Përurohen mjediset e rikonstruktuara të Shkollës së Baletit

Para pak muajsh, për Shkollën e Baletit mund ta thoje hapur shprehjen: “Ç ’ bie jashtë, futet brenda”. Godina e rrënuar ndër vite ishte lënë në mëshirë të fatit, ndërkohë që aty duhet të përgatiteshin artistët e rinj të baletit.  Sot situata ka ndryshuar si dita me natën dhe 230 artistët e rinj, nxënës të Shkollës së Baletit e kanë nisur vitin e ri shkollor në një godinë moderne dhe mjedise të rikonstruktuara. Në ceremoninë e përurimit të mjediseve të reja mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe pedagogë e nxënës që kanë frekuentuar shkollën ndër vite, të cilët me punën e tyre kanë ngritur lart emrin e shkollës shqiptare të baletit.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi transformimin që ka pësuar shkolla, e cila para rikonstruksionit, ishte në gjendje të mjeruar, duke bërë që nxënësit e saj ta zhvillonin mësimin në ambientet e shkollave të tjera të kryeqytetit. “Ajo që më ka pëlqyer te Shkolla e Baletit është se pavarësisht si ka qenë infrastruktura, pavarësisht se si kanë qenë kushtet në ditët e para që kemi ardhur, besoj se ka pasur plot elementë të tjerë, kaq shumë dashuri për ta bërë këtë punë. Disa herë që jemi takuar me gjithë kolektivin kam kuptuar se ajo është kimia e vërtetë që e bën diferencën. Sigurisht, duhet edhe infrastruktura. Mbaj mend ditën e parë që kemi qenë këtu kur po shikonim pak se çfarë ndërhyrjesh mund të bënim, binte një shi dhe një furtunë e tmerrshme. Jo për metaforë, por realisht çfarë binte jashtë, hynte brenda”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ky është një tjetër premtim i mbajtur ku brenda dy viteve ka përfunduar rikonstruksioni i Shkollës së Liceut Artistik dhe i Shkollës së Baletit, që janë fidanishte për artistët e rinj. “Kjo ka qenë një javë fantastike për Tiranën në fakt. Kemi hapur disa shkolla të reja. Unë besoj se shkollat ku kemi gjasat më të mëdha që të kemi produkt të mirëfilltë ‘Made in Albania’ janë dy: Shkolla e Liceut dhe Shkolla e Baletit. Ndaj edhe më vjen mirë që në të dyja këto shkolla që janë shkolla kombëtare kemi më në fund një arritje të jashtëzakonshme. Pra në gjysmën e parë të mandatit, në dy vitet e para zgjidhen dy shkolla kombëtare që mirëpresin të rinj nga e gjithë Shqipëria”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se në ambientin përreth shkollës nuk do të lejohet tregtia, ndërsa ftoi të gjithë shitësit që të shfrytëzojnë hapësirat e ngritura nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim. “50 metra nga këtu është tregu ku mund të shiten rroba, mund të shitet sallatë, por për sa kohë që bashkia e ka një hapësirë ku kjo mund të bëhet me dinjitet, jo në rrugë, jo në shkollë, jo te vendi ku vijnë ata ku nesër do u themi, ‘O sa mirë me qenë shqiptar’. Për sa kohë që është ky opsion, atëherë le të përdorim atë vend për të shitur dhe këtë vend për të mësuar, për të praktikuar, për të bërë gjëra të bukura, për të bërë art”, tha ai, duke shtuar se koha ka treguar se gjërat e bukura kërkojnë edhe vendime të vështira.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj