Poeti i njohur që Atë Gjergj Fishta admironte

Atë Gjergj Fishta është një ndër figurat më të rëndësishme të historisë, letërsisë e kulturës shqiptare. Në poliedrinë e tij, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në të mirë të atdheut. Por edhe ai, si çdo njeri tjetër kishte miq, shokë e të afërt, punën dhe shpirtin e të cilëve admironte.

I tillë është edhe Atë Anton Xanoni, meshtari jezuit i lindur në Durrës në vitin 1863 dhe i rritur në Shkodër ku edhe vdiq në vitin 1915. Për plot 22 vite, pas shkollës së bërë jashtë Shqipërisë dhe misioneve të shkurtra në Torino e Poloni, i shërbeu atdheut si studiues, shkrimtar, mësues, përkthyes e meshtar.

Atë Anton Xanoni

Në biografinë e shkurtër shkruar nga Gaetano Petrotta, ai ishte adhurues i letërsisë greke dhe romake si dhe njohës shumë i mirë i këtyre gjuhëve nga të cilat nisi të përkthente vepra të rëndësishme. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk e la pas dore dashurinë për gjuhën amtare, dashuri të cilën e manifestoi me studimin e saj dhe duke e përdorur për të shkruar poezi e proza mbresëlënëse.

Si studiues i gjuhës shqipe, studioi dialektet e saj si dhe librat e Pjetër Budit e Pjetër Bogdanit. Gjithashtu mblodhi lëndë të rëndësishme për gramatikën duke i përmbledhur në një libër prej 230 faqesh të cilin e la në dorëshkrim. Gjithashtu mblodhi edhe shprehje e fraza të përdorura në malet e veriut, qoftë vetë, qoftë ua la si detyrë vëllezërve jezuitë të cilët shërbenin atje në misionet shëtitëse.

Në vitin 1909 botoi librin Gramatika Shqipe duke mos përfshirë çdo gjë, me shpresën e parealizuar, t’i botonte më vonë në një libër më vete.

Shkroi edhe për retorikën dhe stilistikën e gjuhës shqipe, artikuj të cilët u botuan në revistën “Lajm’tari i Zemrës s’Jezu Krishtit” nga numri i parë në 1911 e në vazhdim, edhe pas vdekjes së tij.

Prej librave të shumtë të Atë Xanonit, mund të veçojmë: Nji gjeografi e Shqipnisë”, “Nji përmbledhje historie”, “Lexime për shkollat fillore”, “Trembëdhjetë të martat e Shna Ndout”, “Jeta e Shën Françesk Saverite të tjerë.

Në Shqipëri, Atë Xanoni u bë i njohur me përkthimin e romanit Gjinovefa di Barbantepjesë të të cilit u botuan fillimisht në revistën e përmendur më lart dhe më pas në trajtën e një libri.

Atë Xanoni shkroi artikuj të shumtë studimorë e kulturorë në periodikët më në zë të kohës, qoftë ato të etërve jezuitë, qoftë edhe të tjerë si “Hylli i Dritës”, si dhe disa tregime, novela e poezi, kryesisht për fëmijë.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e punimeve të tij mbeten (dhe vazhdojnë të jenë) të pabotuar, tani ndoshta edhe të humbur gjatë periudhës komuniste.

Atë Anton Xanoni i dha gjallëri letërsisë shqipe duke e pasuruar atë me leksikun e larmishëm të veprave të tij.

Vdiq me 16 shkurt të vitit 1915 duke hidhëruar të gjithë atdhedashësit dhe vëllezërit meshtarë, por mbi të gjitha, Atë Gjergj Fishtën me të cilin e lidhte një miqësi vëllazërore. Ai ishte admirues i shpirtit, mendjes dhe kulturës së tij të gjerë, aq sa pas vdekjes, i shkroi një elegji të ndjerë.