Shasi ilir i 365 kishave

Qytetërimi shqiptar më shumë ndodhet nën dhe sesa mbi të. Në viset etnike shqiptare në Mal të Zi, e mbi të gjitha në rajonin e Ulqinit, janë një numër i madh i monumenteve të trashëgimisë sonë nga historia jonë e hershme, ku zë vend edhe qyteti i lashtë i Shasit, sot qytet që nuk banohet.

Shasi është vendbanim antik ilir, i cili ngrihet në malin po me të njëjtin emër. Këndej pari, në periudhën antike ka kaluar rruga e lashtë lidhëse në mes Ulqinit dhe Shkodrës. Shasi në literaturë njihet si: Suatio, Suaço, Savocci, Svaciao, Fshas, etj. Baza e qytetit të lashtë është ndërtuar nga gurët e mëdhenj, ndërsa murin rrethues stuhitë e kohës e kanë dëmtuar shumë; ky mur bart vlera të mëdha arkitektonike dhe artistike. Edhe sot e kësaj dite aty qëndrojnë dy portat e qytetit.

Shasi për herë të parë u përmend në dekretin e papës Aleksandri i Dytë më 1067 si qytet Ipeshkvi. Në vitin 1183 pushtohet nga Stefan Nemanja dhe me atë rast barbarët e shkatërruan Shasin. Qyteti u mëkëmb, por përsëri pasoi sulmi i mongolëve më 1242, të cilët e shkatërruan krejtësisht.

Në fund të shekullit XIII e rindërtoi mbretëresha Jelena, ku edhe përjetoi kulmin e vet qytetar dhe tregtar deri në shekullin XVI, kur përfundimisht u sulmua dhe u shkatërrua nga turqit, më 1571. Nga ky vit Shasi njihet si “qyteti i vdekur”. Në këtë vit turqit e pushtojnë edhe Ulqinin dhe Tivarin, ku banorët vriten dhe qyteteve iu vihet zjarri.

Mirëpo, kur kemi të bëjmë me veprimin kishtar, Shasi ka pasur kisha aq sa ka ditë viti e që është rast unik në botë, kurse tani shihen vetëm themelet e tetë kishave, të cilat i përmend edhe Justiniani (1533) dhe më vonë Marin Bici (1610), katedralja e Kishës së Shën Gjonit, e ndërtuar me stil gotik dhe Kisha e françeskanëve të Shën Mërisë, të lashta rreth 1300 vjet. Të gjitha kishat në Shas kanë qenë të zbukuruara me dekorime arkitektonike dhe freska, e në disa edhe tani dallohen gjurmët e ngjyrave në mure.

Pjesët e mbetura të fortesës gjenden në shkrepa. Përveç Shasit në periudhën veneciane, rreth Liqenit të Shkodrës ishin edhe qytetet Trishti, Danja dhe Sarda.

Arqipeshkvia e Tivarit (mbi 900 vjet) ishte baza kryesore e katolicizmit në Shqipërinë e Veriut, por edhe ipeshkvia e Shasit e luante të njëjtin rol për zonën e vet. Në vitin 1443 ipeshkëv i Shasit ka qenë Palë Dushmani.

Edhe Pjetër Bogdani e përmend Shasin në shkrimet e tij duke thënë se shtrihet në perëndim mbi qytetin e Tivarit, në veri deri te Kravari dhe në lindje përfundon me lumin Buna.

Sikur të bëheshin hulumtime nënujore, do të gjendej edhe më shumë nga Shasi, kjo trashëgimi e pahulumtuar nga ana jonë është fshehur nga sllavët me shekuj. Ka edhe fakte që dëshmojnë se gjatë verës, kur niveli i ujit të liqenit të Shasit është i ulët shihen pjesë të mureve të shtëpive të dikurshme të banimit.

Periudha ilire

Gjetjet arkeologjike e provojnë se qytetin e Shasit të panjohur deri në shekullin VIII në të vërtetë e prek krishterimi i hershëm në periudhën ilire. Ilirizmi i kësaj kulture dëshmohet veçmas nga njëjtësia tipologjike e objekteve të kulturës arkeologjike të Shasit me kulturën iliro-arbërore të Komanit.

Shasi më herët u shndërrua në hapësira me vende të fortifikuara, sikurse tregon pozicioni i tij në luftën në mes të Papatit dhe Bizantit për të zotëruar këtë qytet në kohën e mesjetës. Hulumtimet në lokalitetin e Shasit të vjetër dëshmojnë për ekzistencën e vendbanimit parahistorik si bazë ku është ngritur qyteti i Shasit pasi u bë zbulimi i kulturës së Komanit, me anë të së cilit u bë përcaktimi më i saktë i datimit të objekteve sakrale që kanë ekzistuar që nga shekujt VI-VII.

Ky vendbanim i lashtë, përveç rëndësisë strategjike, jepte edhe kushte të përshtatshme për jetë, duke u parë edhe vendndodhja e tij në liqenin e Shasit dhe Bunën të pasur me peshk, zogj, shtazë të egra dhe kushte të tjera të veçanta për blegtori dhe bujqësi.

Duke iu referuar një shkruesi të panjohur dhe dorëshkrimit të tij “Dulcigno secondo l’antica descrizione…”, thuhet se “në këtë trevë gjendej qyteti shumë i vjetër i quajtur Shasi, ku duken gjurmët e 365 kishave larg nga Ulqini 15 milje….’. Më tej shkruan se “afër këtij qyteti gjenden liqeni, shpella, burimi ujit dhe mali Lisinjë, Ledhet e Shasit dhe porta ku vdiq Kapedani i Qesarit, duke luftuar tmerrsisht kundër Pompejanit ku janë edhe sot në këmbë dhe si mrekulli një gropë e madhe, ende parrafshuar…”

Shasi mesjetar

Nuk ka dyshim se Shasi mesjetar si qytet i zhvilluar është përjetësuar edhe në numizmatikë, sepse i ka farkuar monedhat e veta,të cilat e mbanin mbishkrimin Suacium, si dhe ajo që e paraqet figurën e Shën Palit Pagëzuesit, si mbrojtës i qytetit, si dhe pirgun ashtu dhe kështjellën me porën madhështore të këtij qyteti.

Versionet malazeze të kësaj periudhe cekin se Stefan Nemanja (shek XIII) i shkatërroi kishat shqiptare dhe librat e kohës e kreu konvertimin me dhunë të banorëve të mbetur në ortodoksë, gjë e cila përputhet me traditën gojore në Shas, ku banorët tani të fshatit Shas thonë ”se të gjitha kishat në fillim ishin katolike”.

Kërkimet e para të arkeologjisë jugosllave, që u takojnë viteve 1980, zbuluan një hershmëri më të madhe se ajo që dihej. Ishte pikërisht trashëgimia ilire e kulturës së Shasit që e trembi shkollën arkeologjike të Beogradit. Në vitin 1985 Akademia e Shkencave të Serbisë me nguti ndërpreu hulumtimet kur vërejtën se kanë të bëjnë me një qytet të lashtë shqiptar. Ky pra është qyteti ilir i 365 kishave, që në fillim u shkatërrua nga sllavët e pastaj e vërteta e gërmadhave të tij u fsheh po ashtu nga sllavët.

Vetëm ne, si njohës të mirë të vetvetes, dhe duke mos i mohuar rrënjët tona, mund ta shkruajmë historinë ashtu siç duhet.