Opinion për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Kristaq Xharo, që prezantohet si pedagog për çështjet e sigurisë në Universitetin Europian të Tiranës shkruan sot në gazetën “Mapo” një opinion mbi nevojën e debatit për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

I shfuqizuar në vitin 2008, shërbimi në fjalë është parë si një rudiment i Luftës së Ftohtë dhe me lëvizjet e mëdha demografike, rënien ekonomike, heqja e tij, ishte në realitet formalizim i një gjendjeje fakti.

Por Xharo mendon se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk duhet parë thjesht në planin e ushtrisë, por më gjerë. Në një plan social, ku si institucion që kultivon ndërgjegjen kombëtare dhe bashkon në një rresht njerëz nga kategori të ndryshme sociale, ndihmon në imunizimin e identitetit nga rreziqe të reja, mes të cilave ai rendit fenë.

Çështja është e rëndësishme, mjafton të kujtojmë këtu se vitin e kaluar Ministria e Mbrojtjes rihapi qendrat e mobilizimit ushtarak. Po kështu Shqipëria është një shtet ku një pjesë e madhe e shtetasve të vet jetojnë jashtë me fëmijë që kryejnë detyrime ushtarake në vendet pritëse.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak paraqet edhe në këtë plan sfida që duhen marrë në konsideratë dhe në këtë kuadër është mirë që të debatohet në vend se të merret vesh haberi nga ndonjë postim në Facebook. Më poshtë disa pjesë nga shkrimi i Xharos:

…A është opinioni i publikut shqiptar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak? Nuk ka sondazhe të mirëfillta për këtë çështje. Por, e besueshme është që Shqipëria ka ndryshuar shumë nga ajo e 10 viteve më parë (2008), kur në mes të ovacioneve dhe duartrokitjeve u shfuqizua ligji i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Mungesa e debatit midis palëve politike në atë kohë dukej se më tepër bazohej në llogaritje elektorale se në analiza të mirëfillta. Duke i veshur edhe sloganin demagogjik se “është standard i NATO-s”, zërat kritikë u shuan.

Në të vërtetë nuk ekziston një standard i tillë në NATO. Mjaft vende të NATO-s, përfshirë edhe ato fqinje e aplikojnë shërbimin e detyrueshëm, ashtu si mjaft të tjera po synojnë ta rivendosin.

Duke qëndruar jo në analizën e kërcënimeve ushtarake, që nuk mungojnë, por në një kënd më të gjerë, vendi ynë, përballet nga të njëjtat rreziqe që kërcënohen shoqëritë edhe në vendet e tjera.

Rreziqet janë sa në aspektin social, aq edhe në kontekstin kombëtar. Ndasitë sociale edhe në vendin tonë nuk po zvogëlohen, por po thellohen. Raporte të frikshme të shtresëzimeve, ekstreme të pasurimit, të dallimeve kulturore, të arsimimit dhe analfabetizmit, religjioze, e të ideologjive të ndryshme, kanë vënë  nën shënjestër edhe shoqërinë tonë.

Dhe, në këto kushte besohet që opinioni po ndërgjegjësohet se duhet të gjenden mënyra për t’u përballur me kërcënimet në të gjitha nivelet. Nisur edhe nga mënyra se si po përballen mjaft vende, edhe për vendin tonë mund të debatohet për shërbimin e detyrueshëm kombëtar.

A mund të jetë shërbimi ushtarak një mënyrë integrimi edhe e të rinjve shqiptarë që tashmë jetojnë jashtë atdheut? – Po.

Siç u shprehëm më parë, popullsia shqiptare që jeton në emigracion i kalon shifrat e 30%. Pas dhjetë viteve sipas një studimi, të publikuar edhe në media, perspektiva e rënies së popullsisë është shumë më e zymtë. 

Ndaj vëmendja ndaj të larguarve është qëndrim  për më shumë se 1/3 të popullsisë. Ka eksperienca mjaft të suksesshme në  vendet e tjera. Më pranë nga vendeve nordike, Austria, Zvicra, Greqia e mjaft vende të tjera e inkuadrojnë në identitetin e vet duke e lidhur dhënien e nënshtetësisë me kryerjen e shërbimit ushtarak. 

Është një mënyrë e frytshme që lidh kombësinë me nënshtetësinë nëpërmjet edhe  kontributit ndaj vendit. Angazhim në shërbim afron në një të përbashkët të rinjtë brenda e jashtë vendit, por edhe të huaj që jetojnë në vendin tonë.

Ai afron mundësinë e barazisë, harmonisë dhe integrimit në vlera të përbashkëta. Jo vetëm ‘betimi dhe himni’ me të cilën fillon periudha e shërbimit, por edhe angazhimi i përbashkët në sfidat dhe vështirësitë që afron kjo lloj dinamike krijon lidhje midis njerëzve që mbesin eksperienca të vlefshme për të gjithë jetën.

Ndërsa partitë politike janë, në deklarime, shumë të interesuar për votën e emigrantëve, shërbimi i detyruar ushtarak është një formë edhe më bindëse në këtë kontekst. Mund të jetë një lidhje e dy-anshme: “si për të identifikuar ndjenjën e identitetit nga të rinjtë e larguar, por edhe nga ana e shtetit për të njohur kontributin e kësaj pjese të konsiderueshme të popullsisë”.

Kjo, kërkon që vetë shteti dhe institucionet e tij të zhvillojnë veten në mënyrë  sa më atraktive, si burim vlerash dhe sprovë të karakterit kombëtar. Modelet e shërbimit të detyrueshëm nuk duhet të jenë “eksperimente shqiptare”.

Eksperienca e trashëguar dhe modelet moderne evropiane janë bazë për një format të suksesshëm. Kohëzgjatja dhe mënyra e aplikimit mund të referohen në ato më efektivët (austriak, skandinav apo edhe të tjerë). Me idenë dhe qëllimin që t’i shërbej objektivit, ai duhet të jetë sa më atraktiv dhe i frytshëm jo vetëm për shoqërinë, kombin, por edhe për individin. /ResPublica