Kontributi i Mehmet Ali Vrionit me Shqipërinë dhe shqiptarët në çastin më delikat të vendit

Burrat e shtetit njihen e mbahen mend mirë për atë që i kanë dhënë vendit të tyre, ndaj edhe disa emra janë skalitur thellë në histori, e kur këta janë një fis i tërë, nderimi është edhe më i madh. Një nga këto familje të cilës shqiptarët dhe vetë Shqipëria i detyrohet shumë është edhe ajo e Vrionëve.

Janë dalluar disa emra, por sot ne do të flasim vetëm për njërin Mehmet Ali Pashë Vrionin i lindur në 1842 dhe ka vdekur në 1895 që njihej si politikan dhe diplomat i shquar i vendit, gjithashtu ka mbajtur mbi supe edhe përgjegjësinë e madhe e të qenit Nënkryetar i lëvizjes më të madhe shqiptare siç ishte ajo e Lëvizjes Shqiptare të Prizrenit.

Ajo që duhet thënë është se Mehmet Aliu ia ka trashëguar dashurinë për dheun e tij edhe pasardhësve, birit të tij Ilias Bej Vrionit që do të ishte edhe Kryeministri i parë i shtetit shqiptar, gjithashtu edhe nipit të tij, përkthyesit të shquar Jusuf Vrionit.

Postet që Mehmet Ali Vrioni ka mbajtur nuk kanë qenë të një pozite të ulët, përkundrazi, ai ka qenë drejtues i jo pak lëvizjeve që kishin karakter kombëtar.

Pak më poshtë do të listojmë edhe veprimtarinë e tij bashkë me pozitat që ka pasur…

  • Nën-Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878
  • Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Berat
  • Anëtar i Shoqërisë së Stambollit
  • Anëtar i Komitetit të Janinës
  • Anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve
  • Deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane
  • Mytesarrif i Beratit 1881

Misioni më i madh i jetës së Mehmet Ali Pashës qe zgjidhja e çështjes shqiptare. Forcat e tij u përqendruan në ndërmarrjen më të madhe kombëtare te asaj kohe, e cila ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit u çel më 10 qershor 1878 në Prizren.

Ajo i filloi punimet pikërisht në këtë ditë me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit më 13 qershor 1878. Kryetar i Lidhjes së Prizrenit u shpall Abdyl Bej Frashëri dhe nën-kryetar i saj Mehmet Ali Pashë Vrioni.

Fill pas punimeve të Lidhjes së Prizrenit Mehmet Ali Pasha, udhëhoqi së bashku me Abdyl Bej Frashërin, përfaqësinë shqiptare në Kongresin e Berlinit në 13 maj 1878.

Të dy i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat shqiptare të Lidhjes të Prizrenit: bashkimin e katër Vilajeteve Shqiptare dhe njohjen e tyre si territor autonom nën kuadrin e Perandorisë Osmane; përgatitjen politiko-ushtarake të këtij territori shqiptar; sigurimin e përkrahjes për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Më 30 Mars 1879 Mehmet Ali Pashë Vrioni së bashku me Abdyl Bej Frashërin u nisën sërish nga Preveza ne drejtim të kryeqyteteve kryesore të Evropës për të siguruar përkrahje për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Politika dhe diplomacia kanë qenë pikat e tij më të forta që i vuri në funksion të drejtpërdrejtë për pavarësinë e vendit të tij.