Sfida kurde

Të dielën e ardhshme Kurdistani Irakian do të zhvillojë një refrendum për shkëputjen nga Iraku dhe krijimin e shtetit të parë kurd në Lindjen e Mesme. Një operacion shumë i rrezikshëm që mund të ketë pasoja të rënda për gjithë rajonin.
“Kemi 100 vjet që e presim këtë moment historik. Kemi derdhur shumë gjak, kemi duruar vuajtje dhe poshtërime çnjerëzore dhe tashmë nuk ka forcë në botë që na ndalon drejt ëndrrës sonë”- deklaroi Barzani, Presidenti i Kurdistanit Autonom Irakian.
Shumë analistë e krahasojnë procesin që nis të dielën me krijimin e Israelit 70 vjet më përpara, që i dha rrugë një konflikti dhe disa luftrave në Lindjen e Mesme dhe që akoma sot përbën konfliktin më të komplikuar dhe të pazgjidhur botëror.
Nga shumë pikëpamje që ta shikosh, jemi realisht përpara nisjes së një procesi me mjaft të panjohuara dhe krahasimi që i bëhet me Izraelin ka shumë sens. Me përjashtim të Israelit, të gjitha vendet si fuqitë globale edhe ato rajonale janë shprehur kundër zhvillimit të tij, pasi e ndiejnë që është në prag një përshkallzim që do të çojë me shumë gjasa në një lufte të re.
Lindja e Mesme me shumë mundim po mbyll dy luftra nga më të përgjakshmet në Siri dhe Irak dhe nisjen e një luftë të re për momentin nuk e dëshiron askush.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një lëvizje emancipuese, ku rebelimi popullor synon largimin e një regjimi, por synohet që për herë të parë mbas vitit të largët 1948, kur u krijua Israeli, të krijohet një shtet i ri. Dhe për më tepër ,ky shtet i ri do të shërbejë si katalizator për lëvizje të ngjashme që do të synojnë krijimin edhe të paktën 3 shteteve të tjera dhe do ta ridizenjojë komplet hartën e Lindjes se Mesme.
Në këtë pikë ku kanë arritur gjërat, pothuajse të gjithë shtetet, pavarësisht se si e mendojne të ardhmen e Kurdistanit, si ata që konsiderohen mbështetës të tij si kundërshtarët kërkojnë minimalisht shtyrjen e referendumit kurd. SHBA-ja i ka kërkuar zyrtarisht Barzanit që ta shtyjë për 2 vjet referendumin dhe Ministri britanik i Mbrojtjes Fallon do të udhëtojë për në Erbil para të dielës për të kërkuar shtyrjen e tij dhe duke i kërkuar Kurdistanit që së bashku me OKB-në të gjejnë një alternativë tjetër.
Shkaqet duhen kërkuar në faktin primar se kryerja e referendumit dhe mundësia e nisjes së një konflikti të ri mund të ndërpresë luftimet për eliminimin e ISIS-it, që është në grahmat e fundit. Një konflikt i ri mund ta rigjallërojë atë duke rihapur edhe një herë skenarin monstruoz të Kalifatit të zi.
Por pavarësisht kërkesës për shtyrje, Barzani, Presidenti i Kurdistanit Autonom, mendon se kurdët janë tradhtuar disa herë në histori dhe se ky është momenti që nuk duhet humbur dhe që mund të mos vijë më. Ai ka shpallur listat e zgjedhësve me 5,9 milionë persona shumë më tepër se elektorati real, duke definuar edhe një territor votimi që është 30% më i madh se 80000 km katrorë që është kufiri administrativ i Kurdistanit brenda Irakut. Ky veprim konsiderohet nga Bagdati një provokim i rëndë që mund të jetë realisht pikënisja e konfliktit.
Barzani ka urdhëruar edhe nisjen e shtypjes së pasaportës se Kurdistanit dhe të monedhës se re kurde që do të quhet “draw”, ku natyrisht në të do të stampohet fytyra e Barzanit si babai i kombit kurd. Tipike për këta lloj liderash folklorik që ky rajon i ka me shumicë.
Vlen për t’u theksuar se si në pasaportën e re ashtu edhe në monedhën kurde është eliminuar gjuha zyrtare e Irakut, arabishtja, dhe është zëvendësuar me anglishten.
Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta sa po i bën Barzani dhe historia ka treguar se këto tipe referendumesh kur i ke të gjithë kundër përfundojnë si referendumet e Putinit në pjesë të ish-republikave të BS që nuk i njeh askush.
Por referendumi kurd i 25 shtatorit që kundërshohet nga pothuajse gjithë bota ka tri probleme serioze që e komplikojnë së tepërmi atë.
Së pari, janë problemet midis vetë kurdëve. Nuk është se kurdët kanë një unitet kombëtar të fortë. Parlamenti i tyre Rajonal ka dy vjet që është i bllokuar për shkak të sherreve të brëndshme për pushtet.
Jo të gjithë janë dakord me shpalljen e referndumit, pasi mendojnë se në këtë moment gjeopolitik nuk është një situatë e favorshme dhe mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë objektivit final. Në fakt, dy grupimet më të mëdha, ai i Barzanit PDK dhe Grupimi i PKK (e shpallur terroriste nga Turqia dhe Perëndimi) megjithëse nuk bashkëpunojnë njëri me tjetrin, janë pro referendumit. Por grupimi i kurdëve shia të quajtur ferilë, që përbëjnë 6,5% të të gjithë kurdëve që ndodhen rreth Kirkukut dhe Naxhafit dhe që janë nën influencën e Iranit, nuk janë dakord me referendumin. Gjithashtu, edhe dy grupime të tjera, ai i Goranit dhe Grupi Islamik i Kurdistanit, janë kundër referendumit pasi janë pro një Iraku unitar.
Rreziku është që, edhe nëse fiton referendumi dhe shpallin pavarësinë, do të dalë një Kurdistan irakian i ndarë në disa pjesë, ku çdo grupim do të qeverisë pjesën e tij, pa njohur një shtet unitar kurd . E kombinuar kjo me një krizë të madhe ekonomike që po përjeton rajoni i kurdëve pasi është i braktisur nga fondet e Bagdatit dhe mundësia e humbjes së vendburimit të naftës të Kirkukut si dhe armiqsia e gjithë vendeve fqinje do ta zhyste këtë rajon në një kaos total që do t’i humbte komplet vlerat një pavarësie të mundshme.
Së dyti, janë problemet me qeverinë qendrore të Bagdatit të dominuar nga shitët.
Shumë deputetë shia mendojnë se një Irak pa kurdët do të jetë më i fortë dhe më i begatë. Pjesa sunite, pavarësisht se nuk shkon me kurdët (ISIS ishte i gjithë sunit) e kundërshon këtë pasi nga largimi i 6 milionë kurdëve në Irakun e mbetur, pesha e shitëve, nga aktualisht 60%, do të shkonte mbi 70% të popullsisë. Bagdati nuk e ka pranuar një refrendum ,duke e cilësuar të paligjshëm dhe antikushtetues, por i zënë në luftimet me ISIS, nuk ka patur mundësi të merret me kurdët. Por tani mbas çlirimit të Mosulit situata ka ndryshuar.
Gjykata Supreme e Irakut e shpalli referendumin antikushtetues dhe të paligjshëm dhe Zv/ Presidenti iraken Maliki deklaroi se nuk do të lejojmë që të krijohet një Izrael i dytë.
Problemi kyç është ai i vendburimit të naftës të Kirkukut (rezerva të vlerësuara 8,7 miliardë fuçi) një nga më të mëdhenjtë e botës që jep 75% të naftës së Irakut. Në fakt, vendburimi ndodhet në një territor jashtë rajonit të Kurdistanit, por kur ISIS përzuri ushtrinë irakiane nga Mosuli, kurdët përfituan nga rasti dhe okupuan zonën. Bagdati ia bëri të qartë që në fillim kurdëve që të mos bënin këtë veprim që do të ketë pasoja të rënda nesër. Aktualisht, nga 500 000 fuçi naftë që prodhohen në ditë, 300 000 i zotëron KRG (qeveria rajonale kurde e Barzanit) që e shesin pa lejen e Bagdatit në Turqi dhe Israel, 150 000 fuçi i zotëron qeveria e Bagdatit dhe 50 000 PUK (kurdët shia që qeverisin qytetin e Kirkukut), që e çojnë në Iran, ku kanë filluar edhe ndërtimin e një naftësjellësi drejt Iranit.
Problemi është cardinal, pasi për naftën janë shpallur luftra botërore dhe Bagdadi e ka bërë të qartë që nuk do të ngurrojë të përdorë armët për të marrë zotërimin e vendburimit, i mbështetur edhe nga Irani dhe Turqia. Kjo e fundit kërkon që meqë në zonën e Kirkukut banojnë edhe turkomanë, të ketë edhe ajo indirekt influencë mbi këtë vendburim gjigant.
Për kurdët, humbja e vendburimit të Kirkukut do të thotë të humbin burimin e tyre të vetëm të mbijetesës dhe nuk do t’i ngelet rrugë tjetër veçse ta mbrojnë me armë. Por edhe për Irakun ai është burimi kryesor i të ardhurave. Sipas Bagdatit, kurdët, që nga 2014, kanë përfituar ilegalisht rreth 28 miliardë dollarë nga vendburimi i Kirkukut.
Pra mundësia e një konfrontimi midis Bagdadit dhe Erbilit është pothuajse e sigurt, edhe sikur kurdët të mos shpallin pavarësinë, pasi në \Kirkurk kurdët janë në minorancë dhe Barzani i ka futur në mënyrë shumë provokative në zonën ku do të votohet të dielën…
Ata që mund ta ndezin realisht luftën janë Milicia shite Al-Hashad al Shabi që llogarit rreth 140 000 luftëtarë ,e cila komandohet indirekt nga pasdaranët dhe gjenerali misterioz iranian Sulejman. Kanë patur një rol determinant në thyerjen e ISIS në Irak, sidomos në mbrojtjen e Bagdatit dhe kanë një fuqi luftarake potente.
SHBA i ka konsideruar kurdohëre si një lloj Hezbollahu iraken dhe i ka kërkuar Bagdatit të mos i konsiderojë si pjesë e Ushtrisë Kombëtare të Irakut.
Këta shikohen me shumë dyshim nga sunitët, bile në disa qytete sunite si në Mosul, por edhe në Tal Afar – Bagdati nuk i ka lejuar të hyjnë pasi mund të shkaktonin konflkte sektare të rrezikshme. Pikërisht këta kanë deklaruar se pas referendumit kurdët duhet të dorëzojnë Kirkukun dhe se duhet të përgjigjen për shkatërrimin e Irakun unitar. Realisht, konflikti i tyre me kurdët mund të nis ëoperacinet ushtarake dhe pa dyshim që do të përfshihen edhe shtete të huaja duke sjellë me shumë probabilitet një konflikt që do të kërkojë ndoshta vite për t’u shuar.
Ekziston edhe një rrezik tjetër që përflitet në Bagdad, që në rast të shpalljes së pavarësisë Iraku do t’iu heqë nënshtetësinë irakene gjithë kurdëve dhe do tentojë forcërisht t’i përzërë nga territori irakian drejt Kurdistanit irakian. Ky është një problem shumë i madh pasi sot ata kanë 30% të territorit që administrojnë jashte territorit që i njeh Iraku dhe janë rreth 1 milion kurdë jashtë Kurdistanit Irakian – vetëm në Bagdad banojnë 300 000 kurdë.
Pra ekziston realisht një shqetësim shumë i madh se ky konflikt mund t’i japë rrugë një spastrimi etnik me përmasa të frikshme, ku edhe të huajt do ta kenë shumë të vështirë të ndërhyjnë. Dhe kjo zonë ka histori të dhimshme, pasi urrejtja fetare ka rreth 1400 vjet që zien. Mjafton të kujtojmë këtu gjenocidin armen për të kuptuar se deri ku mund të çojë një konflikt i tillë i kombinuar fetar, politik ekonomik dhe gjeopolitik.
Si Bagdati, por edhe Turqia dhe Irani kanë kërcënuar se do të mbyllin gjithë hapësirën ajrore, por edhe kufijtë tokësorë, duke e izoluar komplet nga bota shtetin e ri të Barzanit.
Problemi i tretë është faktori ndërkombëtar.
Gjithë komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar pasi krijimi i një shteti kurd do të niste një proces disintegracioni në 5 shtete dhe mundësia e një konflikti të përgjakshëm është me një probabilitet shumë të lartë.
Turqia e ka bërë të qartë se bërja e referendumit për shkëputje nga kurdët është një gabim fatal që do t’iu kushtojë shumë rëndë. Ajo ka deklaruar që edhe e vetme do të ndërhyjë ushtarakisht pasi opinioni i unifikuar i gjithë elitës politike turke është që krijimi i një shteti kurd në Irak dhe Siri shumë shpejt do të çojë në kërkesën për referendum të Anadollit lindor, ku kurdët janë 15 milionë, duke rrezikuar seriozisht integritetin e Turqisë së sotme.
Turqia nisi dje monovrat ushtarake në zonën e Haburit, ku 100 tanket e para turke janë pozicionuar tashmë pranë kufirit. Kryemistri Binali Yildirim deklaroi se jemi gati për raprezalje të shpejtë në rast të çdo provokimi nga kurdët jashtë dhe brenda kufirit.
Veprimi i fundit i Turqisë për mundësinë e nisjes se veprimeve ushtarake tokësore me Iranin në territorin irakian dëshmon qartë frikën e Turqisë për pasojat e referendumit, por edhe faktin se ajo tashmë nuk ka më besim tek aleatët e saj perëndimorë.
Irani ka të njëjtin shqetësim si Turqia, pasi një shtet kurd në Irak do të nxiste 6 milionë kurdët e Iranit të ndjekin ëndrrën për Kurdistanin e Madh, duke rrezikuar integritetin territorial të Iranit. Gjithashtu, duke qenë aleati kryesor i Irakut, objektivat bëhen të njëjtë dhe është i gatshëm për të ndërhyrë ushtarakisht me 40000 trupat që mban gati në kufi. Irani ka deklaruar se në rast se do të shpallet shteti kurd, do të mbyllë gjithë kufirin me Kurdistanin iraken.
Edhe Bashkimi Evropian, që ka ndihmuar shumë financiarisht dhe armatosur ushtarakisht kurdët për të luftuar ISIS, është shprehur kundër referendumit. Ministri i jashtëm gjerman Gabriel deklaroi se një referndum për pavarësinë kurde në këtë moment do të ishte katastrofik për gjithë Lindjen e Mesme.
Rusia mban një pozicion të defiluar pasi objektivi i saj kryesor është të mbyllë sa më shpejt luftën në Siri dhe parapëlqen një pozicion mediatori pasi është e pozicionuar qartë pro bllokut shia(Iran, Irak, Siri), por që ka marrëdhënie shumë të mira me kurdët në gjithë rajonin. Bile dje Gazpromi nënshkroi një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi për eksportin e gazit të Kurdistanit drejt Turqisë.
I vetmi shtet që është pozicionuar qartë pro një Kurdistani të pavarur është Izraeli. Netanjahu e bëri të qartë se do të jetë shteti i parë që do ta njohë, por duke theksuar se ështe kundër përfshirjes në qeverisje të PKK-së, që e cilëson si një organizatë terroriste, por që do edhe të mos zemëroje Turqinë në këtë temë shumë delikate. Izraeli ka arsyet e tij në këtë veprim. E para synon të vazhdojë tregtinë e naftës me Kurdistanin. Në planin gjeopolitik një shtet i ri kurd mund të hap një luftë midis tyre dhe grupimit shia, duke i dobësuar ata që mbas luftës në Siri dhe Irak kanë dalë mjaft të forcuar në një aleance Iran, Irak, Siri dhe Hesbollah, që është shumë e rrezikshme për sigurinë e Izraelit.
SHBA është i vetmi aleat ku kurdët kanë varur të gjitha shpresat.
Por edhe për SHBA-në ky është një pozicion shumë i vështirë për t’u marrë. SHBA-ja ka kuptuar se të vetmit aleatë të saj të vërtetë kundër ISIS-it mbeten kurdët, të cilët ata i kanë stërvituar dhe armatosur mbasi humbën përfundimisht besimin tek të ashtuquajturit rebelë arabë.
Por nga ana tjetër amerikanët kanë humbur mijëra ushtarë dhe kanë shpenzuar rreth 3 triliardë dollarë për luftën në Irak që nga 2003 dhe nuk mund t’iu interesojë një disintegrim i tij dhe aq më keq një kaos total që do të ringallte përsëri ISIS-in dhe Al-Qaedën. Por akoma më keq pozicionimi pro pavarësisë së kurdëve do të thotë të humbësh përfundimisht Turqinë që është një aset shumë i fuqishëm në skakierën gjeopolitike botërore.
Departamenti i Shtetit deklaroi se SHBA është kundër referendumit pasi ato janë për një Irak të bashkuar të qëndrueshëm dhe federativë i aftë që të përballojë rreziqet e terrorrizmit.
Pikërisht përdorimi i fjalës federativ mund të përcaktojë pozicionin amerikan dhe ndoshta kjo mund të jetë zgjidhja më optimale për momentin -një Irak dhe Siri federale. Megjithëse kjo zor se mund të pranohet nga Iraku, Turqia dhe Irani që janë për një autonomi të zgjeruar për kurdët.
Edhe Sekretari i Përgjthshëm i OKB-së, Guterres, deklaroi se ky është një moment shumë i rrezikshëm dhe referendumi duhet shtyrë.
Sidoqoftë, tani zaret janë hedhur dhe të dielën e ardhshme referendumi do të bëhet. Tashmë në këtë situatë kaq të komplikuar askush nuk mund ta ndalë më. Nuk do të jetë një operacion kaq i thjeshtë dhe tensioni po rritet çdo orë që po kalon dhe dhe gjithë zonën ndihet vringëllimë armësh.
Skenari për të hënën e ardhshme është pothuajse i qartë: Barzani do të shpallë rezultatin e referendumit, ku me votë plebishitare Kurdistani shpallet shtet i pavarur. Bagdati do të deklarojë se gjithë kjo ishte një farsë dhe nuk ka për ta njohur, komuniteti ndërkombëtar nuk do ta njohë dhe do të heshtë në pritje të incidentit të parë që mund t’i japë rrugë asaj që të gjithë i frikësohen luftës.
Mundësia që situata të dalë jashtë kontrollit në gjithë Lindjen e Mesme nuk ka qenë ndonjëherë më e madhe se tani dhe një luftë e re me konseguenca të rënda për paqen edhe botërore po duket në horizont.