Sinkretizimi kulturor karakteristikë e identitetit shpirtëror të shqiptarëve

Nga Artan Fuga

Pas debateve për mbulimin ose jo të monumentit të Skënderbeut në sheshin kryesor të Tiranës përgjatë festës dhe lutjes të Kurban Bajramit, por edhe përpara kësaj ngjarjeje, janë shtuar debatet lidhur me zhbirilimin e aspekteve të ndryshme të jetës, identitetit, familjes, të Heroit Kombëtar!

Në fakt, sikurse ndodh në kësi rastesh, litari nis e ç’ thuret, dhe njëra temë hap tjetrën. Nisi me pyetjet rreth identitetit të nënës së Skënderbeut, Vojsavës, pastaj shkoi më tutje te vetë identiteti i Skënderbeut, te natyra e luftërave të tij, dhe u hodh edhe më gjerë te marrëdhëniet e parardhësve tanë me popujt fqinjë në Mesjetë.

Qëndrimet, interpretimet, debatet herë të zjarrta dhe herë më të qeta, shpesh edhe me inate e mllefe, nuk mungojnë të vijnë nga faqet e rrjeteve sociale në mediat qendrore të vendit, në emisione televizive stacionesh kryesore televizive dhe në faqet e para të gazetave të përditshme.

Në fakt, marrë si debat i mirëfilltë intelektual, ai nuk ka asgjë të keqe. Nuk ka temë që në planin kulturor dhe të argumenteve që nuk ja vlen të rrihet, apo të përbëjë tabu. Edhe tematika për epopenë skënderbejane nuk bën përjashtim.

Madje nëse ka edhe zbulime të reja sistemike nuk është e ndaluar për mendjen individuale apo për ndërgjegjen kolektive që perspektiva të ndryshme ku është vendosur e kaluara edhe të pësojnë modifikime. Por, sigurisht nëse ka zbulime të rëndësishme që nuk janë ditur më parë dhe që të trondisin themelet e dijes së deritanishme. Jo rimarrje tekstesh që specialistët i njohin me kohë.

Nuk është këtu fjala!

Fjala është gjetiu. Pyetja e parë vjen nga kultura e menaxhimit të mediave të përditshme. Nëse këto media kanë si thelb trajtimin e aktualitetit, sikurse çdo student i gazetarisë e di, edhe të historisë por atë që rilevon ngjarje të aktualitetit, pyetja është : Çfarë ka në aktualitet që tërheq nga e shkuara një temë të lidhur me fatet dhe aktet e Heroit kombëtar?

Këtë jam munduar të shoh këto ditë. Më duket se rilevimi i sllavitetit te Vojsava, dhe interpretimeve mbi përzierjen e gjakut, sikur i bën jehonë një politike negocimi sot në shkallë evropiane midis qeveritarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe një politike evropiane për marrëdhënie paqeje mes serbëve dhe shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.

E dyta, që nuk ka munguar që në dallim nga e para edhe të shprehet drejtpërdrejt, lidhet si duket edhe me deklarimin e kryeministrit se viti në vazhdim do të jetë i përkujtimit të bëmave të Skënderbeut. Jo më kot zëra kritikë ndaj kryeministrit Rama, e thellojnë kritikën duke kritikuar vetë objektin e ceremonialit, figurën e Skënderbeut. Pra, dalin nga tema!

Kjo më duket se është e pamotivuar. Nuk mundet që të pranohet aq lehtë që edhe historia jonë të trajtohet në funksion të rivaliteteve politike të aktualitetit! Mund të kritikohet Rama, Berisha, Meta, Nano a kushdo politikan në pushtet apo në opozitë, i sotëm apo i djeshëm, por qëndrimi ndaj së kaluarës, ndaj shkollës, ndaj shkencës, ndaj kulturës, nuk duhet të ndikohet prej politikës së ditës, pra qendrimi ndaj së kaluarës të motivohet me qëndrime politike të sotme!

