Nxehen gjakrat/Endira Bushati i kërkon llogari Bashës: Faji ynë, të lejuam të prisje trungun e PD-së

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së mbajtur mbrëmjen e djeshme, janë nxehur gjakrat mes palëve, ku janë përshkallëzuar deri në tentativa për konfronim fizik. Përplasjet kanë ndodhur mes kritikëve të Bashës dhe mbështetësve të tij. Valbona Mezini ka akuzuar Jemin Gjanën, si një ndër aktorët kryesorë në organizimin e zgjedhjeve për kryetar, të mbajtura në muajin korrik, se ka manipuluar rezultatin e tyre. Kaq ka mjaftuar që të nxisë reagimin e Jemin Gjanës, i cili është ngritur nga tavolina dhe i është drejtuar Valbona Mezinit, por konfrontimi fizik është shmangur nga persona të tjerë të pranishëm në sallë.

Endira Bushati: Kjo Kryesi nuk është përfillur as ditën e marrëveshjes, asnjëri nga ne nuk ishte as i kthjellët…zoti Basha çfarë po bëni? Po na lexoni marrëveshjen për ta miratuar? Një gjë për të cilën kanë rënë vetëm dy persona dakort, pa asnjë përfaqësues politik?

Po na thoni që po e shpallni në kohë reale siç e …pra po e bëni njësoj si Rama para organeve e forumeve të veta, thjesht për të na njoftuar apo çfarë? Po, ne atë ditë heshtëm dhe ky është faji ynë, askush nga ne se pati zotësinë të thoshte prit, kë pyete?

Ju atëherë mund të na kishit thënë që më detyruan amerikanët, siç e thatë në një emision televiziv, dhe ne do ishim më të qartë, më të qetë sot, dhe nuk do ishim sot këtu duke ju kërkuar llogari.

Por nuk e bëmë, prapë faji ynë, po të ishim ne anëtarë të vërtetë kryesie, ditën kur ju me një të rënë të lapsit pretë trungun e PD, pa asnjë kriter politik, në mesnatë, do duhet të mblidheshim këtu që atë natë ose në mëngjes, dhe të thonim: “ou, ku po shkon” por ne as këtë se bëmë.

Në fund na erdhën disave mend dhe kërkuam që zgjedhjet për kryetar të shtyheshin dhe të bëhej analiza në fillim pra këtë që po kërkoni ju të bëni dhe kjo Kryesi atë ditë e në atë mbledhje kryesuar nga Paloka e Spaho u nda më tresh, kishte 14 vota që nuk donin analiza 11 që e donin dhe 20 abstenime.

Edi Paloka: Mos genje për gjëra qe kanë ndodhur këtu. Duhet te jesh e sinqertë kur flet.

Endira: Tani jemi këtu dhe na thuhet po ju konsultojmë për të bërë analizë pas 3 muajsh zgjedhje, kur analizën e ka bërë gjithë publiku, zgjedhësit, mediat, gazetarët e publicistët e këtij vendi. Po të jetë puna sa për të kaluar radhën, hajde shkojmë në seksion ose pse bëmë marrëveshjen e 17-18 majit. Pse u shkel statuti zoti kryetar?

Ja do shkoj në Shkodër, si t’ua shpjegoj unë që kryetari i partisë ishte i teti në listë dhe kryetarët e dy bashkive humbëse në mënyrë sistematike ishin në vende fituese, për të bërë analiza sa për të kaluar radhën, nuk bëjmë të jemi të sinqertë me veten dhe të nisim një proces reflektimi se ku po e çojmë këtë punë. Këto janë çështjet nëse duam realisht të ngremë diçka, meqënëse kemi vite dhe na dhemb kjo punë, mendoj që kështu niset biseda.

Lulzim Basha: Faleminderit zonja Bushati. Unë i thashë ç’kisha për të thënë dhe do dëgjoj e do mbaj shënime. Procesi i zgjedhjeve të kryetarit ka qenë një mundësi për një dialog dhe debat shterues me anëtarësinë. Mbi 68 takime, disa prej tyre edhe në prani të kandidatit tjetër. Një pjesë e tyre janë transmetuar edhe në media. Ky ka qenë një debat shterues sepse në atë moment duhej të trajtohej përgjegjësia ime. Bindja ime është që ky duhet të jetë një proces konsultimi për zgjedhjet e orientuara nga e nesërmja. Këtu duhet të sillemi me përgjegjësi të lartë. Demokratët presin dhe meritojnë përmes një procesi përbashkues, një perspektivë për nesër. Dhe kjo perspektivë duhet të vijë përmes konsultimit për ndryshimin që partia duhet të ketë. Unë kam dëgjuar përmes medias, por edhe personalisht, nga anëtarë të Kryesisë, dëshirën per ti paraprirë dhe për ti dhënë formë institucionale nevojës për ndryshim.

Endira Bushati: Çfarë të pengoi këto tre vjet?

Lulzim Basha: Si? Është debat i superuar ky. Ne mund ta bëjmë, shumë gjëra kanë ndodhur në tre vjet që nuk kanë qenë në përputhje me statutin. Disa prej tyre janë përgjegjësi e imja, i themi që të gjitha. Ne duhet të shkojmë me një vullnet përbashkues për ta forcuar PD-në. Në qoftë se është kështu, të ngremë dorën dhe të nisim mënjeherë procesin.

Edi Paloka: Me këtë që tha Bushati, u abuzua për numrin e votave. Nuk ishin 14 vota kundër, ishin më tepër.

Endira Bushati: Sa?

Edi Paloka: Ju këtu ishit kur thashë “nuk po i numëroj të tjerët”. E numërova deri te 14 dhe e lashë.

Endira Bushati: Sa ishin pra sipas jush?

Lulzim Basha: Ia vlen ky debat tani? /Panorama