“Luftë” nervash me Ramën, Kryemadhi: Ke një program batutash, me gabime e lajthitje

Duket se sot Monika Kryemadhi nuk ka mbajtur gjatë inatin me Ramën, i cili lëshoi disa batuta pikante një ditë më parë në Kuvend, në lidhje me pyetjet e parashtruara nga ana e LSI-së. Kryetarja e LSI-së e ka cilësuar një fletëpalosje me gabime e lajthitje programin e qeverisë, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministrat në seancë plenare. Nga foltorja e Kuvendit, Kryemadhi tha se kryeministri është kujdesur t’i qepë një kostum të ngushtë programit që e quan qeveri të vogël, por sipas saj, në program nuk ka asgjë konkrete.

“Nuk kanë pasur kohë të shkruajnë. Ky është një program batutash të shkruar keq, me gabime e lajthitje. Kryeministri është kujdesur që programit t’i qepë një kostum të ngushtë që e quan qeveri të vogël. Kryeministri është kujdesur të shkatërrojë edhe debatin për programin, duke mos paraqitur një program qeverisës të mirëfilltë me parimin si të mos flasim për diçka që nuk ekziston.

Pavarësisht pozicionit tonë opozitar, do të donim të diskutonim mbi një program të mirëstudiuar. Ne nuk jemi në politikë për të dashur apo shkatërruar punën e mirë të kundërshtarëve tanë. Edhe këtë fletëpalosje e pamë me kujdes. Si mund të krenohet kjo qeveri me një rritje ekonomike bombastike kur të ardhurat në xhepat e qytetarëve shqiptarë janë si 10 vjet më parë?

E vërteta është që rritja ekonomike në këto vite ka qenë më pak se inflacioni, thënë ndryshe, shqiptarët janë varfëruar. Shqiptarët blejnë më pak, sepse paraja ka rënë”, deklaroi Kryemadhi.

“Kryeministrit nëse i ka mbetur pranë ndonjë ekonomist, duhet t’ia kujtojë se rritja ekonomike në 2008 ka qenë 8% e GDP-së. Reforma është fjala që është keqpërdorur më shumë në këto vite. Administrata tatimore nxori dhjam nga pleshti, duke shtypur më të varfrit”, tha ajo.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj