Rama ul taksat, ja kush përfiton

Qeveria “Rama 2” në programin për katër vitet e ardhshme parashikon ulje të tatimit mbi të ardhurat. Progresiviteti do të vazhdojë të jetë në qendër të filozofisë fiskale. “Ne do të vazhdojmë përkrahjen e sipërmarrjes me masa fiskale, përveç lehtësive procedurale që tashmë janë aplikuar. Gjatë mandatit të dytë synohet që:

  • Tatimi mbi të ardhurat personale për fashën e lartë të të ardhurave nga paga të ulet në 18%.
  • Tatimi mbi dividendin të reduktohet në 6%
  • Tatim-Fitimi për prodhimin në Teknologjinë e Informacionit për të nxitur zhvillime në një industri të domosdoshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të shkojë në 5%
  • T’iu jepet ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë, duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për këtë qëllim”-thuhet në projektin e qeverisë së re.

Pas rritjes së të ardhurave buxhetore me rreth 3.7% të PBB-së gjatë mandatit 2013-2017, angazhimi i Qeverisë për mandatin 2017-2021 është sigurimi i të ardhurave në nivelin 28% të PBB-së. Ky synim mbështetet në zbatimin e Strategjisë së Manaxhimit të Financave Publike 2014-2020, ku kontribut kryesor do të kenë rritja ekonomike, lufta kundër informalitetit, zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit të administratave fiskale për të rritur efiçencën e punës, zhvillimi i mëtejshëm i kuadrit legjislativ fiskal, si dhe forcimi i burimeve njerëzore të administratës. Politika fiskale e katër viteve të ardhshme do të orientohet drejt qëndrueshmërisë dhe nxitjes së sektorëve prioritarë.