Pra, prej inatit apo qëndrimeve kritike ndaj Ramës, t’i qepen si i thonë Skënderbeut sipas shprehjes sportive si i qepej Skënderbeu turqve!

Thjeshtëzimi i gjërave na çon te ajo që dikur mendohej se po të thuhej « Nano ik ! » Shqipëria do të dilte në dritë! Pastaj „për gjithçka fajet i ka Saliu“, dhe sot „Fajet edhe për Skënderbeun i ka Rama!“

Ky quhet politizimi i së shkuarës për motive politike të aktualitetit!

Por, sikur të ishte vetëm kaq nuk do të ishte ende e tëra. Mua më duket se përpara sesa të fillojë sesioni parlamentar, mediat janë pak si manivela, rrotullohet pak si bosh sepse janë media me natyrë kryesisht të mbulimit të aktualitetit politik. Nuk ka lajme. Por, reklamuesit e kërkojnë audiencën amà edhe në dimër edhe në verë, duhen klikime.

Prandaj edhe kur dikush në qejf të vet, me agjendën e vet, në faqen e vet të një rrjeti social trajton identitetin e nënës apo edhe të vetë Skënderbeut, apo kur hedh teza „tronditëse“ t’a zemë se në Mesjetë shqiptarët dhe serbët kanë qenë simbiotikë, siamezë apo në ozmozë, media konvencionale i merr dhe i vendos këto deklarime në faqe të para ose në emisione që në vjeshtë, pranverë dhe në dimër janë me natyrë të trajtimit të aktualitetit politik.

Dhe audiencat hutohen. Trajtimi i Skënderbeut apo i marrëdhënieve të parardhësve tanë me popujt fqinjë zë vendin e agjendës kryesore të mediave. Këtu fillon ekzagjerimi. Tematika lodhet nga të shkundurit. Është media tani që i qepet Skënderbeut apo nënës së Skënderbeut si thotë ajo shprehja si Skënderbeu turqve!

Së fundi, këto janë debate që fillimisht bëhen mes shkencëtarëve apo në rrethe intelektuale.

Jo për gjë por gazetari duhet që përballë dikujt që ka një hipotezë të re, apo ka fakte të reja (që në rastet e mësipërme nuk ka fakte të reja të zbuluara, por ka lexime studimesh tashmë të bëra, pra ka fakte të dorës të dytë, të sjella në media për një publik që nuk ka për detyrë t’i ketë njohur), gazetari duhet të nxjerrë historianë, medievistë, metodistë të historisë, antropologë, sociologë, dhe jo vetëm të bëjë pyetjet, të dëgjojë, dhe kaq.

Jo, kërkohet debat. Por, fatkeqësia jonë është se ne nuk kemi shtyp periodik të tematizuar masiv dhe tematik. Revistat masive të specializuara te ne janë në ditë të hallit. Dhe në vend që çështjet të trajtohen atje hyjnë në hapësirën e aktualitetit politik të ditës në media, e për rrjedhojë politizohen e krijojnë përplasje kolektive.

Aq më shumë që agjencitë tona shkencore, si Akademia e Shkencave dhe QSA nuk kanë strategji divulgimi dhe masivizimi të shkencës ku zëra publikë, jo medoemos specialistë të fushës, të vijnë e debatojnë me shkencëtarët me orë e netë të tëra po të dëshirojnë. Kjo është e trishtë.

E në fund, ka probleme metodologjike më shumë epistemologjikë të historisë që dalin në pah. Qëndroj këtu sepse duke mos qenë historian i kësaj fushe rezervohem të flas për të !

Ne si shqiptarë kemi një identitet me natyrë shumë sinkretike, që na sjell specifika të forta dhe na jep qëndrueshmëri.

Ne kemi brenda ndërgjegjes kolektive masive (ndonëse jo të të gjithëve sikurse del, por gjithsesi të një shumice të konsiderueshme) edhe figurën e Skënderbeut si personifikim i rrezistencës vendase ndaj sulmuesve otomanë të kohës, pra si simbol patriotizmi ; por, kemi edhe respektin për islamin në pjesën myslimane, si edhe bashkëjetesën fetare si realitet sigurisht jo perfekt, jo të dhënë njëherë e përgjithmonë, por gjithsesi një fakt kolektiv i qendrueshëm.

Dy periudha të ndryshme, dy përpjekje të ndryshme, dy histori të ndryshme në kohë, sot vijnë e qendrojnë sëbashku dhe janë pjesë përbërëse të identitetit kombëtar, pra edhe multifetarizmi edhe ideja e një vendit të pavarur, e vullnetit për një shtet të pavarur të simbolizuar e të ndërtuar për arsye të ndryshme te Skënderbeu. Në një farë mënyre rezistenca skënderbejane i takon si fakt një kohe tjetër, dhe orientimi islam i një pjese të popullsisë, që erdhi bashkë me otomanët ndaj të cilëve rrezistonte Skënderbeu, i takon një epoke tjetër.

Ishte ky e fundit një proces kur pavarësisht mekanizmave të rrënjosjes, me kohën, kemi një pjesë të popullsisë që aderon në këtë fe monoteiste sikurse është edhe islami dhe mbi atë bazë ndërton sistemin e vlerave dhe besimeve të veta, konceptimin mbi ekzistencën dhe njeriun, etj.

Dy ngjarje historike që koha pak e nga pak përgjatë rrjedhave gjarpëruese të historisë, i kondenson së bashku në një sinkretizëm shumë specifik dhe që përbën një nga dallueshmëritë tona si komb.

Sinkretizmi është uniteti i të ndryshmeve që në kohë të caktuara apo në kontekste të tjerë mund të jenë edhe kontradiktore.

Kurse ne nuk mund t’i fryjmë konfliktualitetit të paqënë mes tyre sepse janë dy memorje që na vijnë për kohë të ndryshme, për përpjekje dhe evoluime të ndryshme të historisë sonë dhe që na bëjnë që në shesh prej dekadash të kemi edhe xhaminë kryesore të vendit, por edhe monumentin e Skënderbeut, dhe askush nuk sheh atje së paku nuk ka shprehur prej dekadash ndonjë kontradiktë. Ky është sinkretizmi ynë i veçantë dhe elegant.

Këta jemi ne, pot ë mos jemi kështu nuk jemi ne. Parardhësit tanë para sesa ky sinkretizëm të ngjizej ishin të parët tanë, flisnin gjuhën tonë, kishin krijuar sisteme vlerash që ne trashëgojmë, por nuk ishin si ne në këtë pikë.

Kontradiksione të bëra sinteza shpirtërore dhe me unitet të brendshëm. Çdo ndarje e tyre është fallco si të ndash veç të bardhën nga sheqeri, pavarësisht se logjikisht koncepti i bardhë dhe koncepti sheqer janë dy koncepte të ndryshme me njeri tjetrin.

E këtu ka edhe plot probleme epistemologjike dhe filozofike të historisë që gazetarët si jospecialistë i lenë të kalojnë pa debat dhe ja përcjellin audiencave të patretura duke rrezikuar krijimin e tensioneve sociale thjesht për shkak të menaxhimit jo profesional të informacionit.

Dhe me humor, unë thosha sot me vete : Sa më mirë që sot fillon Kuvendi dhe gazetat do të politizohen sërish (sa keq !), e kështu sëpaku, lajmi i mirë, do ta lënë rehat Skënderbeun dhe nënën e tij. Përndryshe Gjergji a Skënderi, do t’i binte yzengjive të kalit dhe nga mërzia do ta ngiste kalin e tij drejt Veriut, Krujës a më larg e të çmallej me tokat e tij derisa ne, opinioni ynë publik, mediat, t’a linim rehat në vendit që e ka !