Padisin djalin, i dhunonte e i merrte pensionin

Një çift të moshuarish dhe invalidë kanë paditur djalin e tyre, pasi i dhunonte dhe u merrte pensionin. Djali i tyre ushtronte ndaj tyre dhunë psikologjike dhe fizike. Nga hetimi dhe gjykimi i rastit u zbulua se djali i dhunonte prindërit, pasi këta të fundit i kërkonin lekët e pensionit të tyre, shkruan “Top Channel”.

Për faktin se të moshuarit ishin dhe invalidë, kishin autorizuar djalin e tyre që tu tërhiqte pensionet. Por për fat të keq, djali i tyre pasi tërhiqte shumën, i prishte dhe nuk sillte në shtëpi asnjë të ardhur.

Ai nuk ishte mjaftuar me kaq, pasi kishte shitur edhe një pjesë të mirë të orendive shtëpiake. “Edhe më parë ka ushtruar dhunë fizike ndaj meje, për arsye se kur i kërkoja lekët e pensionit, ai më qëllonte me grushte, më përplaste për muri, m’ i vinte thonjtë në fyt dhe më kërkonte edhe lekë të tjera”, ka rrëfyer babai i dhunuar. Gjykata e dënoi djalin e çiftit të të moshuarve me një vit burg.