag konflikti

Në një moment shumë të komplikuar për BE-në, ku një sërë konfliktesh po brejnë nga brenda unitetin e saj, që nga problemet e Brexit, ai i refugjatëve, rrëshqitjet e Polonisë dhe Hungarisë në pozicione euroskeptike, agresiviteti i Rusisë, del në skenë një problem që për nga kompleksiteti mund të ketë pasoja devastante për gjithë Evropën.

Katalonja shpalli nëpërmjet parlamentit të saj rajonal se më 1 tetor do të zhvillojë një referendum per shkëputjen nga Spanja. I menjëhershëm reagimi i qeverisë spanjolle që e shpalli referendumin antikushtetues dhe nuk perjashton deri përdorimin e forcës.

Katalonja është një krahinë e Spanjës me një sipërfaqe 32106 km katrore dhe një popullsi 7,52 milionë banorë me qendër Barcelonën. Ka një GDP prej 255 miliardë dollarë dhe është krahina më e industrializuar e Spanjës.

Katalonja ka qenë e banuar që në periudhën e Paleolitikut. Ajo u pushtua nga grekët, kartagjenasit dhe me vonë u bë pjesë e perandorisë romake. Me rënien e perandorise romake rajoni u pushtua nga visigotët dhe më vonë u bë territor i Al-Andaluz, emri me të cilin arabët quanin gadishullin Iberik që pushtuan. Arabët nga Katalonja i përzunë Karolingët, të cilët lejuan një autonomi për rajonin e Barcelonës.
Nëpërmjet martesave – jo me luftë – principata e Katalonjës u bashkua me atë të Aragonës dhe më vonë me Mbretërinë e Castilias. Mbas fitores së Filipit të V në 1714 në luftën e brendshme midis principatave spanjolle gjithë Mbretëria e Aragonës humbi pavarësinë e saj dhe u krijua shteti unitar spanjoll që njohim sot.
Në historinë e saj Katalonja ka fituar dhe humbur disa herë autonominë e saj, por kulmin e arriti me diktatorin Franko, që në 1939 arriti biles edhe të ndalojë përdorimin e gjuhës katalanase. Mbas vdekjes së Frankos në 1975 dhe miratimit të kushtetutës së re në 1978, Katalonja u bë krahinë autonome brenda Mbretërisë së Spanjës.
Megjithatë, edhe pas kësaj, herë me ulje dhe herë me ngritje në raport me ecurinë e situatës politike në Spanjë, dëshira e saj për pavarësi nuk rreshti asnjëherë.

Aktualisht kuadri politik spanjoll mbas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të 2016 ka kaluar nga dypolar në katërpolar. Ai është i përbërë nga 4 parti që nuk bëjnë aleanca me njëra-tjetrën, Partia Popullore e Kryeministrit aktual Rajoy 33%- socialistët 23%- ekstremi i majtë të PODEMOS me 21% dhe liberalët e djathtë me 13%. Mbasi ndenjën të bllokuar për 10 muaj pa qeveri dhe duke mos dashur të kalojnë përsëri në zgjedhje, më në fund socialistët ndryshuan pozicion nga votë kundër në abstenim, duke i dhënë Rajoyt votëbesimin për një qeveri minorance, por që aktualisht është e dobët politikisht dhe mundësia e rrëzimit të saj është shumë e madhe.
Megjithëse me këtë situatë të dobët politike çuditërisht situata ekonomike e Spanjës është më pozitivja në Bashkimin Evropian mbas Gjermanisë. Rritja ekonomike e vitit të kaluar ishte 3,2% dhe niveli i papunësise zbriti nga 27 në 19%.

Pikërisht në një situatë të tillë është thirrur më 1 tetor referendumi i pavarësisë në Katalonjë.
Në fakt, qeveria qendrore spanjolle ka mbështetjen dërrmuse të popullsisë së Spanjës që është kundër pavarësisë së Katalonjës.
Problemi i Spanjës është shumë më i komplikuar, pasi nuk është vetëm Katalonja që kërkon pavarësi që gjithsesi e ka kërkuar këtë gjithmonë në rrugë paqësore deri tani.
Problemi më i mprehtë është çështja e Krahinës së Baskëve që kanë luftuar për vite të tëra në lëvizje të armatosura sidomos ETA dhe që për momentin ndodhen në një situatë paqeje dhe armëpushimi me qeverinë qendrore.
Por në rast se Katalonja do të ndërmarrë rrugën drejt pavarësisë pothuajse në mënyrë automatike baskët do të ndjekin të njëjtën rrugë. Po t’i shtosh këtyre edhe dëshirat e ishujve Balneare, atëherë situata e shtetit unitar të sotëm spanjoll rrezikon seriozisht shpërbërjen me pasoja të paparashikueshme.

Parlamenti katalan më datën 6 shtator pas një seance prej 11 orësh miratoi referendumin për shkëputje për në datën 1 tetor, por vetëm me votat e indipendentistëve. Gjithë partitë e tjera braktisën sallën.

Por i menjëhershëm reagimi i qeverisë spanjolle në një mbledhje të jashtëzakonshme. Jam shumë i ndërgjegjshëm për momentin e vështirë – tha kryeministri spanjoll Rajoy – dhe e di se çfarë më pret. Nuk do të lejoj që modeli ynë i bashkezistencës të likujdohet nga njëri moment në tjetrin. Do të bëj gjithçka të nevojshme për ta evituar dhe nuk do të ngurroj para asgjëje. Kemi një forcë të brendshme që na mban të bashkuar në momente të vështira dhe kjo është forca e demokracisë. Uniteti ynë është në kundërshtim me atë që kemi parë në Katalonjë.
Ndërkohë kryeministri e dërgojë çështjen në Gjykatën Supreme ku të 12 gjyqtarët e shpallën referendumin atikushtetues. Mbas këtij vendimi të Gjykatës qeveria mund të shpallë një regjim juridik të jashtëzakonshëm që prevalon mbi çdo lloj ligji tjetër që kundërshton atë.
Pikërisht dje policia ka kryer kontrolle në zonën e Tarragores në jug të Katalonjës për të zbuluar tipografinë ku po shtypen fshehurazi fletët e referendumit. Prokurori i Përgjithshëm Jose Maza shpalli padi penale ndaj presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont. Policisë i është dhënë urdhër të hetojë dhe arrestojë të gjitha ata që do të merren me organizimin e referendumit. Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm njoftoi se do të shpallë sekuestrimin e gjithë skedave elektorale. Nga Barcelona kryetari i parlamentit katalanas Forcadell kërkoi pezullimin e 12 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuse për mungesë paanshmërie dhe si shtojcë e qeverisë së RajoyT. Gjykata Supreme mbas denoncimit të qeverisë spanjolle ka ftuar 947 kryetarët e bashkive katalanase dhe 62 funksionarët e saj të lartë që të mos përzihen në organizimin e referendumit pasi do të mbajnë përgjegjësi penale.
Gjithë shtypi spanjoll në një zë e cilësoi veprimin e Katalonjës si një grusht shteti dhe sekuesto të demokracisë.
Situata është shumë e rëndë dhe duket se konflikti është në prag.

Çfarë mund të ndodhë tani?

Në qoftë se referendumi do të zhvillohet në këto kushte konfuzioni dhe kundërvënie, ai nuk do të njihet nga askush dhe praktikisht do të pësojë fatet e referendumeve që bën Putini në Abkazi, Oseti, Transdnistria dhe Dombas.

E para, Spanja jo vetëm që nuk do ta njohë, por të tentojë ta vendosë Katalonjën në karantinë. Dhe Katalonja rrezikon fatin e Kuebekut në Kanada. Mbas 2 referendumeve për shkëputje, megjithëse ata nuk fituan për pak vota, nisi një largim masiv i kapitaleve, sidomos amerikane, drejt Ontarios. Dhe kështu bursa e Montrealit, më e madhja e Kanadasë, ia la vendin asaj të Torontos duke sjellë një ridemensionim ekonomik shumë të madh për Kebekun. Dhe këtu flasim pa arritur fitorja e referendumit. Kjo ka për t’i ndodhur edhe Barcelonës dhe Katalonjës, ku një largim masiv i kapitaleve do ta ridimensionojë atë ekonomikisht dhe do të agravojë situatën social-ekonomike.

BE ka shumë mundësi që të shprehet kundër rezultateve të referendumit për disa arsye. Së pari, është antikushtetues, pra zhvillohet me forcë. Së dyti, Spanja është shteti i katërt më i madh tashmë në Evropë dhe ajo do të bllokojë me veto çdo inisiativë pro Katalonjës. Spanja nuk do të lejojë kurrë Katalonjën që të jetë pjesë e BE-së dhe midis Spanjës dhe Katalonjës Ebropa pa dyshim që do të zgjedhë Spanjën. Së treti, është se nëse BE do të njohë rezultatet e referendumit në Katalonjë, do t’i hapë rrugë shkëputjeve të tjera nga Flamingët në Belgjikë, Padania, Sardenja dhe Tiroli në Itali, Bavaria në Gjermani, Skocia dhe Irlanda e Veriut në Britani, sërbët në Bosnjë e kështu me radhë në një efekt domino që pa dyshim mund të çojnë në shkërmoqjen e gjithë Evropës që njohim sot.

SHBA është shumë e ftohtë me inisiativën katalane dhe nuk jep shenja se mund ta mbështesë atë. Pasi në radhë të parë kjo mud të nxitë lëvizje të ngjashme në Kaliforni dhe Teksas. Po kështu, Spanja, mbas largimit të Britanisë, është bërë aleati më i ngushtë ushtarak në Evropë falë edhe pozicionit të saj gjeografik pranë Afrikës dhe në Mesdhe. Po kështu, Spanja është vendi evropian me një ndikim shumë të madh në Amerikën Latine për shkak edhe të historisë dhe SHBA ka shumë nevojë për ndihmën e saj në këtë zonë.
Rusia dhe Kina, jo vetëm që nuk mund ta mbështetin pasi kanë vetë lëvizje separatiste të forta, por edhe nuk duan të përzihen në afaret e Evropës.

Pra do ndodhemi në një situatë ku referendumin me shumë mundësi nuk do ta njohë askush (ndoshta Venezuela, Bolivia dhe Koreja e Veriut) dhe për Katalonjën do të krijohet një situatë mjaft e nderë me pasoja të rënda ekonomike dhe nuk përjashtohet mundësia e trazirave me ata që e kundërshtojnë që nuk janë pak dhe që mund të nxiten edhe nga Spanja.

Dhe këtu po flasim për variantin kur referendumi i paligjshëm zhvillohet pa përplasje, se nëse qeveria spanjolle vendos të përdorë forcën dhe ky variant nuk mund të përjashtohet apriori, atëherë do të asistojmë në një skenar aluçinant, ku një vend i BE-së zgjidh me dhunë një problem që në fund të fundit është një e drejtë e çdo kombi.

Sidoqoftë zaret tashmë janë hedhur dhe 1 tetori po afron. Nga çdo pikpamje që ta shikosh këtë ngjarje, cilido variant që do të fitojë, ajo nuk do të sjellë një evolim paqësor demokratik, por do të shtojë edhe një problem, ndoshta me të komplikuarin dhe me shumë pasoja për një Evropë që ndodhet në momentin e saj më të vështirë në 50 vitet e fundit.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj