Pensionet e ushtarakëve, ISSH publikon formulën dhe shembuj

Instituti i Sigurimeve publikon formulën për llogaritjen e pensionit për ish-ushtarakët dhe ata që shërbejnë sot me format e armatosura. Përveç formulës së llogaritjes së pensionit ISSH publikon edhe shembuj konkret.

Llogaritja e një pensioni suplementar të pleqërisë:

PSP = PMRMN x VSH x 1%

PSP: Pensioni Suplementar i Pleqërisë

PMRMN: Paga Mesatare Referuese Mujore Neto

VSH: Vitet e Shërbimit

Masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë.

Shembull:

Ushtaraku  B.C. përfiton pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, i ndryshuar, me datë fillimi 10 Gusht  2013 dhe masën 23 400 lekë / muaj. Ai ka 25 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 42 900 lekë në muaj.

Llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë:

PSP = 42 900 lekë x 25 vite  x 1%  = 10 725 lekë / muaj

Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ushtaraku B.C. gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar.

Ushtaraku BC përfiton pension pleqërie në datën 10 gusht 2013, në masën 23 400 lekë/muaj.

Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është më i vogël se 50% e pensionit të pleqërisë  23 400 x 50% = 11 700 lekë.

Pra, ish ushtaraku B.C. në datën 10 Gusht 2013 do të përfitojë pension suplementar pleqërie në masën 10 725 lekë/muaj.

Llogaritja e një pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi:

PPVSH = PMRMN x VSH x 1.5%

PPVSH = Pensioni i Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi

PMRMN = Paga Mesatare Referuese Mujore Neto

VSH =  Vitet e Shërbimit

Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Shembull:

Ushtarakut në rezervë/lirim A.B i lind e drejta për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetësi shërbimi më datë 8 Maj 2013. Ai ka 17 vite në shërbim dhe paga mesatare referuese mujore neto është 36 937 lekë në muaj.

Llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet në këtë mënyrë:

PPVSH = 36 937 lekë x 17 x 1.5%  = 9 419 lekë / muaj

Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Në rastin konkret masa e pensionit bazë më datë 8 maj 2013 ishte 11 562 lekë në muaj, pra masa e llogaritur është nën kufirin bazë, e si rrjedhojë masa e PPVSH do të jetë 11 562 lekë në muaj.

Pra, ish-ushtaraku A.B në datën 8 Maj 2013 do të përfitojë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 11 562 lekë / muaj.