Pacolli priti në takim ambasadoren turke në Kosovë

Në vazhdën e takimeve me ambasadorët e akredituar në Kosovë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli ka pritur sot në takim ambasadoren turke në vend, Kivilcim Kiliç.

“Ambasadorja Kiliç ka përgëzuar Ministrin Pacolli, me rastin e marrjes së detyrës së re, duke ri-konfirmuar, në emër të shtetit të saj mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Turqisë në konsolidimin e mëtejmë të shtetësisë së Kosovës në aspektin ndërkombëtarë, përfshirë integrimin në strukturat euro-atlantike dhe Organizatat Ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli falenderoi shtetin turk për ndihmën që ka dhënë për shtetndërtimin e Kosovës.

Me këtë rast, ai kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tutje, sidomos në rritjen e përpjekjeve diplomatike të këtij vendi për sigurimin e njohjeve të reja tek vendet ku ajo mund të ketë ndikim dhe sigurim të mbështetjes së njëjtë edhe për anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare.