Pse jo… Basha, kryetar Kuvendi?

Maratona e diskutimit parlamentar për programin dhe përbërjen e qeverisë Rama, fillimi i legjislaturës ofruan dy momente, te cilat mund të karakterizohen si shfaqja kryesore e llojit të opozitës që do të bëjë Basha. Sipas proverbave: dielli duket që në mëngjes, apo fillimi i mirë është gjysma e punës. Çështja Ruçi dhe cilësia e diskutimeve të PD-së, në lidhje me programin ngjajnë tema pa lidhje me njëra–tjetrën, por për shkak se u zhvilluan, u trajtuan në të njëjtën kohë, për shkak se mbajnë vulën e kryetarit të ri Basha parathonë shumë se si do të jetë opozita e tij në ditët që do të vijnë.

Në lidhje me çështjen Ruçi do duhen thënë disa konsiderata: së pari Ruçi i përket një gjenerate të vjetër të politikanëve, e  cila nuk ekziston më në nivelet e larta drejtuese të partive kryesore të pluralizmit të parë, përkatësisht Partise Demokratike apo Partisë Socialiste. Berisha, në moshë të përafërt, që vjen gjithashtu nga Partia e Punës, ka ikur nga drejtimi i PD-së dhe nuk ka mundësi të ketë një strehë të fundit si kjo-kryetar i Kuvendit, por veç të komandohet prej Ruçit në kohëzgjatjen e fjalimeve të veta maratonike, apo replikash impulsive. Në skenën politike shqiptare apo në skenën politike të vendeve e tjera rreth e përqark nuk gjendet politikan të moshës së tij apo me eksperiencën që ka Ruçi. Ruçi kësisoj, ishte i fundit i mohikanëve komunistë: ama krejt ndryshe nga të tjerët, të harruar, që maksimumi bëjnë esera, e ka rishpikur veten duke u bërë i dobishëm për të gjithë kryetarët e radhës në PS, si kryetari si Nano, kryetari Rama qoftë në betejat e brendshme në parti, qoftë duke udhëhequr suksesshëm partinë në zonat e vështira elektorale apo me simbolikë të veçantë siç ishte Fieri. Pra, ai votohet.

Në këtë kuptim emërimi i tij ngjan se ishte sipas Ramës, mbyllja dinjitoze e karrierës së një veterani. Në një shikim alla manaxherial, emerimi i Ruçit ishte një pranim i vendimit të elektoratit të vjetër të Partisë Socialiste, (elektoratit besnik të saj, elektorati që përfaqëson Partinë e Punës për moshën që ka, për vendet e punës ka mbuluar gjatë regjimit komunist, ministri, shërbimet sekrete, në polici, në administrimin lokal,) ka emëruar si aksioner Ruçin, si përfaqësuesin e aksioneve të kësaj pjese të elektoratit në bordin drejtues të  partisë që vjen prej Partisë së punës. Nëse e sheh kështu, kjo pjesë e elektoratit që voton vetëm PS-në, do të donte të kishte përfaqësuesin e vet në këtë bord drejtues, në krye të institucioneve.  Rama ndërkohë ka menduar dhe për të patur një figurë të fortë në marrëdhëniet me Metën, e pse jo dhe për të disiplinuar Berishën, moshatarin e tij.

Për të gjithë këto arsye qartësisht të njohura, që nuk ndodhin shpesh, Ruçi u bë më i shenjuari në debatin politik të ditëve të fundit. Masakra e Shkodrës e prillit 1990, kur ai ishte ministër u soll sërish në vëmendje,së bashku me refuzimin e vizës amerikane për të cilën ai vetë ka dhënë një shpjegim se e ka marrë (në 2005), ndonëse ambasada amerikane heshti, ishin argumentet kryesore kundër emrimit të tij.

Pse jo Basha kryetar Kuvendi?

Në shumë kuptime, pra Ruçi nuk duhet të ishte aty ku është, por në pension politik. Për frymën politike që është krijuar rreth shqiptarit të shekullit 21-të, ndoshta Basha duhet të ishte kryetari i Kuvendit. Dhe në qoftë se do të kishte ndodhur kështu, të gjitha polemikat që u bënë për Ruçin nuk do të ekzistonin. Basha do të duhet të ishte ndërlidhësi kryesor ndërmjet parlamentit dhe presidentit Meta. Atë që është roli kryesor që duhet të zhvillojë Ruçi si dorë e fortë kundrejt Presidentit Meta, mund ta luante edhe Basha duke vijuar jetësimin e atij që ishte njëri prej qëllimeve të marrëveshjes Rama – Basha: distancimi i PD-së nga LSI.

Pikëpyetjet që lidhen me një Bashë- kryetar Kuvendi janë të lidhura kryesisht me atë se a mundej që opozita të bëhet e fortë nëse kryetari i Kuvendit do të ishte përfaqësuesi i saj më i lartë. A do të ishte ky vijim i frymës së marrëveshjes Rama-Basha? Po, mund të ishte, por opozita do duhej të ishte e një lloji tjetër. Nëse opozita do të vazhdonte me të njëjtën frymë e të njëjtin stil duke bërë atë që di më mirë, të sulmojë mbi bazën e biografisë së kundërshtarit, duke formuluar akuza penale nga foltore politike, ndoshta Basha nuk do të ishte zgjidhja e duhur.

Ama në qoftë se do të mendohet për një opozitë të një stili modern, atëherë Basha do të ishte zgjidhja e duhur për tu bërë ballë disa prej atyre që janë sfidat më të rëndësishme të Shqipërinë në muajt që do të vijnë dhe që u trajtuan në marrëveshjen Rama- Basha. Saktësisht miratimi i ligjeve për integrimin, reforma zgjedhore, reforma kushtetuese, votimi elektronik, të cilat janë që të gjitha çështje që është e vështirë të  zgjidhen, nëse PD  nuk arrin apo nuk respekton marrëveshjen me PS.

 

Model i ri opozite-opozita alternative

Por ka dhe një moment tjetër, kur flitet për cilësinë e të bërit opozitë. Ajo çka është bërë deri më tani nga Berisha, nuk është e vetmja mënyrë e të bërit opozitë.  Kjo do duhet të ndryshojë në njëfarë mënyre tani edhe me praninë e Bashës e Berishës njëkohësisht në parlament- dualitet, të cilën paradoksalisht e zgjidhi Ruçi në vendimin e tij për t’ia shkurtuar kohën Berishës dhe ia dhënë atë Bashës. Në një kontekst si ky, Basha do të duhet të diferencohet midis stilit të tij të të bërit opozitë dhe asaj që ka ditur dhe di të bëjë më mirë Berisha deri sa të largohet nga politika.

Si? Basha e ka mundësinë ende të gjallë që t’i kërkojë Ramës që të paktën në këtë periudhë të qeverisjes së vendit,  që opozita të përfshihet më shumë në informacionin për qeverisjen. Është e provuar tashmë se një parti, e cila qëndron 4 vjet,8 vjet apo më shumë larg pushtetit, i humb aftësitë qeverisëse. Duke qenë larg informacionit, larg dijenise mbi politikat, opozita e ka përqëndruar kundërshtinë e vet ndaj qeverisë në sulme apo akuza për korrupsion, të cilat  do duhet të ishin lëndë e parë për Prokurorine dhe organet e drejtësisë, jo për opozitën. Një opozitë e shekullit të 21-të, do të duhet të zhvillonte që nga sprova e saj e parë, vizionin e saj për taksën progressive apo të sheshtë, ndryshimin radikal të shërbimit shëndetësor, dividentin, për ndryshimin e modelit ekonomik mbështetur tek prodhimi, jo për cështjen Ruçi, për të cilën Partia Socialiste votohet, ose nuk votohet. Partisë Demokratike madje do duhet t’i vinte mirë që socialistët gabojnë me emërime të tilla. Duke u fokusuar tek çështja Ruçi, opozita me vetëdije apo pavetëdijë filloi të vepronte në stilin e vjetër të paraardhësit e saj që është Berisha duke u marrë me politikën  biografike duke mos u marrë me politikën përmbajtësore.

