Një skicë për kryeministrin: Kush është Ramush Haradinaj?

Prej ditës së djeshme, Kosova ka për kryeministër njërin nga ish-komandantët kryesorë të luftës së UÇK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e drejtuar për 19 vite nga Ramush Haradinaj, ka qenë parti minore për nga votat.

Ajo erdhi në prominencë vetëm në fund të vitit 2004, kur LDK e Ibrahim Rugovës bëri koalicion befasues me AAK-në, duke e zgjedhur Haradinajn në krye të qeverisë.

Ky veprim ishte lamentuar si përpjekje keqdashëse e ish-presidentit për të përçarë krahun e luftës, nga të tjerë ishte vlerësuar si një veprim i admirueshëm pragmatik për proceset nëpër të cilat po kalonte vendi.

Megjithatë, ai nuk do të arrinte të performonte më shumë se 100 ditë në postin e kryeministrit, meqë Tribunali i Hagës nisi procesin gjyqësor për dyshimet për krime lufte ndaj popullatës civile.

Pa Haradinajn, koalicioni mes LDK-së dhe AAK-së po bëhej gjithnjë e më i pasigurtë përballë dallgëve të reja. Në planin e jashtëm, Kosova kishte filluar bisedimet me palën serbe në Vjenë, por qeveritë e kryeministrave të AAK-së Bajram Kosumi dhe më vonë Agim Çeku dergjeshin në një krizë legjitimiteti.

PDK e Hashim Thaçit po radikalizohej gjithnjë e më shumë dhe faktorët ndërkombëtarë po bëheshin të vetëdijshëm për mundësinë e një destabilizimi të plotë të vendit.

Në këtë dritë shpjegohen kabllogramet që i dërgonte ish-ambasadorja amerikane Tina Kajdanov Uashingtonit: njëri prej tyre, madje, jep një dromcë interesante sesi PDK-ja në opozitë dhe Vetëvendosja që sapo kishte lindur po krijonin një binom kundër qeverisë Çeku.

Procesi i stërzgjatur gjyqësor ndaj Haradinajt u pasqyrua edhe në rënien konstante të AAK-së. Përveç bastioneve të saj të përhershme në Dukagjin (Deçan, Pejë e Gjakovë), partia kishte rënë në një agoni të plotë.

Opozitarizmi i saj eklipsohej nga Vetëvendosja që u bë forca e tretë parlamentare në vitin 2010. Lirimi i Haradinajt në vitin 2012 solli një moment të papritur afrimi me PDK-në: kryeministri i asokohshëm Hashim Thaçi do ta priste me një ceremoni solemne Haradinajn në aeroportin e Prishtinës. Për disa muaj rresht, PDK dhe AAK zhvilluan takime informale për një rikonfigurim të qeverisë.

Por premtimet e Thaçit i mori shpejt era, dhe AAK e Haradinajt filloi të rriste tonin e opozitarizmit dhe retorikës anti-PDK. Në fillim të vitit 2014, AAK do të organizonte një peticion gjithëpopullor për shkarkimin e qeverisë Thaçi dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Epilogu i zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014 nuk solli asgjë të re për AAK-në, por disa ditë më pas, LDK, AAK dhe Nisma do të formonin një ‘triumvirat’ kundër PDK-së. Këtij koalicioni do t’i bashkohej edhe Vetëvendosja, duke e zgjatur krizën politike për afër 7 muaj.

Anashnxjerrja për herë të dytë e AAK-së e bëri ortak me Vetëvendosjen. Opozitarizmi gjatë vitit 2015 dhe 2016 u bë tejet konfliktual: prej protestave të dhunshme, konfrontimeve të hapura me Policinë e deri te hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.

Dy kryetemat, në të cilat AAK dhe Vetëvendosje u kapën me thonj, ishin demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Bashkësia e Komunave Serbe.

Me pretendimin se procesi i shënjimit të kufirit po i kafshonte Kosovës mijëra hektarë të komunave Istog, Pejë dhe Deçan, Haradinaj e instrumentalizoi frikën e banorëve të brezit kufitar me Malin e Zi.

Ndërkohë, hendeku i Vetëvendosjes me AAK-në po thellohej deri në antipati të thellë. Gjatë kësaj kohe u përmenden shpeshherë takime të fshehta mes Haradinajt dhe Veselit për një qeveri të përbashkët.

Por në rrafsh individual si do të skicohej një portet i plotë i kryeministrit 49-vjeçar të Kosovës?

Gjatë kohës së luftës, Haradinaj krijoi staturën e komandantit më të respektuar në Dukagjin. Vëlla i dëshmorëve Shkëlzen e Luan Haradinaj, Ramushi do të fitonte brerorën e një heroi të gjallë të luftës.

Në verën e vitit 2000, Haradinaj do të përfshihej në një përleshje fizike me ushtarët rusë në një postbllok afër Klinës. Siç kujtojnë shoqëruesit e tij vite më vonë, Haradinaj nga krenaria e tij nuk kishte pranuar kërkesën e trupave ruse për t’u legjitimuar, gjë që më pas kishte përfunduar në kacafytje fizike.

E ngjashme kishte qenë edhe përleshja mes vëllezërve Haradinaj dhe familjes Musaj nga Strellci i Deçanit.

Duke ndjekur rivalitetet e hershme dhe hesapet e paqëruara familjare, ish-komandanti i UÇK-së, që tani kishte veshur frakun e politikanit, bashkë me disa bashkëluftëtarë të tij, përfshirë edhe vëllain Daut Haradinaj, do të mësynin shtëpinë e rivalëve të tyre të vjetër në Strellc të Deçanit.

Vazhdimi i historisë ishte një luftë ireale kaubojsh si në Wild West: prej përleshjeve fizike e deri të shtënat me armë dhe hedhja e një granate.

Përfundimi ishte tronditës: pati disa të plagosur, përderisa Ramush Haradinaj, përveç mavijosjes së syrit të djathtë, mori plagë të shumta. Një helikopter i KFOR-it italian do të bartte Haradinajn deri në kampin ushtarak të Bondsteel-it, ku do t’i ofrohej trajtim mjekësor.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, kreu i AAK-së, që ishte kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit me PDK-në dhe Nismën, mori 73 mijë e 415 vota. Në të vërtetë, legjitimiteti i Haradinajt ka qenë prore nën thumbat e detraktorëve të tij. Njëra nga diatribat thotë që titujt ‘Qytetar Nderi’, të cilit atij i janë akorduar nga bashkitë e Tropojës, Kukësit, Pukës, Burrelit…Tetovës, nuk përbëjnë legjitimitet për të udhëhequr qeverinë në Kosovë.

Sidoqoftë, fati i qeverisë Haradinaj do të jetë një ecje fatale në perin e pehlivanit. Një qeveri me 24 parti, interesa dhe kalkulime të ndryshme e bën mjaft dekurajues mbrothësinë e saj. Haradinajt do t’i takojë sfida e stërmundimshme sizifiane për të siguruar një baraspeshë mes qeverisë poliarkike. Në planin e jashtëm, imazhi i Haradinajt do të pëgëhet jo pak nga aktakuzat e ngritura nga qeveria serbe. Stigmat konstante si një i ‘dyshuar për krime lufte’ do ta përcjellin si hije çdo hap të tij…

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj