Shifra tronditëse/ 273 viktima nga tërmeti në Meksikë

273 viktima është bilanci i rëndë i shkaktuar nga tërmeti i dytë i rënë në Meksikë. Ekipet e shpëtimit nuk kanë ndalur punën e tyre, nëse ka ende të mbijetuar. Besohet se vetëm në Mexico City ka të paktën 10 ndërtesa nën të cilat gjenden ende njerëz të bllokuar.

Teksa operacionet e shpëtimit kanë hyrë në ditën e tretë, një pjesë e madhe e vëmendjes vazhdon të mbetet e përqendruar tek shkolla “Enrique Rebsamen” në kryeqytet, ku gjatë natës u nxor trupi i pajetë i një mësueseje.

Më shumë se 500 trupa ushtarake dhe 200 oficerë policie e vullnetarë kanë punuar pareshtur në atë zonë dhe përpjekjet e tyre u shpërblyen me nxjerrjen e 11 fëmijëve të gjallë.

19 të mitur të tjerë dhe 6 të rritur vdiqën nga shembja e shkollës. Besohet se nën rrënoja mund të jetë ende një punonjës i saj. Burimet thonë se mund të jenë edhe 30 persona të bllokuar brenda një blloku 6-katësh apartamentesh dhe zyrash.