LSI-ja nuk humbet kohë me Ramën: Është injorancë të flasësh për shtet ligjor!

Menjëherë pas betimit të kabinetit të ri qeveritar “Rama 2′ para presidentit Meta, një reagim është përcjellë nga ana e LSI-së. Luan Rama citon se është injorancë që qeveria premton shtetin ligjor. Ai i drejtohet kryeministrit Rama, duke i kërkuar që të mos flasë për mirëqeverisje, pasi sipas tij, mirëqeverisje pa idealin e shtetit të së drejtës nuk ka, e nuk mund të ketë.

“BE kërkon shtetin e së drejtës, qeveria premton shtetin ligjor! Çfarë injorance!

“Shteti ligjor dhe drejtësia e re!
Kështu emërtohet një prej kapitujve të programit të qeverisë! Më falni, po shprehje më alarmante të injorancës nuk mund të ketë!

Të flasësh sot pas 27 vitesh demokraci pluraliste per shtet ligjor, do të thotë të mos kesh kuptuar e të mos kesh marrë vesh asgjë për kushtin e parë të tërë procesit të integrimit europian dhe që është shteti i së drejtës! Shteti ligjor dhe shteti i së drejtës janë dy koncepte që bëjnë diferencën mes shtetit demokratik nga sistemet e tjerë të organizimit shtetëror.

Diferencat janë thelbësore. Më ndjeni për tonet didaktike, por ka dallime esenciale dhe përmbajtësore mes shtetit të së drejtës në kuptimin euroatlantik, të cilit une po i referohem dhe shtetit ligjor për të cilin flet programi i qeverisë!  Sepse shtet ligjor ka qenë edhe shteti që ndërtoi Zogu, shtet ligjor ishte Shqipëria edhe në ato 6 muajt e qeverisjes se Nolit, shtet ligjor ishte edhe në kohën e fashizmit, edhe gjatë komunizmit, shtet ligjor ka qënë edhe Shqipëria postkomuniste, por nuk ka qenë e për fat të keq nuk është as sot shtet i së drejtës!

Edhe ju në sloganin tuaj zoti Kryeministër, ju flisni vetëm për shtetndërtim, e jo për shtet të së drejtës!
Ju na flisni për mirëqeverisje, po mirëqeverisje pa idealin e shtetit të së drejtës nuk ka e nuk mund të ketë!
Por le të ecim më tej me thagmat e programit tuaj.

Bashkë me shtetin ligjor në vend të shtetit të së drejtës, ju na servirni edhe togfjalëshin “drejtësi e re”! Eshtë një togfjalësh i huazuar mbi 70 vjet më parë, në kohën kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re. Në vitin 1946, pas shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, në vigjilje të gjyqit kundër deputetëve e më pas, mori qytetari koncepti “drejtësia e re popullore”.

Nuk ka drejtësi të vjetër e as drejtësi të re. Qysh prej Justinianit e deri në ditët tona, drejtësia ka qenë e ka mbetur drejtësi. Ndoshta dikush mund të thotë se në programin e qeverisë “drejtësia e re” është një metaforë! Pa dashur t’ju marr kohë e t’ju shpegoj çfarë është metafora, në kontekstin që është përdorur në programin e qeverisë, togfjalëshi “drejtësi e re” është metaforë injorance! Dikush tjetër mund të thotë që lidhet me Reformën në Drejtësi e me Vettingun! Edhe në këtë kontekst, sado që programi i qeverisë për Reformën në Drejtësi ka vetëm fjali të përgjithshme per demagogji, “drejtësia e re” është ajo që thashë: metaforë e injorancës!”, shkruan ai në Facebook.

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj