Njësitë speciale bastisin Kryqin e Kuq të Serbisë në Kosovë

Mediat serbe raportojnë se pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, kanë bastisur mbrëmjen e djeshme ‘komunën serbe’ të Pejës, duke e arrestuar Momo Dashiçin.

Ky i fundit është sekretari i degës lokale të Kryqit të Kuq të Serbisë.

Më herët, edhe dy sekretarët e Kryqit të Kuq në Graçanicë dhe Dragash, Sveta Zhiviç dhe Zeqir Zurapi janë ndaluar, përcjell Konica.al.

Sipas raportimit të mediave serbe, Dashiq është ndaluar për t’u marrë në pyetje, përderisa kryetari i të ashtuquajturës komunë paralele e Pejës Millosh Dimitrijeviç është ftuar në polici për t’u marrë në pyetje.

Gjatë bastisjes në Graçanicë dhe Dragash, policia ka konfiskuar dokumente të Kryqit të Kuq për familjet nevojtare.

Pjesëtarët e ROSU kanë kërkuar edhe për kordinatorin e Kryqit të Kuq në veri të Mitrovicës, për çka janë bërë bastisje në fshatin Plemetin të komunës së Kastriotit.

Sekretari i të ashtuquajturit Kryqi Kuq provincial, Dragisha Murganiç ka thënë se arsyea është regjistrimi i popullatës me qëllim të përpilimit të ‘kartave sociale’, për të përcaktuar se kush është në nevojë të ndihmës humanitare.

Disa burime jozyrtare brenda Policisë mësojnë se personat e arrestuar dyshohen se janë të përfshirë në spiunazh.

Nga dokumentet e konfiskuara, sipas burimeve në Policinë e Kosovës, ka shenja që flasin për mbledhje ilegale të të dhënave personale në Kosovë.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj