Shqipëria afirmohet si destinacioni i ri i preferueshëm në Mesdhe

Shqipëria duket se ka hyrë tanimë në vëmendjen e operatorëve turistikë ndërkombëtarë si një ndër destinacionet e reja të preferuara të Mesdheut.

Përtej retorikës së qeverisë, publicitetit emocional në rrjetet sociale që duan të shmangin problemet, vendi ynë, posaçërisht Saranda me mundësitë penetruese që ofron për turistët, është në axhendën e operatorëve.

Kjo konfirmohet edhe nga interesi i kompanive që kryejnë aktivitet në tregun e turizmit me anije shëtitëse – kroçera. Në aktivitetin e Seatrade Europë, organizimi kryesor në këtë sektor në Europë, mbajtur më 8 shtator 2017.

Shqipëria është diskutuar gjerësisht dhe për vendin tonë janë thënë fjalë të mira nga shumë drejtues kompanish.

Seatrade Cruise News, media që raporton për aktivitete që lidhen me kroçerat dhe turizmin e tyre, shkruante më 7 shtator një shkrim përmbledhës vetëm për Shqipërinë. Ajo citon CEO-t e kompanive duke vlerësuar se interesi për vendin tonë është rritur edhe për shkak të shqetësimeve për sigurinë në Turqi dhe trazirave në Afrikën Veriore.

CEO- e MSC Cruises, Celestyal Cruises, Costa Crociere, TUI Cruises, Grupo Pullmantur krahas operatorëve që tanimë e kanë përfshirë Shqipërinë si destinacion kanë shprehur interes. CEO i Pullmantur e ka krahasuar Shqipërinë me Malin e Zi, dikur një destinacion shumë ekzotik, por tashmë shumë i populluar.

Duket se barriera e imazhit është thyer disi, aq më tepër që thuajse të gjithë drejtuesit kanë raportuar përshtypje shumë të mira të klientëve të tyre që kanë qenë në vendin tonë.

Kjo do të thotë se për vitin 2017 fluksi potencial i turistëve që do të vijnë në Shqipëri priret të jetë edhe më i madh dhe në këtë kuadër qeverisë i lind detyrimi të ndërmarrë angazhime serioze me mjedisin, infrastrukturën, sigurinë dhe shërbimet.

Është e vërtetë se pika e vetme mbetet Saranda, por vendi ynë nuk është ende gati që të presë fluks më të madh në pika të tjera me cilësi shërbimi të kënaqshëm. Turistët e kroçerave zbresin për pak kohë dhe shohin vitrinën e një vendi, që mund të jetë e bukur, ndërkohë që manipulimi që ndodh brenda është krejt i panevojshëm dhe joproduktiv. /ResPublica