Migrimi, përballje apo arratisje?

Nga Eurisa Rukovci* – Në valën e parë të ikjeve drejt Hungarisë, pothuajse 5% e popullatës së Kosovës tentuan të ikin nga papunësia, varfëria e gjendja politike e mjerueshme.

Migrimi si proces, sipas shumë psikologëve socialë, mbart në vete jo vetëm largimin nga jeta sociale e një vendi, por përfshin edhe përjetimin e ndjenjës së humbjes, zhvendosjes, tejtërsimit e izolimit, që çon në një proces te akulturimit.

Një sërë faktorësh të mjedisit, të kombinuar me nivelet e stresit, aftësisë për t’u marrë me stresin dhe aftësinë për ta rrënjosur vetën në një vend të ri, do ta prodhojnë ose ndjenjën e përkatësisë ose ndjenjën e izolimit dhe tjetërsimit.

Reagimi fight-or-flight (përballje apo arratisje) është reaksion fiziologjik që ndodh në përgjigje të një ngjarjeje, sulmi apo kërcënimi në mbijetesë. E, ne si kosovarë përherë jemi duke përjetuar këtë reagim.

Të rinjtë e të vjetrit e Kosovës ose zvarriten nëpër rrugë duke kërkuar drejtësi, ose ikin e lënë pas vendin e tyre. Përherë jemi duke iu përgjigjur kërcënimeve në mbijetesë – papunësisë, sistemit arsimor krejtësisht të rrënuar, shkujdesit shëndetësor, papërgjegjësisë së zyrtarëve tanë publikë e një liste të pambarimtë kërcënimesh të tjera.

Çdo blegërimë e politikanëve të Kosovës u bën jehonë atyre që janë në pushtet gjatë epidemisë imagjinare te “Murtaja” e Albert Camus.

“Nuk ka minj në ndërtesë”, këmbëngul roja në një pjesë të librit, teksa ata vdesin përreth tij. Gazetat tentojnë t’ia mbushin mendjen popullatës se murtaja është nën kontroll kur ajo nuk është. Edhe ne tentojmë t’ia mbushim mendjen vetës se çdo gjë është nën kontroll, teksa minjte jo vetem na infektojnë, por na gërryejnë lëkurën me dhëmbë.

Kosova e pavarur, dikur ëndërr, tash e shkatërruar nga një klasë politike e neveritshme, që as qytetarët e vet s’mund ta durojnë.

*Autorja është studiuese e psikologjisë në Prishtinë