Lista Serbe udhëton drejt Moskës për takime me partinë e Putinit

Subjekti serb që është pjesë përbërëse e qeverisë Haradinaj, Lista Serbe, ka bërë me dije se merr mbështetje edhe prej partisë së Putinit ‘Rusia e Bashkuar’.

“Lista Serbe është mirënjohëse për mbështetjen që merr nga ‘Rusia e Bashkuar’ e Putinit”, ka deklaruar kryetari i këtij subjekti Goran Rakiç, në prag të vizitës së tij në Moskë, transmeton Konica.al.

Kryetari i Listës Serbe dhe drejtuesi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, nesër do të jenë në Moskë, ku do të takohen me përfaqësuesë të partisë ‘Rusia e Bashkuar’.

Temë e këtyre takimeve, sipas mediave serbe, do të jenë zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë.

Rakiç ka deklaruar se do t’ua përcjellë kolegëve rusë mirënjohjen e serbëve të Kosovës për gjithçka Federata Ruse dhe Putini kanë bërë për çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Ai ka theksuar se Lista Serbe pret që gjatë këtyre takimeve në Moskë të pranojë mbështetje të palëkundur nga ‘Rusia e Bashkuar’ për vazhdimin e luftës për interesat e popullit serb në Kosovë.

“Takimi i ardhshëm do të konfirmojë edhe njëherë miqësinë e pathyeshme që lidh popullin serb dhe rus, por edhe interesin e palëkundur të Federatës ruse për gjendjen e serbëve në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë kryetari i Listës Serbe.