Basha personalisht do duhet t’i i kërkonte Ramës që opozita në realizim të këtyre objektivave si integrimi, (marrja e statusit të vendit kandidat, çështja e negociatave, etj)., të mund të bashkëndante dhe administronte informacion për qeverisjen dhe mbi bazë të këtij informacioni, dhe kontrolli eventual mbi qeverisjen, të ndërtonte opozitën alternative. Nëse debati politik në vend do të zhvillohej mbi pensionet, politikat shëndetësore, kthimin e pronave, (tema me të cilat gazetat shesin shumë kopie, pra për të cilat ka interes) atëherë me siguri një opozitë e zhvilluar në këtë terren tjetër do të ishte shumë më tërheqëse sesa kjo opozitë që pamë këto tre ditë, një vijim natyral i opozitës të bërë nga Berisha dhe që doli humbëse në zgjedhjet e fundit.  Sa për shembull: Basha bëri një lloj autogoli me atë që akuzoi Ramën për 3 votat që ai I quajti vota të blear që Ruci të bëhej Kryetar Kuvendi. Pse? Sipas një fabule të vjetër, fajtor mund të ishte jo thjesht ai që vodhi lopën, por dhe ai që duhet ta ruante: dmth janë deputetët e PD-së, kryetari i tyre, ata që duhet të ndihen fajtorë e jo ata që i kanë kërkuar votën.

Jemi në shekullin e 2-të dhe një veteran parlamenti si Ruci mund të merrte 2-3 ose më shumë vota nga krahu tjetër politik, pse ka miqësi të vjetra. Zaten kjo është arsyeja pse LSI e shmangu praninë në votimin e fshehtë për Ruçin duke llogaritur që dhe ajo mund të kishte rrjedhje, të cilat nuk janë domosdoshmërisht vjedhje apo blerje, por janë pjesë e kohërave që jetojme. Kur deputetët që kanë 4,5 apo më shumë mandate në jetën parlamentare ata kanë krijuar miqësi të tilla që ia mundësojnë tejkalimin e shumicës parlamentare në një votim të fshehtë.

 

E ardhmja e marrëveshjes

Megjithatë e ardhmja e marrëdhënieve PD –PS, nuk është e përcaktuar rreptësisht nga hija e trajtimit të këtyre dy çështjeve në tre ditët e para të Bashës si kryetar i opozitës paralamentare të vendit. As nga metafora e tij se Marrëveshja ka vdekur, kur dihet se në politikë marrëveshjet dhe ngjallen. Basha në ligjërimin e tij la të kuptohet  se midis dy partive ka shanse për vazhdimin e  marrëveshjes në ato pika, të cilat janë themelore edhe për rezultatin elektoral të ardhshëm të Partisë Demokratike, saktësisht votimin elektronik, reformën zgjedhore, reformën kushtetuese apo për çështje të tjera. Ku u duk kjo? Retorika e Bashës nuk ishte totalisht përjashtuese: retorika e tij, ndoshta nën ndikimin e Berishës apo të kundërshtarëve të tij  brenda partisë mundet që të jetë ashpërsuar më shumë ditët e fundit, por kjo nuk do të thotë se në një gjykim të ftohtë,  në një gjykim strategjik Partia Demokratike ka vendosur që të mos vijojë atë frymë të nisur nga marrëveshja e majit për ta kufizuar akoma dhe më shumë LSI-në, parti cila për herë të parë është  duke propozuar opozitën në terma të ashpra si këto që po shohim nën drejtimin e zonjës Kryemadhi. Është jetike për PD që krahas luftës ndaj PS, krahas diferencimit programor nga PS, të tregojë identitetin e vet, fuqinë e vet në të bërit opozitë alternative, opozitë e tipit të ri, dhe jo shndërrimin e saj në një aleate të pakumtimptë të LSI. Parti që historikisht vetëm e ka gërryer atë. Pa u ndalur.