Sekuestrohen 8 kg drogë/ Përfundojnë në pranga dy të rinj në Korçë

Në qytetin e Korçës janë arrestuar dy të rinj pasi u kapën me drogë.

Në vijim të punës për evidentimin dhe parandalimin e rasteve të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si edhe nga veprime të mirëkoordinuara, specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: Mariglen Katros, 33 vjeç, banues në fshatin Lumaj dhe Lerbi Xhemollari, 25 vjeç, banues në Elbasan.

Arrestimi i tyre u bë pasi, më datë 12.09.2017, në vendin e quajtur “Përroi i Popçishtit” në Moglicë-Maliq, shtetasve të mësipërm, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale në kushtet e flagrancës një sasi prej 8 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa.

Nga ana e Policisë po vijon puna, për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari si edhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal.

 

 

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj